Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Gjoni, 2

Kapitulli ka 25 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Gjoni 2:1
Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.
Gjoni 2:2
Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.
Gjoni 2:3
Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: "Nuk kanë më verë!".
Gjoni 2:4
Jezusi i tha: "Ç`ke me mua, o grua? Ora ime s`ka ardhur akoma!".
Gjoni 2:5
Nëna e tij u tha shërbëtorëve: "Bëni gjithçka që ai t`ju thotë!".
Gjoni 2:6
Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa.
Gjoni 2:7
Jezusi u tha: "Mbushni enët me ujë!". Dhe ata i mbushën deri në grykë.
Gjoni 2:8
Pastaj u tha: "Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës". Dhe ata ia çuan.
Gjoni 2:9
Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,
Gjoni 2:10
dhe i tha: "Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!".
Gjoni 2:11
Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.
Gjoni 2:12
Pas kësaj, ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij; dhe ata qëndruan aty pak ditë.
Gjoni 2:13
Pra, Pashka e Judenjve ishte afër dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.
Gjoni 2:14
Dhe në tempull gjeti ata që shisnin qe, dele e pëllumba dhe këmbyes monedhash duke ndenjur;
Gjoni 2:15
dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat,
Gjoni 2:16
dhe shitësve të pëllumbave u tha: "Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!".
Gjoni 2:17
Kështu dishepujve të tij i kujtohej se ishte shkruar: "Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!".
Gjoni 2:18
Atëherë Judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: "Ç`shenjë na tregon se i bën këto gjëra?".
Gjoni 2:19
Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: "Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!".
Gjoni 2:20
Atëherë Judenjtë thanë: "U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull, dhe ti do ta ngresh për tri ditë?".
Gjoni 2:21
Por ai fliste për tempullin e trupit të vet.
Gjoni 2:22
Kur, më pas, ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se ai këtë ua kishtë thënë dhe u besuan Shkrimin dhe fjalëve që kishte thënë Jezusi.
Gjoni 2:23
Dhe kur qe në Jeruzalem për festën e Pashkës, shumë vetë besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte,
Gjoni 2:24
por Jezusit nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë,
Gjoni 2:25
dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç`kishte përbrenda njeriut.