Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Lluka, 24

Kapitulli ka 53 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Lluka 24:1
Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur.
Lluka 24:2
Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri.
Lluka 24:3
Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.
Lluka 24:4
Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme.
Lluka 24:5
Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: "Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?
Lluka 24:6
Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,
Lluka 24:7
duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë".
Lluka 24:8
Dhe ato kujtonin fjalët e tij.
Lluka 24:9
kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.
Lluka 24:10
Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to.
Lluka 24:11
Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre.
Lluka 24:12
Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur.
Lluka 24:13
Po ate ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit.
Lluka 24:14
Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur.
Lluka 24:15
Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.
Lluka 24:16
Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.
Lluka 24:17
Dhe ai u tha atyre: "Ç`janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?".
Lluka 24:18
Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: "Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?".
Lluka 24:19
Dhe ai u tha atyre: "Cilat?". Ata i thanë: "Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit.
Lluka 24:20
Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar.
Lluka 24:21
Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra.
Lluka 24:22
Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri,
Lluka 24:23
dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë nië vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton.
Lluka 24:24
Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë".
Lluka 24:25
Atëherë ai u tha atyre: "O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!
Lluka 24:26
Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?".
Lluka 24:27
Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.
Lluka 24:28
Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.
Lluka 24:29
Por ata e detyruan duke thënë: "Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron". Edhe ai hyri që të rrijë me ta.
Lluka 24:30
Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.
Lluka 24:31
Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.
Lluka 24:32
Dhe ata i thanë njeri tjetrit: "Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?".
Lluka 24:33
Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.
Lluka 24:34
Ata thoshnin: "Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit".
Lluka 24:35
Ata atëherë treguan ç`u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.
Lluka 24:36
Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto gjëra, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: "Paqja me ju!".
Lluka 24:37
Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë.
Lluka 24:38
Atëherë ai u tha atyre: "Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?
Lluka 24:39
Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!".
Lluka 24:40
Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët.
Lluka 24:41
Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: "A keni këtu diçka për të ngrënë?".
Lluka 24:42
Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti.
Lluka 24:43
Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre.
Lluka 24:44
Pastaj u tha atyre: "Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet".
Lluka 24:45
Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet,
Lluka 24:46
dhe u tha atyre: "Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë,
Lluka 24:47
dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi.
Lluka 24:48
Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave.
Lluka 24:49
Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart".
Lluka 24:50
Pastaj iu priu jashtë deri në Betani dhe, si i ngriti lart duart, i bekoi.
Lluka 24:51
Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell.
Lluka 24:52
Dhe ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jeruzalem me gëzim të madh.
Lluka 24:53
Dhe rrinin vazhdimisht në tempull duke lavdëruar dhe bekuar Perëndinë. Amen!