Kapitulli ka 38 vargje, lexim të këndshëm.
Kapitulli Paraprak Kapitulli i ArdhshëmLluka 21:1
Pastaj Jezusi i çoi sytë dhe pa pasanikët që qitnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit,
Lluka 21:2
dhe pa edhe një të ve të varfër që qiti dy pare të vogla
Lluka 21:3
dhe tha: "Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët.
Lluka 21:4
Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar".
Lluka 21:5
Pastaj, kur disa po flisnin për tempullin dhe vinin në pah se ishte i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta, ai tha:
Lluka 21:6
"Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar".
Lluka 21:7
Atëherë ata e pyetën duke thënë: "Mësues, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja se këto janë duke u kryer?".
Lluka 21:8
Dhe ai tha: "Ruhuni se mos ju mashtrojnë, sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim duke thënë: "Unë jam", dhe: "Erdhi koha". Mos shkoni, pra, pas tyre.
Lluka 21:9
Dhe kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë".
Lluka 21:10
Atëherë u tha atyre: "Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë;
Lluka 21:11
do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli.
Lluka 21:12
Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t`ju përndjekin dhe do t`ju dorëzojnë në sinagoga e do t`ju futin në burg; dhe do t`ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim,
Lluka 21:13
por kjo do t`ju japë rastin që të dëshmoni.
Lluka 21:14
Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t`u mbrojtur,
Lluka 21:15
sepse unë do t`ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t`i rezistojnë.
Lluka 21:16
Dhe ju madje do t`ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t`i vrasin.
Lluka 21:17
Dhe të gjithë do t`ju urrejnë për shkak të emrit tim.
Lluka 21:18
Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t`ju humbasë.
Lluka 21:19
Me durimin tuaj ju do t`i fitoni shpirtrat tuaj".
Lluka 21:20
"Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër.
Lluka 21:21
Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të.
Lluka 21:22
Sepse ato janë ditë të hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato gjëra që janë shkruar.
Lluka 21:23
Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëndin në ato ditë, sepse do të ketë mjerim të madh në vend dhe mëri mbi këtë popull.
Lluka 21:24
Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t`i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve".
Lluka 21:25
"Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij;
Lluka 21:26
njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfare do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden.
Lluka 21:27
Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe.
Lluka 21:28
Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër".
Lluka 21:29
Pastaj u tha atyre një shëmbëlltyrë: "Vini re fikun dhe të gjitha pemët.
Lluka 21:30
Kur ata nisin e mugullojnë, duke i parë, ju vete e kuptoni se vera është afër;
Lluka 21:31
kështu edhe ju, kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër.
Lluka 21:32
Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të kalojë ky brez, derisa të gjitha këto gjëra të kenë ndodhur.
Lluka 21:33
Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë".
Lluka 21:34
"Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi.
Lluka 21:35
Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut.
Lluka 21:36
Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut".
Lluka 21:37
Gjatë ditës ai mësonte në tempull, dhe natën dilte dhe e kalonte jashtë, në malin e Ullinjve.
Lluka 21:38
Dhe gjithë populli, herët në mëngjes, erdhi tek ai në tempull për ta dëgjuar.