Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Lluka, 23

Kapitulli ka 56 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Lluka 23:1
Atëherë u ngrit gjithë asambleja dhe e çuan te Pilati.
Lluka 23:2
Dhe filluan ta paditin duke thënë: "Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t`i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti".
Lluka 23:3
Atëherë Pilati e pyeti duke thënë: "A je ti mbreti i Judenjve?". Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: "Ti po thua".
Lluka 23:4
Pilati u tha atëherë krerëve të priftërinjve dhe popullit: "Unë nuk po gjej asnjë faj te ky njeri".
Lluka 23:5
Por ata ngulnin këmbë, duke thënë: "Ai po ngre popullin në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që nga Galilea e deri këtu".
Lluka 23:6
Atëherë Pilati, kur dëgjoi se u fol për Galilenë, pyeti në se ai njeri ishte Galileas.
Lluka 23:7
Dhe kur mori vesh se ai i takonte juridiksionit të Herodit, e dërgoi te Herodi, i cili, ndër ato ditë, ndodhej edhe ai në Jeruzalem.
Lluka 23:8
Kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli të kryer prej tij.
Lluka 23:9
Ai i drejtoi shumë pyetje, por Jezusi nuk u përgjigj fare.
Lluka 23:10
Ndërkaq krerët e priftërinjve dhe skribët rrinin aty dhe e paditnin me furi.
Lluka 23:11
Atëherë Herodi, me ushtarët e vet, mbasi e fyu dhe e talli, e veshi me një rrobe të shkëlqyeshme dhe ia riktheu Pilatit.
Lluka 23:12
Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq.
Lluka 23:13
Atëherë Pilati, mblodhi krerët e priftërinjve, kryetarët dhe popullin,
Lluka 23:14
dhe u tha atyre: "Ju më prutë këtë njeri si çoroditës të popullit; dhe ja, unë, pasi e hetova para jush, nuk kam gjetur tek ai asnjë nga fajet për të cilat ju e paditni,
Lluka 23:15
dhe as Herodi, sepse na e ktheu përsëri te ne; në fakt ai s`ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen.
Lluka 23:16
Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj".
Lluka 23:17
Tani me rastin e festës së Pashkës qeveritari duhet të lironte dikë.
Lluka 23:18
Por ata, të gjithë njëzeri, bërtitën duke thënë: "Vraje këtë dhe na liro Barabën".
Lluka 23:19
Ky ishte hedhur në burg për një trazirë të bërë në qytet dhe për vrasje.
Lluka 23:20
Prandaj Pilati, duke dashur të lëshojë Jezusin, u foli përsëri.
Lluka 23:21
Por ata bërtitnin duke thënë: "Kryqëzoje!".
Lluka 23:22
Për të tretën herë ai u tha atyre: "Po ç`të keqe bëri ky? Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj".
Lluka 23:23
Por ata ngulnin këmbë me britma te mëdha duke kërkuar që ta kryqëzonin; dhe britmat e tyre dhe të krerëve të priftërinjve u bënë mbisunduese.
Lluka 23:24
Atëherë Pilat vendosi që të bëhej çka ata kërkonin.
Lluka 23:25
Dhe ua lëshoi atë që qe burgosur për trazirë dhe vrasje dhe që ata e kishin kërkuar; dhe Jezusin ia dorëzoi vullnetit të tyre.
Lluka 23:26
Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit.
Lluka 23:27
Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të.
Lluka 23:28
Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: "O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.
Lluka 23:29
Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpe dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!".
Lluka 23:30
Atëherë do të fillojnë t`u thonë maleve: "Bini përmbi ne!", dhe kodrave: "Na mbuloni!".
Lluka 23:31
Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç`do të bëhet me të thatin?".
Lluka 23:32
Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t`i vrarë.
Lluka 23:33
Dhe kur arritën në vendin që quhet "Kafka", aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.
Lluka 23:34
Dhe Jezusi tha: "O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç`bëjnë". Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.
Lluka 23:35
Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: "Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë".
Lluka 23:36
Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull,
Lluka 23:37
dhe duke thënë: "Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten".
Lluka 23:38
Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ËSHTË MBRETI I JUDENJVE".
Lluka 23:39
Tani një nga keqberësit e kryqëzuar e shau duke thënë: "Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve".
Lluka 23:40
Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: "A s`ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim?
Lluka 23:41
Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe".
Lluka 23:42
Pastaj i tha Jezusit: "Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde".
Lluka 23:43
Atëherë Jezusi i tha: "Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë".
Lluka 23:44
Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë.
Lluka 23:45
Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes.
Lluka 23:46
Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: "O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!". Dhe, si tha këto, dha fryma.
Lluka 23:47
Atëherë centurioni, kur pa ç`ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: "Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!".
Lluka 23:48
Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç`po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin.
Lluka 23:49
Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea qendronin larg, duke parë këto gjëra.
Lluka 23:50
Tani ishte një burrë me emër Jozef, që ishte anëtar i sinedrit, njeri i drejtë dhe i mirë;
Lluka 23:51
ai nuk kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Ai ishte nga Arimatea, qytet i Judesë dhe priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë.
Lluka 23:52
Ai iu paraqit Pilatit dhe kërkoi trupin e Jezusit.
Lluka 23:53
Dhe, pasi e zbriti poshtë nga kryqi, e mbështolli në një çarçaf dhe e vuri në një varr të gërmuar në shkëmb, ku ende nuk ishte varrosur asnjeri.
Lluka 23:54
Ishte dita e Përgatitjes dhe e shtuna po fillonte.
Lluka 23:55
Gratë që kishin ardhur me Jezusin nga Galilea duke e ndjekur nga afër, e panë varrin dhe mënyrën se si ishte vënë trupi i Jezusit;
Lluka 23:56
pastaj ato u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra; dhe gjatë së shtunës pushuan, sipas urdhërimit.