Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Lluka, 19

Kapitulli ka 48 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Lluka 19:1
Pastaj Jezusi hyri në Jeriko dhe po kalonte nëpër qytet;
Lluka 19:2
dhe ja, një njeri i quajtur Zake, i cili ishte kryetari i tagrambledhësve dhe ishte i pasur.
Lluka 19:3
Ai kërkonte të shihte kush ishte Jezusi, por nuk mundte për shkak të turmës, sepse ishte i shkurtër nga shtati.
Lluka 19:4
Atëherë rendi përpara dhe u ngjit në një fik për ta parë, sepse ai duhet të kalonte andej.
Lluka 19:5
Dhe kur Jezusi arriti në atë vend, i çoi sytë, e pa dhe i tha: "Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde".
Lluka 19:6
Dhe ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim.
Lluka 19:7
Kur panë këtë, të gjithë murmuritën, duke thënë: "Ai shkoi të rrijë në shtëpinë e një njeriu mëkatar".
Lluka 19:8
Por Zakeu u çua dhe i tha Zotit: "Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t`ia kthej katërfish".
Lluka 19:9
Dhe Jezusi i tha: "Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
Lluka 19:10
Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur".
Lluka 19:11
Dhe, ndërsa ata po i dëgjonin këto, Jezusi vazhdoi të tregojë një shëmbëlltyrë, sepse ai ishte afër Jeruzalemit dhe ata mendonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë.
Lluka 19:12
Tha, pra: "Një njeri fisnik shkoi në një vend të largët për të marrë në dorëzim një mbretëri e pastaj të kthehej.
Lluka 19:13
Dhe, si i thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mina dhe u tha atyre: "Tregtoni deri sa të kthehem".
Lluka 19:14
Por qytetarët e vet e urrenin dhe i dërguan pas një përfaqësi duke thënë: "Nuk duam që ky të mbretërojë përmbi ne".
Lluka 19:15
Dhe kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t`i thërresin ata shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë paratë për të marrë vesh sa kishte fituar secili duke tregtuar.
Lluka 19:16
Atëherë doli i pari dhe tha: "Zot, mina jote dha dhjetë mina të tjera";
Lluka 19:17
dhe ai tha: "Mirë, o shërbëtor i mirë, sepse ke qenë besnik në gjëra të vogëla, merr sundimin mbi dhjetë qytete".
Lluka 19:18
Pastaj erdhi i dyti duke thënë: "Zot, mina jote dha edhe pesë mina";
Lluka 19:19
dhe ai i tha edhe këtij: "Edhe ti ji sundimtar mbi pesë qytete".
Lluka 19:20
Atëherë erdhi një tjetër i cili tha: "Zot, ja mina jote që e ruajta në një shami,
Lluka 19:21
sepse kisha frikë nga ti, që je njeri i rreptë; ti merr atë që nuk ke vënë dhe korr atë që nuk ke mbjellë".
Lluka 19:22
Dhe zoti i tij i tha: "Do të të gjykoj nga vetë fjalët e tua, o shërbëtor i keq; ti e dije se jam njeri i rreptë, që marr atë që nuk kam vënë dhe korr atë që nuk kam mbjellë;
Lluka 19:23
përse nuk e vure paranë time në bankë që, kur të kthehem, ta marr bashkë me përqindje?".
Lluka 19:24
Pastaj u tha të pranishmëve: "Merrjani minën dhe ia jepni atij që ka dhjetë mina".
Lluka 19:25
Dhe ata i thanë: "Zot, po ai ka dhjetë mina".
Lluka 19:26
Unë po ju them se atij që ka, do t`i jepet; por atij që s`ka do t`i hiqet edhe ajo që ka.
Lluka 19:27
Veç kësaj, i sillni këtu armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta dhe i vritni përpara meje!"".
Lluka 19:28
Mbasi tha këto gjëra, ai shkoi përpara duke u ngjitur në Jeruzalem.
Lluka 19:29
Dhe, si iu afrua Betfagës dhe Betanias, afër malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga dishepujt e vet,
Lluka 19:30
duke u thënë: "Shkoni në fshatin përballë dhe, kur të hyni, do të gjeni aty një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri; zgjidheni atë dhe ma sillni.
Lluka 19:31
Dhe nëse ndokush ju pyet: "Përse po e zgjidhni?", u thoni atyre kështu: "Zoti ka nevojë"".
Lluka 19:32
Dhe ata që ishin dërguar shkuan dhe e gjetën ashtu siç u kishte thënë.
Lluka 19:33
Dhe, ndërsa ata po e zgjidhnin kërriçin, të zotët e tij u thanë atyre: "Përse po e zgjidhni kërriçin?".
Lluka 19:34
Dhe ata thanë: "Zoti ka nevojë".
Lluka 19:35
Dhe e prunë, pra, te Jezusi dhe, mbasi i hidhnin rrobat e veta mbi kërriçin, e hipën Jezusin mbi të.
Lluka 19:36
Dhe, ndërsa ai ecte kështu përpara, ata shtronin rrobat e tyre në rrugë.
Lluka 19:37
Dhe kur ai iu afrua teposhtës së malit të Ullinjve, gjithë turma e dishepujve filloi me gëzim të lavdërojë Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e pushtetshme që kishin parë,
Lluka 19:38
duke thënë: "Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta".
Lluka 19:39
Dhe disa farisenj që ishin midis turmës i thanë: "Mësues, qorto dishepujt e tu!".
Lluka 19:40
Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: "Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin".
Lluka 19:41
Dhe kur ai po afrohej, e pa qytetin dhe qau mbi të,
Lluka 19:42
duke thënë: "Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë te nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu.
Lluka 19:43
Sepse përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët.
Lluka 19:44
Dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty; dhe s`do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar".
Lluka 19:45
Pastaj, mbasi hyri në tempull, filloi t`i dëbojë jashtë ata që shistin e blinin,
Lluka 19:46
duke u thënë atyre: "Është shkruar: "Shtëpia ime është shtëpi e lutjes, por ju e bëtë shpellë kusarësh"".
Lluka 19:47
Çdo ditë ai mësonte në tempull. Dhe krerët e priftërinjve, skribët dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin.
Lluka 19:48
Dhe nuk arrinin dot të vendosnin çfarë të bënin; sepse gjithë populli e dëgjonte me vemendje të madhe.