Kapitulli ka 44 vargje, lexim të këndshëm.
Kapitulli Paraprak Kapitulli i ArdhshëmLluka 4:1
Dhe Jezusi, plot me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Fryma e çoi në shkretëtirë,
Lluka 4:2
ku për dyzet ditë e tundoi djalli; gjatë atyre ditëve ai nuk hëngri asgjë, por kur ato kaluan, e mori uria.
Lluka 4:3
Dhe djalli i tha: "Nëse je Biri i Perëndisë, i thuaj këtij guri të bëhet bukë".
Lluka 4:4
Por Jezusi u përgjigj duke thënë: "Është shkruar: "Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë të Perëndisë"".
Lluka 4:5
Pastaj djalli e çoi në një mal të lartë dhe, për një çast, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës.
Lluka 4:6
Dhe djalli i tha: "Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive dhe lavdinë e tyre, sepse m`u dha mua në dorë dhe unë ia jap kujt të dua.
Lluka 4:7
Në qoftë se ti, pra, duke rënë përmbys, më adhuron, do të jetë krejt jotja".
Lluka 4:8
Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: "Largohu prej meje, Satana. Është shkruar: "Adhuro Zotin, Përëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij"".
Lluka 4:9
Pastaj e çoi në Jeruzalem, e vuri në majë të tempullit, në cep, dhe i tha: "Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë që këtej;
Lluka 4:10
sepse është shkruar: "Ai do t`u urdhërojë engjëjve të vet rreth teje të të ruajnë.
Lluka 4:11
Dhe ata do të të mbajnë mbi duart e tyre që këmba jote të mos ndeshë me asnjë gur"".
Lluka 4:12
Dhe Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Është thënë: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd"".
Lluka 4:13
Dhe kur djalli i mbaroi të gjitha tundimet, u largua prej tij, për një farë kohe.
Lluka 4:14
Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth.
Lluka 4:15
Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë.
Lluka 4:16
Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar.
Lluka 4:17
I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:
Lluka 4:18
"Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit,
Lluka 4:19
dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit".
Lluka 4:20
Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të.
Lluka 4:21
Atëherë ai nisi të thotë: "Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja".
Lluka 4:22
Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshnin: "Po ky, a nuk është biri i Jozefit?".
Lluka 4:23
Dhe ai u tha atyre: "Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: "Mjek, shëro veten tënde"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd".
Lluka 4:24
Por ai tha: "Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.
Lluka 4:25
Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael;
Lluka 4:26
e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit.
Lluka 4:27
Dhe në kohën e profetit Elize kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian".
Lluka 4:28
Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë.
Lluka 4:29
Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë.
Lluka 4:30
Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.
Lluka 4:31
Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte njerëzit ditët e shtuna.
Lluka 4:32
Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet.
Lluka 4:33
Në sinagogë ishte një njeri që ishte pushtuar me frymën e një demoni të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë duke thënë:
Lluka 4:34
"Ah, ç`ka mes nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di se kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!".
Lluka 4:35
Por Jezusi e qortoi duke thënë: "Hesht dhe dil prej tij!". Dhe demoni, pasi e përplasi përpara tyre, doli prej tij pa i bërë asgjë të keqe.
Lluka 4:36
Atëherë të gjithë i pushtoi habia dhe i thoshin njëri-tjetrit: "Ç`fjalë është kjo, vallë? Ai urdhëron me autoritet dhe pushtet frymërat e ndyra dhe ata dalin!".
Lluka 4:37
Dhe fama e tij përhapej në çdo vend të krahinës përreth.
Lluka 4:38
Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.
Lluka 4:39
Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t`u shërbejë.
Lluka 4:40
Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre.
Lluka 4:41
Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: "Ti je Krishti, Biri i Perëndisë". Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.
Lluka 4:42
Kur zbardhi drita ai doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Por turmat e kërkonin dhe e arritën; dhe e mbanin që të mos largohej prej tyre.
Lluka 4:43
Por ai u tha atyre: "Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar".
Lluka 4:44
Dhe ai predikonte nëpër sinagoga të Galilesë.