Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Lluka, 13

Kapitulli ka 35 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Lluka 13:1
Pikërisht në atë kohë ishin aty disa që i treguan për ata Galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me flijimet e tyre.
Lluka 13:2
Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: "A mendoni ju se ata Galileas ishin më shumë mëkatarë nga gjithë Galileasit e tjerë, sepse vuajtën të tilla gjëra?
Lluka 13:3
Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë.
Lluka 13:4
Ose, a mendoni ju që ata të tetëmbëdhjetë, mbi të cilët ra kulla në Siloe dhe i vrau, ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e Jeruzalemit?
Lluka 13:5
Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë".
Lluka 13:6
Atëherë ai tha këtë shëmbëlltyrë: "Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij; ai erdhi e kërkoj fryte, por nuk gjeti.
Lluka 13:7
Atëherë i tha vreshtarit: "Ja, u bënë tre vjet tashmë që unë vij e kërkoi frytin e këtij fiku dhe s`po gjej; preje; pse të zërë kot tokën?".
Lluka 13:8
Por ai u përgjigj dhe tha: "Zot, lëre edhe këtë vit, që ta punoj përreth dhe t`i hedh pleh
Lluka 13:9
dhe, po dha fryt, mirë; përndryshe, pastaj do ta presësh"". Shërimi i një gruaje të paralizuar
Lluka 13:10
Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë.
Lluka 13:11
Dhe ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte krejt e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot.
Lluka 13:12
Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: "O grua, ti je e liruar nga lëngata jote".
Lluka 13:13
Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë.
Lluka 13:14
Por kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shtunë, iu drejtua turmës dhe i tha: "Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shtunë".
Lluka 13:15
Atëherë Zoti u përgjigj dhe tha: "Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju të shtunave nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin e ta çojë për të pirë?
Lluka 13:16
A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?".
Lluka 13:17
Dhe, kur ai thoshte këto gjëra, të gjithë kundërshtarët e tij mbetën të turpëruar, ndërsa mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte kryer.
Lluka 13:18
Atëherë ai tha: "Kujt i përngjan mbretëria e Perëndisë, me se ta krahasoj?
Lluka 13:19
I ngjan kokrrës së sinapit, që një njeri e mori dhe e hodhi në kopshtin e vet; pastaj u rrit dhe u bë një pemë e madhe, dhe zogjtë e qiellit erdhën e kërkuan strehë në degët e saj".
Lluka 13:20
Pastaj tha përsëri: "Me se ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë?
Lluka 13:21
Ajo i ngjan majasë që e merr një grua dhe e përzien me tri masa mielli deri sa të mbruhet i gjithë".
Lluka 13:22
Dhe ai kalonte nëpër qytete dhe fshatra duke mësuar, e kështu po i afrohej Jeruzalemit.
Lluka 13:23
Dhe një njeri e pyeti: "Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?". Ai u tha atyre:
Lluka 13:24
"Përpiquni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden.
Lluka 13:25
Kur i zoti i shtëpisë është çuar dhe ka mbyllur derën, ju atëherë, që keni mbetur jashtë, do të filloni të trokitni në derë duke thënë: "Zot, Zot, na e hap". Por ai, duke u përgjigjur, do të thotë: "Nuk e di nga vini".
Lluka 13:26
Atëherë do të filloni të thoni: "Po ne hëngrëm dhe pimë me ty dhe ti mësove ndër rrugët tona".
Lluka 13:27
Por ai do thotë: "Unë po ju them se nuk di nga vini; largohuni nga unë, të gjithë ju që bëni paudhësi".
Lluka 13:28
Atje do të jetë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh, kur të shihni Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa ju do të dëboheni përjashta.
Lluka 13:29
Dhe do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu dhe nga jugu, dhe do të ulen në tryezë në mbretërinë e Perëndisë.
Lluka 13:30
Dhe ja, disa ndër të fundit do të jenë të parët, dhe disa nga të parët do të jenë të fundit".
Lluka 13:31
Po në atë ditë disa farisenj erdhën dhe i thanë: "Nisu dhe largohu prej këtej, sepse Herodi do të të vrasë".
Lluka 13:32
Dhe ai u përgjigj atyre: "Shkoni e i thoni asaj dhelpre: "Ja, sot dhe nesër po dëboj demonë dhe kryej shërime, dhe të tretën ditë po i jap fund punës sime".
Lluka 13:33
Por sot, nesër e pasnesër më duhet të ec, sepse nuk mundet që një profet të vdesë jashtë Jeruzalemit.
Lluka 13:34
Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetet dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë desha t`i mbledh bijtë e tu sikurse klloçka i mbledh nën krahë zogjtë e vet, por ju nuk deshët!
Lluka 13:35
Ja, shtëpia juaj ju lihet e shkretë. Dhe unë po ju them se nuk do të më shihni më deri sa të vijë koha të thoni: "Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit"".