Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Lluka, 2

Kapitulli ka 52 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Lluka 2:1
Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë.
Lluka 2:2
Ky regjistrim qe i pari që u krye kur Kuirini ishte guvernatori i Sirisë.
Lluka 2:3
Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet.
Lluka 2:4
Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit,
Lluka 2:5
për t`u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë.
Lluka 2:6
Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë.
Lluka 2:7
Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.
Lluka 2:8
Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.
Lluka 2:9
Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.
Lluka 2:10
Por engjëlli u tha atyre: "Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;
Lluka 2:11
sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.
Lluka 2:12
Dhe kjo do t`ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd".
Lluka 2:13
Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:
Lluka 2:14
"Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!".
Lluka 2:15
Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t`u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njeri tjetrit: "Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç`ka ndodhur dhe ç`na bëri të ditur Zoti".
Lluka 2:16
Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd.
Lluka 2:17
Mbasi e panë, përhapën ato që u ishte thënë për atë fëmijë.
Lluka 2:18
Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë.
Lluka 2:19
Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj.
Lluka 2:20
Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre.
Lluka 2:21
Dhe kur kaluan të tetë ditët, pas të cilave ai duhej rrethprerë, ia vunë emrin Jezus, emër të dhënë nga engjëlli para se ai të ngjizej në bark.
Lluka 2:22
Kur pastaj ishin plotësuar ditët e pastrimit të saj sipas ligjit të Moisiut, e çuan fëmijën në Jeruzalem për t`ia paraqitur Zotit,
Lluka 2:23
ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit: "Çdo mashkull i parëlindur do të jetë thirrur shenjt për Zotin",
Lluka 2:24
dhe për të ofruar flijim, siç është thënë në ligjin e Zotit, një çift turtujsh ose dy pëllumbash të rinj.
Lluka 2:25
Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të.
Lluka 2:26
Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit.
Lluka 2:27
Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji,
Lluka 2:28
ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë:
Lluka 2:29
"Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate,
Lluka 2:30
sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd
Lluka 2:31
që ti e përgatite përpara gjithë popujve:
Lluka 2:32
dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit".
Lluka 2:33
Dhe Jozefi e nëna e fëmijës mrrekulloheshin për gjërat që thuheshin për të.
Lluka 2:34
Pastaj Simeoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: "Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë kundërshtimesh,
Lluka 2:35
edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave".
Lluka 2:36
Aty ishte edhe Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, nga fisit i Aserit, e cila ishte shumë e kaluar në moshë, që kishte jetuar mbas virgjërisë së saj shtatë vjet me burrin.
Lluka 2:37
Ajo ishte e ve dhe, megjithse ishte tetëdhjetë e katër vjeçe, nuk largohej kurrë nga tempulli duke i shërbyer Perëndisë natë e ditë me agjërime dhe lutje.
Lluka 2:38
Edhe ajo erdhi në atë moment, lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jeruzalem.
Lluka 2:39
Dhe mbasi i kryen të gjitha ato që i takonin sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre, Nazaret.
Lluka 2:40
Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të.
Lluka 2:41
Tani prindërit e tij shkonin çdo vit në Jeruzalem për festën e Pashkës.
Lluka 2:42
Dhe, kur ai i mbushi dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jeruzalem, sipas zakonit të festës.
Lluka 2:43
Dhe si u përmbushën ato ditë, kur ata u kthyen, fëmija Jezus ndënji në Jeruzalem; por Jozefi dhe e ëma e tij nuk e dinin.
Lluka 2:44
Duke menduar se ai ishte në shoqëri, ata bënë një ditë rrugë, pastaj filluan ta kërkojnë midis farefisit dhe të njohurve;
Lluka 2:45
dhe, duke qenë se nuk e gjetën, u kthyen në Jeruzalem për ta kërkuar.
Lluka 2:46
Dhe ndodhi që, pas tri ditësh, e gjetën në tempull, të ulur në mes të dijetarëve, duke i dëgjuar dhe duke u bërë atyre pyetje.
Lluka 2:47
Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarësia e tij dhe nga përgjigjet e tij.
Lluka 2:48
Dhe, kur ata e panë, mbetën të habitur, dhe e ëma i tha: "Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim!".
Lluka 2:49
Por ai u tha atyre: "Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?".
Lluka 2:50
Por ata nuk i kuptuan fjalët që ai u tha atyre.
Lluka 2:51
Dhe ai zbriti bashkë me ta, u kthye në Nazaret dhe i bindej atyre. E ëma i ruante të gjitha këto fjalë në zemrën e saj.
Lluka 2:52
Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve.