Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Mateu, 3

Kapitulli ka 17 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Mateu 3:1
Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë,
Mateu 3:2
dhe thoshte: "Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!"
Mateu 3:3
Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: "Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"".
Mateu 3:4
Tani Gjoni vet kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër.
Mateu 3:5
Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai,
Mateu 3:6
dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre.
Mateu 3:7
Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t`u pagëzuar tek ai, u tha atyre: "Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t`i arratiseni zemërimit që po vjen?
Mateu 3:8
Jepni pra fryte të denja të pendesës!
Mateu 3:9
Dhe mos t`ju shkojë mendja të thoni me vete: "Ne kemi Abrahamin për atë"; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve.
Mateu 3:10
Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.
Mateu 3:11
Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t`ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin.
Mateu 3:12
Ai mban në dorë terploten dhe do ta pastrojë plotësisht lëmin e tij; grurin e tij do ta mbledhë në hambar, por bykun do ta djegë me zjarr të pashueshëm".
Mateu 3:13
Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t`u pagëzuar prej tij.
Mateu 3:14
Por Gjoni e kundërshtoi fort duke i thënë: "Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?".
Mateu 3:15
Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur, u tha: "Lejo të bëhet për tani, sepse në këtë mënyrë përmbushim çdo drejtësi". Atëherë ai e lejoi.
Mateu 3:16
Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të;
Mateu 3:17
dhe ja një zë nga qielli që tha: "Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur".