Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Lluka, 8

Kapitulli ka 56 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Lluka 8:1
Dhe pas kësaj ndodhi që ai shkonte nëpër qytete dhe nëpër fshatra, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë; me të ishin të dymbëdhjetët,
Lluka 8:2
dhe disa gra, të cilat i kishte shëruar nga shpirtërat e këqij dhe nga sëmundjet: Maria, e quajtur Magdalenë, prej së cilët pati dëbuar shtatë demonë,
Lluka 8:3
Joana, gruaja e Kuzës, administratorit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera të cilat e ndihmonin atë me pasuritë e tyre.
Lluka 8:4
Si u mblodh një turmë e madhe dhe i erdhën njerëz nga çdo qytet, Jezusi tha në shëmbëlltyrë:
Lluka 8:5
"Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën.
Lluka 8:6
Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu, u tha për mungesë vlage.
Lluka 8:7
Një pjesë tjetër ra ndër ferra; ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën.
Lluka 8:8
Kurse një pjesë ra në tokë të mirë, mbiu dhe dha fryt njëqindfish". Si i tha këto gjëra, thirri: "Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!".
Lluka 8:9
Atëherë dishepujt e vet e pyetën çfarë kuptimi kishte ajo shëmbëlltyrë.
Lluka 8:10
Dhe ai tha: "Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë.
Lluka 8:11
Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës: fara është fjala e Perëndisë.
Lluka 8:12
Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën; por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë.
Lluka 8:13
Ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në momentin e sprovës tërhiqen.
Lluka 8:14
Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk arrijnë të piqen.
Lluka 8:15
Por pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri".
Lluka 8:16
"Askush, pasi të ketë ndezur llambën, nuk e mbulon me një enë ose e fut nën shtrat, por e vë mbi mbajtësen e vet me qëllim që ata që hyjnë të shohin dritë.
Lluka 8:17
Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që nuk do të zbulohet, as sekret që të mos njihet dhe të dalë në dritë.
Lluka 8:18
Prandaj tregoni kujdes se si dëgjoni, sepse atij që ka, do t`i jepet, kurse atij që nuk ka, do t`i hiqet edhe ajo që ai kujton se ka".
Lluka 8:19
Nëna e tij dhe vëllezërit e tij erdhën tek ai, por nuk mund t`i afroheshin për shkak të turmës.
Lluka 8:20
Dhe nga disa i ishte thënë: "Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të të shohin".
Lluka 8:21
Por ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: "Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e vënë në praktikë".
Lluka 8:22
Në një prej atyre ditëve ndodhi që Jezusi hipi në një barkë bashkë me dishepujt e vet dhe u tha: "Të kalojmë në bregun tjetër të liqenit". Dhe ata u larguan nga bregu.
Lluka 8:23
Ndërsa po lundronin, atë e zuri gjumi; dhe një furtunë ra mbi liqen, aq sa barka po mbushej, dhe ishin në rrezik.
Lluka 8:24
Atëherë ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: "Mësues, Mësues, po mbytemi!". Dhe ai u zgjua, i bërtiti erës dhe tërbimit të ujit; dhe këto u qetësuan dhe u bë bunacë.
Lluka 8:25
Dhe Jezusi u tha dishepujve të vet: "Ku është besimi juaj?". Dhe ata, të frikësuar, mrekulloheshin dhe i thoshnin njeri tjetrit: "Vallë, kush është ky, që urdhëron edhe erën dhe ujin, dhe ata i binden?".
Lluka 8:26
Pastaj lundruan drejt krahinës së Gadareasve, që ndodhet përballë Galilesë;
Lluka 8:27
dhe, porsa Jezusi zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza.
Lluka 8:28
Kur e pa Jezusin, lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: "Ç`ka mes meje dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë Shumë të Lartë? Të lutem, mos më mundo!".
Lluka 8:29
Sepse Jezusi po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë e me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretëtirat.
