Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Lluka, 7

Kapitulli ka 50 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Lluka 7:1
Si e përfundoi gjithë këtë ligjëratë drejtuar popullit që e dëgjoi, hyri në Kapernaum.
Lluka 7:2
Tani një centurion kishte një shërbëtor që e donte shumë; e kishte të sëmurë keq për vdekje.
Lluka 7:3
Dhe centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, i dërgoi disa pleq Judenj që ta lusnin të vinte e të shëronte shërbëtorin e tij.
Lluka 7:4
Si arritën te Jezusi, ata e lutën me ngulm duke i thënë: "Ai e meriton që ti ta pranosh këtë gjë,
Lluka 7:5
sepse ai e do popullin tonë dhe ai na e ndërtoi sinagogën".
Lluka 7:6
Atëherë Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo shumë larg shtëpisë, centurioni dërgoi disa miq të tij për t`i thënë: "Zot, mos u shqetëso, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën pullazin tim.
Lluka 7:7
Për këtë shkak nuk e çmova veten të denjë të vij tek ti; por ti fol një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
Lluka 7:8
Sepse edhe unë jam një njeri nën autoritetin e tjetërkujt dhe kam nën urdhër ushtarë; dhe i them njerit: "Shko", dhe ai shkon; dhe një tjetri: "Eja", dhe ai vjen; dhe shërbëtorit tim: "Bëjë këtë", dhe ai e bën".
Lluka 7:9
Kur i dëgjoi këto fjalë, Jezusi u mrekullua prej tij, dhe, duke iu drejtuar turmës që i vinte pas, tha: "Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh".
Lluka 7:10
Dhe, kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, shërbëtorin, që kishte qenë i sëmurë, e gjetën të shëruar.
Lluka 7:11
Dhe të nesërmen ai shkoi në një qytet që quhej Nain; dhe bashkë me të shkonin shumë nga dishepujt e vet dhe një turmë e madhe.
Lluka 7:12
Dhe, kur iu afrua portës së qytetit, ja që po çonin për ta varrosur një të vdekur, djalin e vetëm të nënës së tij, që ishte e ve; dhe një turmë e madhe nga qyteti ishte me të.
Lluka 7:13
Posa e pa, Zoti pati dhemshuri për të dhe i tha: "Mos qaj!"
Lluka 7:14
U afrua, preku arkivolin, dhe ata që e bartnin u ndalën; atëherë ai tha: "Djalosh, unë të them, çohu!".
Lluka 7:15
Dhe i vdekuri u çua ndenjur dhe filloi të flasë. Dhe Jezusi ia dha së ëmës.
Lluka 7:16
Atëherë të gjithë u mrekulluan dhe lëvdonin Perëndinë duke thënë: "Midis nesh doli një profet i madh" dhe: "Perëndia e vizitoi popullin e vet".
Lluka 7:17
Dhe kjo e thënë për të u përhap nëpër gjithë Judenë dhe anembanë krahinës përreth.
Lluka 7:18
Gjoni u informua prej dishepujve të vet për të gjitha këto gjëra.
Lluka 7:19
Dhe Gjoni thirri pranë tij dy nga dishepujt e vet, i dërgoi te Jezusi për t`i thënë: "A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?".
Lluka 7:20
Këta njerëz, pra, shkuan te ai dhe i thanë: "Gjon Pagëzori na dërgoi te ti për të të thënë: "A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?"".
Lluka 7:21
Dhe në atë orë Jezusi shëroi shumë veta nga sëmundjet, nga fatkeqësitë dhe nga frymërat e lig, dhe shumë të verbërve ua dhuroi të parit.
Lluka 7:22
Dhe Jezusi duke u përgjegjur u tha atyre: "Shkoni dhe i thoni Gjonit ç`keni parë e dëgjuar: të verbërit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, lebrozët po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen, dhe ungjilli u shpallet të varfërve.
Lluka 7:23
I lumi ai që nuk do të skandalizohet prej meje!".
Lluka 7:24
Kur lajmëtarët e Gjonit u larguan, ai filloi t`u thotë turmave për Gjonin: "Ç`dolët të shihni në shkreti? Një kallam që e tund era?
