Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Lluka, 1

Kapitulli ka 80 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Lluka 1:1
Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë,
Lluka 1:2
ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës,
Lluka 1:3
m`u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t`i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil,
Lluka 1:4
që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar.
Lluka 1:5
Në ditën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emër Zakaria, nga rendi i Abias; gruaja e tij ishte pasardhëse e Aaronit dhe quhej Elizabetë.
Lluka 1:6
Që të dy ishin të drejtë në sytë e Perëndisë, duke ecur pa të metë në të gjitha urdhërimet dhe ligjet e Zotit.
Lluka 1:7
Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte shterpe, dhe të dy ishin të kaluar në moshë.
Lluka 1:8
Ndodhi që, kur Zakaria po ushtronte detyrën e tij priftërore para Perëndisë sipas rregullit të rendit të vet,
Lluka 1:9
sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit për të djegur temjanin.
Lluka 1:10
Ndërkaq mbarë turma e popullit rrinte jashtë e lutej, në orën e temjanit.
Lluka 1:11
Atëherë një engëll i Zotit iu shfaq duke qëndruar në këmbë në të djathtën e altarit të temjanit.
Lluka 1:12
Zakaria, kur e pa, u trondit dhe e zuri frika.
Lluka 1:13
Por engjëlli i tha: "Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t`ia vësh emrin Gjon.
Lluka 1:14
Dhe ai do të jetë për ty shkak gëzimi dhe hareje, dhe shumë vetë do të gëzohen për lindjen e tij.
Lluka 1:15
Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit; nuk do të pijë as verë as pije dehëse dhe do të jetë i përplotë me Frymën e Shenjtë që në barkun e s`ëmës.
Lluka 1:16
Dhe do t`i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre.
Lluka 1:17
Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t`i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t`ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë".
Lluka 1:18
Dhe Zakaria i tha engjëllit: "Nga se do ta njoh këtë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime është e kaluar në moshë".
Lluka 1:19
Dhe engjëlli, duke iu përgjigjur, i tha: "Unë jam Gabrieli që rri në prani të Perëndisë, dhe më kanë dërguar që të flas me ty dhe të të njoftoj këto lajme të mira.
Lluka 1:20
Dhe ja, ti do të jesh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri në atë ditë kur do të ndodhin këto gjëra, sepse nuk u ke besuar fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre".
Lluka 1:21
Ndërkaq populli po priste Zakarian dhe çuditej që ai po vonohej aq shumë brenda tempullit.
Lluka 1:22
Por, kur doli, nuk mundi t`u flasë atyre; atëherë ata e kuptuan se ai kishte pasur një vegim në tempull; ai u bënte shenja atyre, por mbeti i pagojë.
Lluka 1:23
Dhe ndodhi që, kur u plotësuan ditët e shërbesës së tij, ai u kthye në shtëpinë e vet.
Lluka 1:24
Dhe, pas atyre ditëve Elizabeta, gruaja e tij, u ngjiz; dhe u fsheh pesë muaj dhe thoshte:
Lluka 1:25
"Ja ç`më bëri Zoti, në ato ditë kur e ktheu vështrimin e tij mbi mua për të më hequr turpin përpara njerëzve".
Lluka 1:26
Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret,
Lluka 1:27
te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria.
Lluka 1:28
Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: "Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë".
Lluka 1:29
Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë.
Lluka 1:30
Dhe engjëlli i tha: "Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë.
Lluka 1:31
Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t`ia vesh emrin Jezus.
Lluka 1:32
Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t`i japë fronin e Davidit, atit të tij;
Lluka 1:33
dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur".
Lluka 1:34
Dhe Maria i tha engjëllit: "Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?".
Lluka 1:35
Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: "Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.
Lluka 1:36
Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë,
Lluka 1:37
sepse me Perëndinë asgjë s`është e pamundshme".
Lluka 1:38
Atëherë Maria tha: "Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate". Dhe engjëlli u largua prej saj.
Lluka 1:39
Dhe në ato ditë Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim në krahinën malore, në një qytet të Judesë,
Lluka 1:40
dhe hyri në shtëpinë e Zakarias e përshëndeti Elizabetën.
Lluka 1:41
Dhe ndodhi që, sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Maries, fëmija i kërceu në bark, dhe Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë,
Lluka 1:42
dhe thërriti me zë të lartë, duke thënë: "Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd.
Lluka 1:43
Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë?
Lluka 1:44
Sepse, ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim.
Lluka 1:45
Tani, e lumur është ajo që besoi, sepse gjërat që i janë thënë nga ana e Zotit do të realizohen!".
Lluka 1:46
Dhe Maria tha: "Shpirti im e madhëron Zotin,
Lluka 1:47
dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim,
Lluka 1:48
sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume,
Lluka 1:49
sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij!
Lluka 1:50
Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë.
Lluka 1:51
Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre;
Lluka 1:52
i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit;
Lluka 1:53
i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit.
Lluka 1:54
Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij,
Lluka 1:55
ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë".
Lluka 1:56
Dhe Maria ndenji me Elizabetën gati tre muaj, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.
Lluka 1:57
Dhe Elizabetës i erdhi koha që të lindë dhe të nxjerrë në dritë një djalë.
Lluka 1:58
Fqinjët e saj dhe të afërmit, kur dëgjuan se Zoti kishte treguar mëshirë të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.
Lluka 1:59
Dhe ndodhi që të tetën ditë erdhën për ta rrethprerë djalin, dhe donin t`ia quanin Zakaria, me emrin e atit të tij;
Lluka 1:60
por e ëma ndërhyri dhe tha: "Jo, por përkundrazi do të quhet Gjon".
Lluka 1:61
Dhe ata i thanë: "S`ka njeri në fisin tënd që të quhet me këtë emër".
Lluka 1:62
Kështu me shenja e pyetën të atin, si donte që t`i quhej.
Lluka 1:63
Ai atëherë kërkoi një tabelë shkrimi dhe shkroi mbi të: "Emri i tij është Gjon". Dhe të gjithë u mrrekulluan.
Lluka 1:64
Në atë çast goja e tij u hap dhe gjuha e tij u zgjidh, dhe fliste duke bekuar Perëndinë.
Lluka 1:65
Dhe të gjithë fqinjëve të tyre u hyri druajtja, dhe të gjitha këto gjëra u përhapën nëpër krejt krahinën malore të Judesë.
Lluka 1:66
Të gjitha ata që i dëgjuan, i vunë në zemrën e tyre duke thënë: "Vallë kush do të jetë ky fëmijë?". Dhe dora e Zotit ishte me të.
Lluka 1:67
Dhe Zakaria, ati i tij, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë:
Lluka 1:68
Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;
Lluka 1:69
dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
Lluka 1:70
ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë
Lluka 1:71
prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,
Lluka 1:72
për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t`u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,
Lluka 1:73
betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,
Lluka 1:74
për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t`i shërbejmë pa frikë,
Lluka 1:75
në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.
Lluka 1:76
Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,
Lluka 1:77
për t`i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;
Lluka 1:78
për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,
Lluka 1:79
për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes".
Lluka 1:80
Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t`i zbulohej Izraelit.