Lluka 8:30
Dhe Jezusi e pyeti duke thënë: "Si e ke emrin?". Dhe ai u përgjigj: "Legjion". Sepse shumë demonë i kishin hyrë në të.
Lluka 8:31
Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë.
Lluka 8:32
Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal, dhe këta demonë iu lutën t`i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre.
Lluka 8:33
Atëherë demonët, si dolën nga ai njeri, hynë te derrat, dhe ajo tufë u turr nga gremina në liqen dhe u mbyt.
Lluka 8:34
Kur panë ç`ndodhi, ata që i ruanin derrat ikën dhe e çuan lajmin në qytet e nëpër fshatra.
Lluka 8:35
Atëherë njerëzit dolën për të parë ç`kishte ndodhur dhe erdhën te Jezusi, dhe gjetën atë njeri, nga i cili kishin dalë demonët, të ulur te këmbët e Jezusit, të veshur dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë.
Lluka 8:36
Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan atyre si ishte shëruar i idemonizuari.
Lluka 8:37
Atëherë gjithë popullsia e krahinës së Gadareasve, i kërkoi Jezusit të largohej prej tyre, sepse i kishte zënë një frikë e madhe. Dhe Jezusi hyri në barkë dhe u kthye mbrapa.
Lluka 8:38
Ndërkaq njeriu prej të cilit dolën demonët, i lutej të rrinte me të; por Jezusi e përcolli duke i thënë:
Lluka 8:39
"Kthehu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Perëndia për ty". Dhe ai shkoi anembanë qytetit duke treguar gjërat e mëdha që Jezusi bëri për të.
Lluka 8:40
Ndodhi që, kur Jezusi u kthye, turma e mirëpriti sepse të gjithë e prisnin.
Lluka 8:41
Dhe ja, erdhi një njeri me emër Jair, që ishte kryetari i sinagogës; ai i ra ndër këmbë Jezusit dhe iu lut të shkonte në shtëpinë e tij,
Lluka 8:42
sepse ai kishte një vajzë të vetme rreth dymbëdhjetë vjeçe, që ishte për vdekje. Ndërsa Jezusi po shkonte atje, turma po shtyhej përreth tij.
Lluka 8:43
Dhe një grua që kishte një fluks gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithë pasurinë e saj, pa mundur që të shërohej nga njeri,
Lluka 8:44
iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre fluksi i gjakut.
Lluka 8:45
Dhe Jezusi tha: "Kush më preku?". Mbasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: "Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua: "Kush më preku?"".
Lluka 8:46
Por Jezusi tha: "Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje".
Lluka 8:47
Atëherë gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar, erdhi, duke u dridhur e tëra, dhe i ra ndër këmbë dhe i deklaroi në prani të gjithë popullit, përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast.
Lluka 8:48
Dhe ai i tha: "Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe!".
Lluka 8:49
Ndërsa Jezusi vazhdonte të fliste, erdhi një nga shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe i tha: "Vajza jote vdiq, mos e shqetëso Mësuesin".
Lluka 8:50
Por Jezusi, mbasi i dëgjoi këto, i tha: "Mos druaj; ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë".
Lluka 8:51
Si arriti në shtëpi, nuk la asnjeri të hyjë, përveç Pjetrit, Gjonit dhe Jakobit, dhe atin e nënën e vajzës.
Lluka 8:52
Të gjithë qanin dhe mbajtën zi. Por ai tha: "Mos qani; ajo nuk ka vdekur, por po fle".
Lluka 8:53
Dhe ata e përqeshnin; duke e ditur se kishte vdekur.
Lluka 8:54
Por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, e kapi për dore dhe thirri duke thënë: "Vajzë, çohu!".
Lluka 8:55
Asaj iu kthye fryma e saj dhe menjëherë u çua; pastaj Jezusi urdhëroi që t`i jepnin të hante.
Lluka 8:56
Dhe prindërit e saj mbetën të habitur. Por Jezusi i porositi të mos i thonin kurrkujt ç`kishte ndodhur.