Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Mateu, 2

Kapitulli ka 23 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Mateu 2:1
Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem,
Mateu 2:2
duke thënë: "Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar".
Mateu 2:3
Mbreti Herod, kur dëgjoi këto fjalë, u shqetësua, dhe bashkë me të mbarë Jeruzalemi.
Mateu 2:4
Dhe, mbasi i mblodhi të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, i pyeti ku duhet të lindte Krishti.
Mateu 2:5
Dhe ata i thanë: "Në Bethlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit:
Mateu 2:6
"Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parendësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin"".
Mateu 2:7
Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë.
Mateu 2:8
Dhe i dërgoi në Bethlehem dhe tha: "Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më njoftoni që të vij edhe unë ta adhuroj".
Mateu 2:9
Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija.
Mateu 2:10
Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh.
Mateu 2:11
Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.
Mateu 2:12
Pasi Perëndia i udhëzoi në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, ata u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.
Mateu 2:13
Tani pasi u nisën Dijetarët, ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: "Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty deri sa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë".
Mateu 2:14
Jozefi, pra, u zgjua, mori fëmijën dhe nënën e tij natën dhe iku në Egjipt.
Mateu 2:15
Dhe qëndroi aty deri sa vdiq Herodi, që të përmbushet ç`ishte thënë nga Zoti me anë të profetit: "E thirra birin tim nga Egjipti".
Mateu 2:16
Atëherë Herodi, duke parë se dijetarët e kishin mashtruar, u zemërua fort dhe urdhëroi të vriten të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Bethlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç e poshtë,
Mateu 2:17
Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremi që thotë:
Mateu 2:18
"Në Ramë u dëgjua një klithmë, një vaje një qarje dhe gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet, sepse ata nuk janë më".
Mateu 2:19
Pasi vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit i shfaqet në ëndërr Jozefit në Egjipt,
Mateu 2:20
dhe i thotë: "Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që donin ta vrisnin fëmijën kanë vdekur".
Mateu 2:21
Dhe ai u çua, mori fëmijën dhe nënën e tij dhe shkoi në vendin e Izraelit;
Mateu 2:22
por, kur dëgjoi se Arkelau mbretëronte në Judë në vend të Herodit, atit të tij, pati frikë të shkojë atje. Dhe, mbasi u udhëzua nga Perëndia në ëndërr, iku në krahinën e Galilesë,
Mateu 2:23
dhe, mbasi arriti atje, zuri vend në një qytet që quhej Nazaret, që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët: "Ai do të quhet Nazareas".