Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Lluka, 17

Kapitulli ka 37 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Lluka 17:1
Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: "Është e pamundur që të mos ndodhin skandale; por mjerë ai për faj të të cilit vijnë!
Lluka 17:2
Për të do të ishte më mirë t`i varnin në qafë një gur mulliri dhe ta hidhnin në det, se sa të skandalizojë një të vetëm nga këta të vegjël.
Lluka 17:3
Kini kujdes veten tuaj! Në se yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe në se pendohet, fale.
Lluka 17:4
Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje, dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: "Pendohem", fale".
Lluka 17:5
Atëherë apostujt i thanë Zotit: "Na e shto besimin".
Lluka 17:6
Dhe Zoti tha: "Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t`i thonit këtij mani: "Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det", dhe ai do t`ju bindej.
Lluka 17:7
Tani cili nga ju, po të ketë një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot kopenë, do t`i thotë kur ai kthehet nga fusha në shtëpi: "Eja menjëherë në tryezë"?
Lluka 17:8
A nuk do t`i thotë përkundrazi: "Ma bëj gati darkën, përvishu e më shërbe që unë të ha e të pi e pastaj të hash dhe të pish edhe ti"?
Lluka 17:9
Do ta falënderojë ndoshta atë shërbëtor sepse i zbatoi ato që i ishin urdhëruar? Mendoj se jo.
Lluka 17:10
Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: "Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënim"".
Lluka 17:11
Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile.
Lluka 17:12
Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrozë, të cilët ndaluan larg,
Lluka 17:13
dhe duke ngritur zërin, thanë: "Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne".
Lluka 17:14
Dhe ai, si i pa, u tha atyre: "Shkoni e paraqituni te priftërinjtë". Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.
Lluka 17:15
Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.
Lluka 17:16
Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan.
Lluka 17:17
Jezusi atëherë filloi të thotë: "A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?
Lluka 17:18
A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?".
Lluka 17:19
Dhe i tha atij: "Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi".
Lluka 17:20
Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai u përgjigj atyre dhe tha: "Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme;
Lluka 17:21
dhe as nuk do të mund të thuhet: "Ja, këtu", ose: "Ja, atje"; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush".
Lluka 17:22
Pastaj u tha dishepujve të vet: "Do të vijnë ditë kur ju do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.
Lluka 17:23
Dhe do t`ju thonë: "Ja, është këtu" ose: "Ja, është atje", por ju mos shkoni dhe mos i ndiqni.
Lluka 17:24
Sepse ashtu si rrufeja, që vetëtin nga njëri skaj i qiellit te tjetri e ndriçon, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij.
Lluka 17:25
Por më parë i duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez.
Lluka 17:26
Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.
Lluka 17:27
Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë.
Lluka 17:28
Po kështu ndodhi në kohën e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin;
Lluka 17:29
por ditën kur Loti doli nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i zhduku të gjithë.
Lluka 17:30
Kështu do të jetë edhe atë ditë kur Biri i njeriut do të shfaqet.
Lluka 17:31
Në atë ditë, ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë të mos zbresë në shtëpi për të marrë gjërat e tij; e po kështu ai që ndodhet në ara, të mos kthehet prapa.
Lluka 17:32
Kujtoni gruan e Lotit.
Lluka 17:33
Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë, do ta shpëtojë.
Lluka 17:34
Unë po ju them: atë natë dy veta do të jenë në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.
Lluka 17:35
Dy gra do të bluajnë bashkë; njëra do të merret e tjetra do të lihet.
Lluka 17:36
Dy burra do të jenë në ara: njëri do të merret e tjetri do të lihet".
Lluka 17:37
Atëherë dishepujt u përgjigjën dhe thanë: "Ku, o Zot?" Dhe ai u tha atyre: "Ku të jetë trupi, atje do të mblidhen shqiponjat".