Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Marku, 4

Kapitulli ka 41 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Marku 4:1
Pastaj nisi përsëri të mësojë në breg të detit; dhe rreth tij u mblodh një turmë aq e madhe, sa që ai hyri në barkë dhe rrinte ulur në det, ndërsa gjithë turma ishte në tokë pranë detit.
Marku 4:2
Dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra në shëmbëlltyra, dhe u thoshte atyre në mësimin e tij:
Marku 4:3
"Dëgjoni! Ja, doli mbjellësi të mbjellë.
Marku 4:4
Dhe ndodhi që kur hidhte farën, një pjesë e farës ra gjatë rrugës dhe zogjtë e qiellit erdhën dhe e hëngrën.
Marku 4:5
Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe dhe mbiu menjëherë, sepse s`kishte një tokë të thellë.
Marku 4:6
Por, kur doli dielli, u dogj; dhe me që nuk kishte rrënjë, u tha.
Marku 4:7
Një pjesë tjetër ra midis ferrave; ferrat u rritën, e mbyten dhe nuk dha fryt.
Marku 4:8
Një pjesë tjetër ra në tokë të mirë, dhe solli frut që rritej, dhe u zhvillua për të dhënë njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind".
Marku 4:9
Pastaj ai u tha atyre: "Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!".
Marku 4:10
Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën.
Marku 4:11
Dhe ai u tha atyre: "Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra,
Marku 4:12
që: "Duke parë, të shohin, por të mos vën re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen"".
Marku 4:13
Pastaj u tha atyre: "Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëhere si do t`i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera?
Marku 4:14
Mbjellësi mbjell fjalën.
Marku 4:15
Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satanai dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre.
Marku 4:16
Po ashtu ata që e marrin farën mbi nje gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim;
Marku 4:17
por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë.
Marku 4:18
Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën,
Marku 4:19
por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme.
Marku 4:20
Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind".
Marku 4:21
Pastaj u tha atyre: "A merret vallë llamba për ta vënë nën babunë ose nën shtrat? A nuk vihet mbi dritëmbajtësen?
Marku 4:22
Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që të mos zbulohet, as kurrgjë sekrete që të mos dalin në dritë.
Marku 4:23
Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!"
Marku 4:24
Dhe u tha atyre: "Vini re atë që dëgjoni. Me atë masë që ju matni, do t`iu matet juve; edhe juve që dëgjoni do t`iu jepet edhe më.
Marku 4:25
Sepse atij që ka, do t`i jepet, por atij që s`ka, do t`i merret edhe ajo që ka.
Marku 4:26
Tha akoma: "Mbretëria e Perëndisë është si një njeri që hedh farën në dhe.
Marku 4:27
Dhe natën dhe ditën, ndërsa ai fle dhe çohet, fara mbin dhe rritet, pa e ditur ai se si.
Marku 4:28
Sepse dheu prodhon vetvetiu më parë kërcellin, pastaj kallirin, dhe më në fund kallirin plot me kokrra.
Marku 4:29
Dhe kur fryti piqet, menjëherë korrësi i vë drapërin, sepse erdhi koha e korrjes.
Marku 4:30
Edhe tha: Me se ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë shëmbëlltyre ta paraqesim?
Marku 4:31
Ajo i ngjan farës së sinapit, që, kur është mbjellë në dhe, është më e vogla nga të gjitha farërat që janë mbi dhe;
Marku 4:32
por, pasi mbillet, rritet dhe bëhet më e madhe se të gjitha barishtet; dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj".
Marku 4:33
Dhe me shumë shëmbëlltyra të tilla, u shpallte atyre fjalën, ashtu si ata ishin në gjendje ta kuptojnë.
Marku 4:34
Dhe nuk u fliste atyre pa shëmbëlltyra, ndërsa dishepujve të tij, veçmas, u shpjegonte çdo gjë.
Marku 4:35
Tani po atë ditë, si u ngrys, u tha atyre: "Kalojmë te bregu matanë!
Marku 4:36
Dhe dishepujt, si e nisën popullin, e morrën me vete Jezusin, ashtu si ishte, në barkë. Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla.
Marku 4:37
Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej.
Marku 4:38
Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: "Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?".
Marku 4:39
Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: "Pusho dhe fashitu!". Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe.
Marku 4:40
Atëherë u tha atyre: "Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?".
Marku 4:41
Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshnin njëritjetrit: "Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?".