Lluka 7:25
Po, ç`dolët të shihni? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të shkëlqyera dhe jetojnë në bollëk banojnë në pallatet e mbretërve.
Lluka 7:26
Por, ç`dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: akoma më shumë se një profet.
Lluka 7:27
Ai është ai për të cilin u shkrua: "Ja, unë po dërgoj përpara fytyrës tënde lajmëtarin tim, që do ta përgatitë rrugën sate para teje".
Lluka 7:28
Sepse unë po ju them që nga të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë profet më të madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai".
Lluka 7:29
Dhe gjithë populli që e dëgjoi dhe tagrambledhësit e pranuan drejtësinë e Perëndisë dhe u pagëzuan me pagëzimin e Gjonit.
Lluka 7:30
Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit e refuzuan planin e Perëndisë për ta dhe nuk u pagëzuan.
Lluka 7:31
Atëherë Zoti tha: "Me çfarë t`i krahasoj, pra, njerëzit e këtij brezi? Dhe kujt i ngjajnë?
Lluka 7:32
U ngjajnë fëmijëve që ulen ndër sheshe dhe i bërtasin njëri-tjetrit duke thënë: "Ne i kemi rënë fyellit për ju dhe ju nuk keni kërcyer; ne kemi kënduar vajtime për ju dhe ju nuk keni qarë".
Lluka 7:33
Erdhi, pra, Gjon Pagëzori, që nuk ha bukë dhe as pi verë dhe ju thoni: "Ai ka një demon".
Lluka 7:34
Erdhi Biri i njeriut që ha dhe pi, dhe ju thoni: "Ja grykësi dhe pijaneci, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve".
Lluka 7:35
Por urtisë i japin të drejtë gjithë bijtë e saj".
Lluka 7:36
Një nga farisenjtë e ftoi atë të hajë bashkë me të; dhe ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë.
Lluka 7:37
Dhe ja, një grua nga ai qytet, që ishte një mëkatare, kur mori vesh se ai ishte në tryezën e shtëpisë së një fariseu, solli një enë alabastri plot me vaj erëkëndshëm.
Lluka 7:38
Dhe, duke qëndruar prapa te këmbët e tij dhe duke qarë, filloi t`ia lajë me lot këmbët dhe t`ia fshijë me flokët e kokës së saj; dhe t`ia puthte e t`ia vajoste me vaj erëkëndshëm.
Lluka 7:39
Kur e pa këtë gjë, fariseu që e kishte ftuar, tha me vete: "Nëse ky do të ishte një profet, do ta dinte çfarë lloj njeriu është gruaja që po e prek, sepse ajo është një mëkatare.
Lluka 7:40
Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: "Simon, kam diçka për të të thënë". Dhe ai tha: "Fol, Mësues".
Lluka 7:41
Dhe Jezusi i tha: "Një huadhënës kishte dy huamarrës; njëri i kishte borxh pesëqind denarë dhe tjetri pesëdhjetë.
Lluka 7:42
Meqë ata nuk kishin të paguanin, ai ua fali borxhin të dyve. Sipas teje, cili nga ata do ta dojë më shumë?".
Lluka 7:43
Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: "Ma do mendja, ai, të cilit i fali më shumë". Dhe Jezusi i tha: "Gjykove drejt".
Lluka 7:44
Pastaj, si u suall nga gruaja, i tha Simonit: "A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; ajo, përkundrazi, m`i lau këmbët me lot dhe m`i fshiu me flokët e kresë.
Lluka 7:45
Ti nuk më dhe as edhe një puthje; por ajo, qysh se hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia.
Lluka 7:46
Ti nuk ma vajose kokën me vaj; kurse ajo m`i vajosi këmbët me vaj erëkëndshëm.
Lluka 7:47
Prandaj unë po të them se mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; por kujt i falen pak, do pak".
Lluka 7:48
Pastaj i tha asaj: "Mëkatet e tua të janë falur".
Lluka 7:49
Atëherë ata që ishin në tryezë bashkë me të filluan të thonin me vete: "Po kush qenka ky që po falka edhe mëkatet?".
Lluka 7:50
Por Jezusi i tha asaj gruaje: "Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe!".