Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Mateu, 27

Kapitulli ka 66 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Mateu 27:1
Kur erdhi mëngjesi, të gjithë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit bënin këshill kundër Jezusit për ta vrarë.
Mateu 27:2
Dhe, mbasi e lidhën, e çuan dhe e dorëzuan në duart e Ponc Pilatit, guvernatorit.
Mateu 27:3
Atëherë Juda, që e kishte tradhtuar, kur pa se e dënuan Jezusin, u pendua dhe ua ktheu krerëve të priftërinjve dhe pleqve të tridhjetë siklat prej argjendi,
Mateu 27:4
duke thënë: "Mëkatova duke tradhtuar gjakun e pafaj". Por ata thanë: "Po ne ç`na duhet? Punë për ty!".
Mateu 27:5
Dhe ai, mbasi i hodhi siklat prej argjendi në tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar.
Mateu 27:6
Por krerët e priftërinjve i mblodhën këta denarë dhe thanë: "Nuk është e ligjshme t`i vëmë në thesarin e tempullit, sepse është çmim gjaku".
Mateu 27:7
Dhe, mbasi bënin këshill, me këtë denar blenë arën e poçarit për varreza të të huajve.
Mateu 27:8
Prandaj këtë arë e quajtën deri ditën e sotme: "Ara e gjakut".
Mateu 27:9
Atëherë u përmbush ç`ishte thënë nga profeti Jeremia që thotë: "Dhe i morën të tridhjetë monedhat prej argjendi, çmimin e atij që e çmuan, siç kishin çmuar bijtë e Izraelit;
Mateu 27:10
dhe i shpenzuan për arën e poçarit, ashtu si më urdhëroi Zoti".
Mateu 27:11
Dhe Jezusi qëndroi para guvernatorit; dhe qeveritari e pyeti duke thënë: "A je ti mbreti i Judenjve?". Dhe Jezusi i tha: "Ti po thua!".
Mateu 27:12
Pastaj krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzuan, por ai nuk u përgjigjej fare.
Mateu 27:13
Atëherë Pilati i tha: "A nuk po dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?".
Mateu 27:14
Por ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që guvernatori u çudit shumë.
Mateu 27:15
Tani me rastin e festave guvernatori e kishte zakon t`i lironte popullit një të burgosur, atë që populli kërkonte.
Mateu 27:16
Kishin në ato kohë një të burgosur me nam, me emër Baraba.
Mateu 27:17
Kur u mblodhën njerëzit, Pilati i pyeti ata: "Kë doni t`ju liroj, Barabën apo Jezusin, që quhet Krisht?".
Mateu 27:18
Sepse ai e dinte mirë se atë ia kishin dorëzuar nga smira.
Mateu 27:19
Dhe ndërsa ai po rrinte në gjykatë, gruaja e tij i çoi fjalë: "Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij".
Mateu 27:20
Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjan turmës që të kërkonte Barabën, dhe Jezusi të vritej.
Mateu 27:21
Dhe guvernatori duke vazhduar u tha atyre: "Cilin nga të dy doni që t`ju liroj?". Ata thanë: "Barabën!".
Mateu 27:22
Pilati u tha atyre: "Ç`të bëj, pra, me Jezusin, që quhet Krisht?". Të gjithë i thanë: "Të kryqëzohet!".
Mateu 27:23
Por guvernatori tha: "Po ç`të keqe ka bërë?". Mirëpo ata po bërtisnin edhe më fort: "Të kryqëzohet!".
Mateu 27:24
Atëherë Pilati, duke parë se nuk po arrinte gjë, madje se trazimi po shtohej gjithnjë e më shumë, mori ujë dhe i lau duart para turmës, duke thënë: "Unë jam i pafaj për gjakun e këtij të drejti; mendojeni ju".
Mateu 27:25
Dhe gjithë populli duke u përgjigjur tha: "Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!".
Mateu 27:26
Atëherë ai ua liroi atyre Barabën; dhe mbasi e fshikulloi Jezusin, ua dorëzoi, që të kryqëzohet.
Mateu 27:27
Atëherë ushtarët e guvernatorit, mbasi e çuan Jezusin në pretoriumin e guvernatorit, mblodhën rreth tij gjithë kohortën.
Mateu 27:28
Dhe, pasi e zhveshën, i hodhën mbi trup një mantel të kuq.
Mateu 27:29
Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: "Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!".
Mateu 27:30
Pastaj e pështynë, ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë.
Mateu 27:31
Dhe, mbasi e përqeshën, ia hoqën mantelin dhe e veshën me rrobat e tij; dhe e çuan për ta kryqëzuar.
Mateu 27:32
Dhe duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartë kryqin e Jezusit.
Mateu 27:33
Dhe, kur arritën në vendin që quhej Golgota, domethënë "Vendi i kafkës",
Mateu 27:34
i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte.
Mateu 27:35
Mbasi e kryqëzuan, i ndanë me short rrobat e tij, që të përmbushej ç`ishte thënë nga profeti: "I ndanë ndërmjet tyre rrobat e mia dhe hodhën short mbi tunikën time".
Mateu 27:36
Pastaj u ulën dhe e ruanin.
Mateu 27:37
Përmbi krye të tij, i vunë gjithashtu motivacionin e shkruar të dënimit të tij: "KY ËSHTË JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE".
Mateu 27:38
Atëhere u kryqëzuan bashkë me të dy cuba, njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën.
Mateu 27:39
Dhe ata që kalonin andej e fyenin duke tundur kokën,
Mateu 27:40
dhe duke thënë: "Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!".
Mateu 27:41
Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thonin:
Mateu 27:42
"Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të;
Mateu 27:43
ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"".
Mateu 27:44
Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të.
Mateu 27:45
Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin.
Mateu 27:46
Rreth orës nëntë, Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: "Eli, Eli, lama sabaktani?". Domethënë: "Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?".
Mateu 27:47
Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: "Ky po thërret Elian".
Mateu 27:48
Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë.
Mateu 27:49
Por të tjerët thonin: "Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar".
Mateu 27:50
Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë.
Mateu 27:51
Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë;
Mateu 27:52
varret u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve që flinin u ringjallën;
Mateu 27:53
dhe, të dalë nga varret mbas ringjalljes së Jezusit, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumëkujt.
Mateu 27:54
Tani centurioni dhe ata që bashkë me të ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, u trembën shumë dhe thanë: "Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!".
Mateu 27:55
Ishin aty edhe shumë gra që vërenin nga larg; ato e kishin ndjekur Jezusin që nga Galilea për t`i shërbyer;
Mateu 27:56
midis tyre ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe e Ioseut; dhe nëna e bijve të Zebedeut.
Mateu 27:57
Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea, me emër Jozef, i cili ishte edhe vet dishepull i Jezusit.
Mateu 27:58
Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezusit. Atëherë Pilati dha urdhër që t`ia dorëzonin trupin.
Mateu 27:59
Dhe Jozefi, mbasi e mori trupin, e mbështolli me një pëlhurë të pastër,
Mateu 27:60
dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që ai kishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur të madh në hyrje të varrit dhe u largua.
Mateu 27:61
Dhe Maria Magdalena dhe Maria tjetër rrinin aty, ulur përballë varrit.
Mateu 27:62
Dhe të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati,
Mateu 27:63
duke thënë: "Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: "Pas tri ditësh unë do të ringjallem".
Mateu 27:64
Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t`i thonë popullit: "U ringjall së vdekuri"; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari".
Mateu 27:65
Por Pilati u tha atyre: "Rojen e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t`ju duket më mirë".
Mateu 27:66
Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin.