Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Mateu, 26

Kapitulli ka 75 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Mateu 26:1
Dhe ndodhi që, mbasi Jezusi i mbaroi të gjitha këto fjalime, u tha dishepujve të vet:
Mateu 26:2
"Ju e dini se pas dy ditësh janë Pashkët dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t`u kryqëzuar".
Mateu 26:3
Atëherë krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë e popullit u mblodhën në pallatin e kryepriftit që quhej Kajafa.
Mateu 26:4
Edhe bënin këshillë për ta zënë Jezusin me dredhi dhe ta vrasin;
Mateu 26:5
por thonin: "Jo gjatë festës, që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull".
Mateu 26:6
Tani, kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e lebrozit Simon,
Mateu 26:7
iu afrua një grua me një alabastër me vaj të parfumuar shumë të kushtueshëm, dhe ia derdhi mbi kokën e tij, kur ai po rrinte në tryezë.
Mateu 26:8
Kur e panë këtë gjë, dishepujt e tij u zemëruan dhe thanë: "Përse gjithë ky shpenzim i kotë?
Mateu 26:9
Ky vaj, në fakt, mund të shitej shumë shtrenjtë dhe paratë t`u jepeshin të varfërve".
Mateu 26:10
Por Jezusi e mori vesh dhe u tha atyre: "Pse e shqetësoni këtë grua? Ajo kreu në fakt një vepër të mirë ndaj meje.
Mateu 26:11
Sepse të varfërit do t`i keni përherë me ju, por mua nuk do të më keni përherë.
Mateu 26:12
Sepse, duke derdhur këtë vaj të parfumuar mbi trupin tim, ajo e bëri për ta përgatitur trupin tim për varrim.
Mateu 26:13
Në të vërtetë unë po ju them se kudo që do të predikohet ky ungjill, në gjithë botën, do të tregohet edhe çfarë bëri kjo grua, në përkujtim të saj".
Mateu 26:14
Atëherë një nga të dymbëdhjetët, me emër Judë Iskarioti, shkoi te krerët e priftërinjëve,
Mateu 26:15
dhe u tha atyre: "Sa do të më jepni që unë t`jua dorëzoj?". Dhe ata i numëruan tridhjetë sikla argjendi.
Mateu 26:16
Dhe qysh atëherë ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.
Mateu 26:17
Tani ditën e parë të ndormëve, dishepujt iu afruan Jezusit dhe i thanë: "Ku don të shtrojmë për të ngrënë Pashkën?".
Mateu 26:18
Dhe ai u përgjigj: "Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: "Mësuesi thotë: Koha ime është afër; do të bëj Pashkën në shtëpinë tënde bashkë me dishepujt e mi"".
Mateu 26:19
Atëherë dishepujt bënë ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi dhe përgatitën Pashkën.
Mateu 26:20
Dhe, kur u ngrys, ai u ul në tryezë bashkë me të dymbëdhjetët;
Mateu 26:21
dhe, ndërsa po hanin, tha: "Në të vërtetë unë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë".
Mateu 26:22
Ata u pikëlluan shumë dhe secili prej tyrefilloi të thotë: "Mos jam unë; Zot?".
Mateu 26:23
Dhe ai duke u përgjigjur, tha: "Ai që ka ngjyer bashkë me mua dorën në çanak, ai do të më tradhtojë.
Mateu 26:24
Sikurse është shkruar për të, Biri i njeriut pa tjetër shkon; por mjerë ai njeri me anë të të cilit Biri i njeriut tradhtohet! Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur kurrë".
Mateu 26:25
Dhe Juda, ai që do ta tradhtonte, e pyeti dhe tha: "Rabbi, mos jam unë ai?". Ai i tha: "Ti po thua!".
Mateu 26:26
Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: "Merrni, hani; ky është trupi im".
Mateu 26:27
Pastaj mori kupën, dhe falenderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: "Pini prej tij të gjithë,
Mateu 26:28
sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve.
Mateu 26:29
Dhe unë po ju them, se që tani e tutje unë nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim".
Mateu 26:30
Dhe, mbasi kënduan himnin, dolën jashtë te mali i Ullinjve.
Mateu 26:31
Atëherë Jezusi u tha atyre: "Këtë natë të gjithë ju do të skandalizoheni për shkakun tim, sepse është shkruar: "Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të shpërndahen".
Mateu 26:32
Por, mbasi të jem ngjallur, do të shkoj përpara jush në Galile".
Mateu 26:33
Atëherë Pjetri duke u përgjigjur i tha: "Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë!".
Mateu 26:34
Jezusi i tha: "Në të vërtetë po të them se pikërisht këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë".
Mateu 26:35
Pjetri i tha: "Edhe sikur të duhej të vdisja bashkë me ty, nuk do të të mohoj kurrsesi". Po atë thanë edhe të gjithë dishepujt.
Mateu 26:36
Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: "Uluni këtu, ndërsa unë po shkoi aty të lutem".
Mateu 26:37
Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndjeje trishtim dhe ankth të madh.
Mateu 26:38
Atëherë ai u tha atyre: "Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua".
Mateu 26:39
Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: "Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti".
Mateu 26:40
Pastaj u kthye te dishepujt dhe i gjeti që flinin, dhe i tha Pjetrit: "Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë?
Mateu 26:41
Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët".
Mateu 26:42
U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke thënë: "Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!".
Mateu 26:43
Pastaj u kthye dhe i gjeti përsëri që flinin, sepse sytë u ishin rënduar.
Mateu 26:44
Dhe, mbasi i la ata, u largua përsëri dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë.
Mateu 26:45
Pastaj u kthye te dishepujt e vet dhe u tha atyre: "Tani vazhdoni të flini dhe pushoni; ja erdhi ora, dhe Biri i njeriut do të bjerë në duart e mëkatarëve.
Mateu 26:46
Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhëton është afër".
Mateu 26:47
Dhe ndërsa ai ende po fliste, ja Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit.
Mateu 26:48
Tani ai që e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë, duke thënë: "Atë që unë do të puth, ai është; kapeni".
Mateu 26:49
Dhe menjëherë iu afrua Jezusit dhe i tha: "Tungjatjeta, Mësues!". Dhe e puthi përzemërsisht.
Mateu 26:50
Dhe Jezusi i tha: "Mik, çfarë ke ardhur të bësh?". Atëherë ata iu afruan, vunë duart mbi Jezusin dhe e zunë.
Mateu 26:51
Dhe ja, një nga ata që ishte me Jezusin, zgjati dorën, nxori shpatën e vet, iu hodh shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.
Mateu 26:52
Atëherë Jezusi i tha: "Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.
Mateu 26:53
A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t`i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?
Mateu 26:54
Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?".
Mateu 26:55
Në atë moment Jezusi u tha turmave: "Ju dolët të më zini mua me shpata dhe me shkopinj, si kundër një kusar; e pra, çdo ditë isha ulur midis jush duke mësuar në tempull, dhe ju nuk më kapët.
Mateu 26:56
Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen Shkrimet e profetëve". Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.
Mateu 26:57
Dhe ata që e kishin arrestuar Jezusin e çuan te Kajafa, kryeprifti, ku tashmë ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.
Mateu 26:58
Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri në pallatin e kryepriftit, dhe, mbasi hyri aty, u ul bashkë me rojet për të parë fundin.
Mateu 26:59
Tani krerët e priftërinjve, pleqtë dhe gjithë sinedri kërkonin ndonjë dëshmi të rreme kundër Jezusit, për ta vrarë,
Mateu 26:60
por nuk gjetën asnjë; ndonëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë, nuk e gjetën. Por në fund u paraqitën dy dëshmitarë të rremë,
Mateu 26:61
të cilët thanë: "Ky ka thënë: "Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta rindërtoj për tri ditë"".
Mateu 26:62
Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: "Nuk po përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?".
Mateu 26:63
Por Jezusi rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: "Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë".
Mateu 26:64
Jezusi i tha: "Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndënjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit".
Mateu 26:65
Atëherë kryeprifti ia shqeu rrobat e veta, duke thënë: "Ai blasfemoi; ç`na duhen më dëshmitarët? Ja, tani e dëgjuat blasfeminë e tij.
Mateu 26:66
Si ju duket juve?". Dhe ata, duke u përgjigjur, thanë: "Ai është fajtor për vdekje!".
Mateu 26:67
Atëherë e pështynë në fytyrë, e goditën me shuplaka; dhe disa të tjerë i ranë me grushta,
Mateu 26:68
duke thënë: "O Krisht, profetizo! Kush të ra?".
Mateu 26:69
Tani Pjetri ndënji përjashta, në oborr dhe një shërbëtore iu afrua duke thënë: "Edhe ti ishe me Jezusin, Galileasin".
Mateu 26:70
Por ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: "Nuk di ç`po thua!".
Mateu 26:71
Dhe kur ai po dilte në hajat, e pa atë një shërbëtore tjetër dhe u tha të pranishmëve: "Edhe ky ishte me Jezusin, Nazareasin!".
Mateu 26:72
Por ai përsëri e mohoi me be, duke thënë: "Unë nuk e njoh atë njeri".
Mateu 26:73
Mbas pak edhe të pranishmit iu afruan dhe i thanë Pjetrit: "Sigurisht, edhe ti je një nga ata, sepse e folura jote të tradhton!".
Mateu 26:74
Atëherë ai nisi të mallkojë dhe të bëjë be, duke thënë: "Unë nuk e njoh atë njeri". Dhe në atë çast këndoi gjeli.
Mateu 26:75
Atëherë Pjetri kujtoi atë që i kishte thënë Jezusi: "Para se të këndojë gjeli, do të më mohosh tri herë". Dhe ai doli përjashta dhe qau me hidhërim.