Kapitulli ka 71 vargje, lexim të këndshëm.
Kapitulli Paraprak Kapitulli i ArdhshëmLluka 22:1
Ndërkaq po afrohej festa e të Ndormëve, që quhet Pashkë.
Lluka 22:2
Dhe krerët e priftërinjve e skribët kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, sepse kishin frikë nga populli.
Lluka 22:3
Atëherë Satani hyri në Judën, i mbiquajtur Iskariot, që ishte një nga të dymbëdhjetët.
Lluka 22:4
Kështu ai shkoi të merret vesh me krerët e priftërinjve e dhe me krerët e rojës për mënyrën se si do ta tradhtonte.
Lluka 22:5
Ata u gëzuan dhe i premtuan t`i japin para.
Lluka 22:6
Dhe ai pranoi dhe kërkonte rastin e volitshëm për t`ua dorëzuar pa qenë e pranishme turma.
Lluka 22:7
Tani erdhi dita e të Ndormëve, kur duhet therur flijimi i Pashkës.
Lluka 22:8
Dhe Jezusi dërgoi Pjetrin dhe Gjonin duke u thënë: "Shkoni e na bëni gati Pashkën, që ne ta hamë".
Lluka 22:9
Dhe ata e thanë: "Ku dëshiron ta përgatisim?".
Lluka 22:10
Atëherë ai tha atyre: "Ja, kur të hyni në qytet, do t`ju dalë përpara një njeri që mban një brokë uji; ndiqeni në shtëpinë ku ai do të hyjë.
Lluka 22:11
I thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi të çon fjalë: Ku është salla, në të cilën mund të ha Pashkën bashkë me dishepujt e mi?".
Lluka 22:12
Atëherë ai do t`ju tregojë një sallë të madhe të shtruar; aty do të bëni përgatitjet".
Lluka 22:13
Ata shkuan, pra, dhe gjetën ashtu siç u tha dhe përgatitën Pashkën.
Lluka 22:14
Dhe, kur erdhi ora, ai u ul në tryezë dhe bashkëmetë dymbëdhjetë apostujt.
Lluka 22:15
Atëherë ai u tha atyre: "Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë Pashkë bashkë me ju, para se të vuaj,
Lluka 22:16
sepse po ju them se nuk do të ha më të tillë derisa ajo të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë".
Lluka 22:17
Pastaj mori kupën, falenderoi, dhe tha: "Merrnie këtë dhe ndanie midis jush,
Lluka 22:18
sepse unë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë derisa të vijë mbretëria e Perëndisë".
Lluka 22:19
Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: "Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim".
Lluka 22:20
Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: "Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju.
Lluka 22:21
Por ja, dora e atij që më tradhton është me mua mbi tryezë.
Lluka 22:22
Sigurisht Biri i njeriut shkon, siç është caktuar, por mjerë ai njeri me anë të cilit është tradhëtuar!".
Lluka 22:23
Atëherë ata filluan ta pyesin njëri-tjetrin se kush nga ata do ta bënte këtë gjë.
Lluka 22:24
Dhe midis tyre lindi edhe një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi.
Lluka 22:25
Por Jezusi u tha atyre: "Mbretërit e kombeve i sundojnë ato, dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to quhen bamirës.
Lluka 22:26
Por me ju mos qoftë kështu; madje më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben.
Lluka 22:27
Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s`është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben.
Lluka 22:28
Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia.
Lluka 22:29
Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im,
Lluka 22:30
që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni mbi frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
Lluka 22:31
Edhe Zoti tha: "Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t`ju shoshë ashtu siç shoshet gruri.
Lluka 22:32
Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu".
Lluka 22:33
Por ai tha: "Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje".
Lluka 22:34
Por Jezusi tha: "Pjetër, unë të them se sot gjeli nuk do të këndojë, para se ti të kesh mohuar tri herë se më njeh".
Lluka 22:35
Pastaj u tha atyre: "Kur ju dërgova pa trasta, pa thes dhe pa sandale, vallë a ju mungoi gjë?". Dhe ata thanë: "Asgjë".
