Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Gjoni, 1

Kapitulli ka 51 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Gjoni 1:1
Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.
Gjoni 1:2
Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.
Gjoni 1:3
Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.
Gjoni 1:4
Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.
Gjoni 1:5
Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.
Gjoni 1:6
Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon.
Gjoni 1:7
Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;
Gjoni 1:8
ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.
Gjoni 1:9
Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.
Gjoni 1:10
Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu.
Gjoni 1:11
Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan,
Gjoni 1:12
por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,
Gjoni 1:13
të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.
Gjoni 1:14
Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.
Gjoni 1:15
Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: "Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje"".
Gjoni 1:16
Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.
Gjoni 1:17
Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.
Gjoni 1:18
Askush s`e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t`Et, është ai që e ka bërë të njohur.
Gjoni 1:19
Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur Judenjtë i dërguan nga Jeruzalemi priftërinj dhe levitë për ta pyetur: "Kush je ti?".
Gjoni 1:20
Ai edhe e rrëfeu, edhe nuk e mohoi, dhe rrëfeu: "Unë nuk jam Krishti".
Gjoni 1:21
Atëherë ata e pyetën: "Kush je, pra? A je Elia?". Ai tha: "Nuk jam!". "Je ti profeti?". Dhe ai përgjigjej: "Jo!".
Gjoni 1:22
Atëherë ata i thanë: "Kush je ti, që t`u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç`thua për veten tënde?".
Gjoni 1:23
Ai u përgjigj: "Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia".
Gjoni 1:24
Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë;
Gjoni 1:25
ata e pyetën dhe i thanë: "Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as profeti?".
Gjoni 1:26
Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: "Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni.
Gjoni 1:27
Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t`ia zgjidh lidhësen e sandaleve".
Gjoni 1:28
Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.
Gjoni 1:29
Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: "Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!
Gjoni 1:30
Ky është ai për të cilin unë thashë: "Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!".
Gjoni 1:31
Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t`i zbulohet Izraelit".
Gjoni 1:32
Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: "E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të.
Gjoni 1:33
Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: "Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë".
Gjoni 1:34
Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë".
Gjoni 1:35
Të nesërmen Gjoni rrinte përsëri atje me dy nga dishepujt e vet.
Gjoni 1:36
Dhe, duke i ngulur sytë mbi Jezusin që po kalonte, tha: "Ja Qengji i Perëndisë!".
Gjoni 1:37
Dhe të dy dishepujt dëgjuan atë duke folur, dhe e ndoqën Jezusin.
Gjoni 1:38
Por Jezusi u kthye dhe, kur pa se po e ndiqnin, u tha atyre: "Ç`kërkoni?". Ata i thanë: "Rabbi (që e përkthyer do të thotë "mësues"), ku banon?".
Gjoni 1:39
Ai iu përgjigj atyre: "Ejani e shikoni". Ata shkuan dhe e panë ku banonte ai, dhe ndenjën atë ditë bashkë me të. Ishte rreth orës dhjetë.
Gjoni 1:40
Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte një nga ata të dy që e kishin dëgjuar këtë nga Gjoni dhe kishin ndjekur Jezusin.
Gjoni 1:41
Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: "E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: "Krishti"";
Gjoni 1:42
dhe e çoi te Jezusi. Atëherë Jezusi e shikoi dhe tha: "Ti je Simoni, bir i Jonas. Ti do të quhesh Kefa, që do të thotë: "gur"".
Gjoni 1:43
Të nesërmen, Jezusi donte të dilte në Galile; gjeti Filipin dhe i tha: "Ndiqmë!".
Gjoni 1:44
Dhe Filipi ishte nga Betsaida, nga i njejti qytet i Andreas dhe i Pjetrit.
Gjoni 1:45
Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: "E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit!".
Gjoni 1:46
Dhe Natanaeli i tha: "A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?". Filipi i tha: "Eja e shih!".
Gjoni 1:47
Jezusi pa se Natanaeli po vinte drejt tij dhe tha për të: "Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili s`ka mashtrim".
Gjoni 1:48
Natanaeli i tha: "Nga më njeh?". Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Të pashë kur ishe nën fik, para se të të thërriste Filipi".
Gjoni 1:49
Natanaeli duke iu përgjigjur tha: "Mësues, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!".
Gjoni 1:50
Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Sepse të thashë se të pashë nën fik, ti beson; do të shohësh gjëra më të mëdha se këto!".
Gjoni 1:51
Pastaj i tha: "Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut".