Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Marku, 3

Kapitulli ka 35 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Marku 3:1
Pastaj ai hyri përsëri në sinagogë dhe aty ishte një njeri që kishte një dorë të tharë.
Marku 3:2
Dhe ata po e ruanin në se do ta shëronte në ditën e së shtunës, që pastaj ta paditnin.
Marku 3:3
Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: "Çohu në mes të të gjithëve!".
Marku 3:4
Dhe u tha atyre: "A është e lejueshme ditën e së shtunës të bësh të mirë apo të keqe, të shpëtosh një jetë apo ta vrasësh?". Por ata heshtnin.
Marku 3:5
Atëherë ai, si i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: "Shtrije dorën tënde!". Ai e shtriu, dhe dora e tij u shëndosh përsëri si tjetra.
Marku 3:6
Dhe farisenjtë dolën jashtë e menjëherë bënin këshill bashkë me herodianët kundër tij, se si ta vrasin.
Marku 3:7
Por Jezusi me dishepujt e vet u tërhoq drejt detit; dhe një turmë e madhe nga Galilea i ndoqi; edhe nga Judea;
Marku 3:8
dhe nga Jeruzalemi, nga Idumea, nga përtej Jordanit; gjithashtu një turmë e madhe nga rrethinat Etiros dhe të Sidonit, kur dëgjoi gjërat e medha që ai bënte, erdhi tek ai.
Marku 3:9
Atëherë ai u tha dishepujve të tij të kenë gjithnjë gati një barkë, që populli mos e shtynte.
Marku 3:10
Sepse ai kishte shëruar shumë veta, të gjithë që kishin sëmundje dyndeshin rreth tij që ta preknin.
Marku 3:11
Dhe frymërat e ndyrë, kur e shihnin, binin përmbys para tij dhe bërtitnin, duke thënë: "Ti je Biri i Perëndisë!".
Marku 3:12
Por ai i qortoi rreptësisht që të mos thonin se kush ishte ai.
Marku 3:13
Pastaj ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek ai.
Marku 3:14
Dhe ai i caktoi dymbëdhjetë që të rrinin me të dhe që mund t`i dërgonte të predikojnë,
Marku 3:15
dhe të kishin pushtet të shëronin sëmundjet dhe të dëbonin demonët.
Marku 3:16
Ata ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër;
Marku 3:17
Jakobi, bir i Zebedeut, dhe Gjoni, vë-llai i Jakobit, të cilave ua vuri emrin Boanerges, që do të thotë: "Bij të bubullimës";
Marku 3:18
Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakobi i Alfeut, Tadeu, Simon Kananeasi,
Marku 3:19
dhe Juda Iskarioti, i cili më pas e tradhëtoi.
Marku 3:20
Pastaj hynë në një shtëpi. Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s`mund të hanin.
Marku 3:21
Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: "Nuk është në vete".
Marku 3:22
Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshnin: "Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve".
Marku 3:23
Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: "Si mund Satanai të dëbojë Satananë?
Marku 3:24
Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë.
Marku 3:25
Dhe në qoftë se një shtëpi përçahet kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë.
Marku 3:26
Kështu, në se Satanai ngrihet kundër vetvetes dhe është përçarë, nuk mbahet dot, por i erdhi fundi!
Marku 3:27
Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e njeriut të fortë dhe t`ia grabitë pasuritë e tij, pa e lidhur më parë njeriun e fortë; vetëm atëherë mund t`ia plaçkitë shtëpinë.
Marku 3:28
Në të vërtetë po ju them se bijve të njerëzve do t`u falet çfarëdo mëkat dhe çdo blasfemi që do të thonë;
Marku 3:29
po për atë që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do të ketë falje përjetë; ai është fajtor për dënim të përjetshëm".
Marku 3:30
Sepse ata thoshnin: "Ai ka një frymë të ndyrë!".
Marku 3:31
Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin.
Marku 3:32
Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: "Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë".
Marku 3:33
Por ai u përgjigj atyre duke thënë: "Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?".
Marku 3:34
Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: "Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi!
Marku 3:35
Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!".