Lluka 22:36
U tha, pra, atyre: "Po tani, kush ka një trastë le ta marrë me vete, dhe po kështu thesin; dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një.
Lluka 22:37
Sepse unë po ju them se çfarë është shkruar duhet të plotësohet ende në mua: "Dhe ai është radhitur ndër keqbërësit". Sepse ato gjëra që janë shkruar për mua do të kenë kryerjen e tyre".
Lluka 22:38
Atëherë ata thanë: "Zot, ja këtu dy shpata". Por ai u tha atyre "Mjaft!".
Lluka 22:39
Pastaj Jezusi doli dhe shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, dhe edhe dishepujt e tij e ndiqnin.
Lluka 22:40
Kur arriti në vend, u tha atyre: "Lutuni që të mos hyni në tundim".
Lluka 22:41
Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunj dhe lutej,
Lluka 22:42
duke thënë: "O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti".
Lluka 22:43
Atëherë iu shfaq një engjëll nga qie-lli për t`i dhënë forcë.
Lluka 22:44
Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.
Lluka 22:45
Si u çua pastaj nga lutja, erdhi te dishepujt e vet dhe i gjeti që flinin nga trishtimi,
Lluka 22:46
dhe u tha atyre: "Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim".
Lluka 22:47
Ndërsa ai ende po fliste, ja një turmë; dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, i printe dhe iu afrua Jezusit për ta puthur.
Lluka 22:48
Dhe Jezusi i tha: "Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?".
Lluka 22:49
Atëherë ata që ishin përreth tij, duke parë çfarë do të ndodhte, i thanë: "Zot, a t`u biem me shpatë?".
Lluka 22:50
Dhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë.
Lluka 22:51
Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: "Lëreni, mjaft kështu". Dhe si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi.
Lluka 22:52
Pastaj Jezusi u tha krerëve të priftërinjve, krerëve të rojeve të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur kundër tij: "Keni dalë kundër meje me shpata dhe me shkopinj si kundër një kusari?
Lluka 22:53
Kur unë çdo ditë isha me ju në tempull, ju nuk vutë dorë kurrë mbi mua; por kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës".
Lluka 22:54
Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg.
Lluka 22:55
Kur ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij, Pjetri u ul midis tyre.
Lluka 22:56
Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: "Edhe ky ishte me të".
Lluka 22:57
Por ai e mohoi duke thënë: "O grua, nuk e njoh".
Lluka 22:58
Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: "Edhe ti je nga ata". Por Pjetri tha: "O njeri, nuk jam".
Lluka 22:59
Mbasi kaloi rreth një orë, një tjetër pohoi me këmbëngulje duke thënë: "Në të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të, sepse është Galileas".
Lluka 22:60
Por Pjetri tha: "O njeri, s`di ç`po thua". Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli.
Lluka 22:61
Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: "Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë".
Lluka 22:62
Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim.
Lluka 22:63
Ndërkaq njerëzit që e mbanin Jezusin e përqeshnin dhe e rrihnin.
Lluka 22:64
Dhe, mbasi ia mbuluan sytë, i binin në fytyrë dhe e pyetnin duke thënë: "Profetizo, kush është ai që të ra?".
Lluka 22:65
Dhe duke blasfemuar thoshin shumë gjëra të tjera kundër tij.
Lluka 22:66
Dhe, kur u bë ditë, u mblodhën pleqtë e popullit, kreret e prifterinjve dhe skribët dhe e çuan në sinedrin e tyre, duke thënë:
Lluka 22:67
"Në se ti je Krishti, na e thuaj". Por ai u tha atyre: "Edhe sikur t`jua thoja, nuk do ta besonit.
Lluka 22:68
Edhe sikur t`ju pyesja, ju nuk do të më përgjigjeshit dhe as nuk do të më linit të shkoja.
Lluka 22:69
Por tash e tutje Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e fuqisë së Perëndisë".
Lluka 22:70
Atëherë të gjithë thanë: "Je ti, pra, Biri i Perëndisë?". Dhe ai u tha atyre: "Ju thoni se unë jam".
Lluka 22:71
Atëherë ata thanë: "Ç`nevojë kemi akome për dëshmi? Ne vetë e dëgjuam nga goja e tij".