Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Lluka, 5

Kapitulli ka 39 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Lluka 5:1
Dhe ndodhi që Jezusi, kur po ndodhej në bregun e liqenit të Gjenezaretit e ndërsa turma po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë,
Lluka 5:2
pa dy barka të lidhura në breg të liqenit, nga të cilat kishin dalë peshkatarët dhe po lanin rrjetat.
Lluka 5:3
Atëherë hyri në një nga ato barka, në atë që ishte e Simonit, dhe iu lut që të largohej pak nga bregu. U ul dhe mësonte turmat nga barka.
Lluka 5:4
Dhe kur mbaroi së foluri i tha Simonit: "Shko në të thella, dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk".
Lluka 5:5
Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: "Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por, për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën.
Lluka 5:6
Dhe, si bënë kështu, zunë një sasi aq të madhe peshku, sa po shqyhej rrjeta.
Lluka 5:7
Atëherë u bënë shenjë shokëve të tyre që ishin në barkën tjetër, që të vinin e t`i ndihmonin. Dhe ata erdhën dhe i mbushën të dy barkat aq sa gati po fundoseshin.
Lluka 5:8
Simon Pjetri, kur pa këtë, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: "Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar".
Lluka 5:9
Në të vërtetë Pjetri dhe të gjithë ata që ishin me të, habiteshin për shkak të sasisë së peshkut që kishin zënë.
Lluka 5:10
E njëjta gjë u ngjau edhe Jakobit dhe Gjonit, bijve të Zebedeut, që ishin shokë të Simonit. Atëherë Jezusi i tha Simonit: "Mos ki frikë; tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë".
Lluka 5:11
Pastaj ata, si i nxorën në breg barkat, lanë çdo gjë dhe ndiqnin.
Lluka 5:12
Ndodhi që, ndërsa Jezusi ndodhej në një nga ato qytete, erdhi një njeri i mbushur plot me lebër, i cili, kur e pa Jezusin, ra me fytyrë për dhe dhe iu lut duke thënë: "Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh".
Lluka 5:13
Atëherë ai e zgjati dorën, e preku duke thënë: "Po, e dua, qofsh i pastruar". Dhe menjëherë lebra iu zhduk.
Lluka 5:14
Dhe Jezusi e urdhëroi: "Mos ia trego kurrkujt; por shko, paraqitu te prifti dhe bëj një ofertë për pastrimin tënd, sikurse e ka përshkruar Moisiu, që kjo t`u shërbejë si dëshmi".
Lluka 5:15
Dhe fama e tij po përhapej gjithnjë e më shumë; dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar dhe për t`u shëruar prej tij nga sëmundjet e veta.
Lluka 5:16
Por ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej.
Lluka 5:17
Një ditë ndodhi që, ndërsa Jezusi po mësonte, ishin të pranishëm, ulur, disa farisenj dhe mësues të ligjit, që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e Galilesë, të Judesë dhe nga Jeruzalemi; dhe fuqia e Zotit ishte me të, që të kryente shërime.
Lluka 5:18
Dhe ja, disa njerëz po sillnin mbi një vig një njeri të paralizuar dhe kërkonin ta fusnin brenda dhe ta vinin përpara tij.
Lluka 5:19
Por, duke mos gjetur se si ta fusnin brenda për shkak të turmës, hipën mbi çatinë e shtëpisë dhe e lëshuan përmjet tjegullave me gjithë vig midis njerëzve, përpara Jezusit.
Lluka 5:20
Dhe ai, duke parë besimin e tyre, i tha atij: "Njeri, mëkatet e tua të janë falur".
Lluka 5:21
Atëherë skribët dhe farisenjtë filluan të arsyetojnë duke thënë: "Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund t`i falë mëkatet, përveç vetëm Perëndi?".
Lluka 5:22
Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, e mori fjalën dhe tha: "Ç`po arsyetoni në zemrat tuaja?
Lluka 5:23
Çfarë është më e lehtë, të thuhet: "Mëkatet e tua të janë falur", apo të thuhet: "Çohu dhe ec"?
Lluka 5:24
Tani, pra, me qëllim që ju ta dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi tokë të falë mëkatet, unë të them (i tha të paralizuarit), çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!".
Lluka 5:25
Dhe menjëherë ai njeri u ngrit përpara tyre, mori vigun mbi të cilin qe shtrirë dhe shkoi në shtëpinë e vet, duke përlëvduar Perëndinë.
Lluka 5:26
Dhe të gjithë u habitën dhe përlëvdonin Perëndinë, dhe, plot frikë, thoshnin: "Sot pamë gjëra të mahnitshme".
Lluka 5:27
Dhe, mbas këtyre gjërave, ai doli dhe pa një tagrambledhës, që quhej Levi, dhe rrinte në vendin e tatimeve, dhe i tha: "Ndiqmë".
Lluka 5:28
Dhe ai i la të gjitha, u ngrit dhe e ndoqi.
Lluka 5:29
Pastaj Levi i përgatiti në shtëpinë e tij një gosti të madhe, dhe një numër i madh tagrambledhësish e të tjerë rrinin në tryezë bashkë me ta.
Lluka 5:30
Por skribët dhe farisenjtë e atij vendi murmurisnin kundër dishepujve të Jezusit duke thënë: "Përse hani dhe pini bashkë me tagrambledhës dhe mëkatarë?".
Lluka 5:31
Dhe Jezusi, duke u përgjegjur, u tha: "Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjek, por të sëmurët.
Lluka 5:32
Unë nuk erdha t`i thërres të pendohen të drejtit, por mëkatarët".
Lluka 5:33
Atëherë ata i thanë: "Përse dishepujt e Gjonit si dhe ata të farisenjve agjërojnë shpesh dhe luten, kurse të tutë hanë dhe pinë?".
Lluka 5:34
Ai u përgjigj atyre: "A mund t`i bëni dasmorët të agjërojnë, derisa dhëndri është me ta?
Lluka 5:35
Por do të vijnë ditët kur do t`ua heqin dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, ata do të agjërojnë".
Lluka 5:36
Përveç kësaj ai u tregoi një shëmbëlltyrë: "Askush nuk qep një copë të një rrobë të re mbi një rrobe të vjetër; përndryshe gjendet me rrobën e re të shqyer, dhe pjesa që u hoq nga rroba e re nuk i përshtatet së vjetrës.
Lluka 5:37
Dhe askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër; përndryshe vera e re i pëlcet kacekët, dhe ajo derdhet e kacekët shkojnë dëm.
Lluka 5:38
Por duhet shtënë vera e re në kacekë të rinj dhe kështu që të dyja ruhen.
Lluka 5:39
Askush që ka pirë verë të vjetër, nuk do menjëherë verë të re, sepse ai thotë: "E vjetra është më e mirë"".