Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Lluka, 10

Kapitulli ka 42 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Lluka 10:1
Pastaj Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte.
Lluka 10:2
Dhe u thoshte atyre: "E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet.
Lluka 10:3
Shkoni; ja, unë ju dërgoj si qengja në mes të ujqërve.
Lluka 10:4
Mos merrni me vete as çanta, as trasta, as sandale dhe mos përshëndetni asnjeri rrugës.
Lluka 10:5
Dhe në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: "Paqe në këtë shtëpi".
Lluka 10:6
Dhe nëse është aty një bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet tek ju.
Lluka 10:7
Rrini, pra, në të njëjtën shtëpi, hani dhe pini atë që do t`ju japin, sepse punëtori meriton shpërblimin e vet. Mos kaloni nga një shtëpi në një tjetër.
Lluka 10:8
Dhe në çdo qytet ku të hyni, nëse ju pranojnë, hani çfarë t`ju vënë përpara.
Lluka 10:9
Dhe shëroni të sëmurit që do të jenë në të dhe u thoni atyre: "Mbretëria e Perëndisë ju është afruar".
Lluka 10:10
Por në çdo qytet ku të hyni, nëse nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij dhe thoni:
Lluka 10:11
"Ne po shkundim kundër jush edhe pluhurin e qytetit tuaj që na u ngjit; veç ta dini se mbretëria e Perëndisë ju është afruar".
Lluka 10:12
Unë ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë sesa ai qytet.
Lluka 10:13
Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaida! Sepse, po të ishin bërë në Tiro dhe në Sidon mrekullitë që u bënë te ju, ata prej kohësh do të kishin bërë pendesë duke u veshur me thasë dhe duke u ulur në hi.
Lluka 10:14
Prandaj ditën e gjyqit Tiro dhe Sidoni do ta kenë më lehtë se ju.
Lluka 10:15
Dhe ti, Kapernaum, që të kanë ngritur deri në qiell, do të poshtërohesh deri në ferr.
Lluka 10:16
Kush ju dëgjon, më dëgjon mua; kush ju përbuz, më përbuz mua; dhe kush më përbuz, përbuz atë që më ka dërguar".
Lluka 10:17
Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: "Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd".
Lluka 10:18
Dhe ai u tha atyre: "Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe.
Lluka 10:19
Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t`ju dëmtojë.
Lluka 10:20
Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej".
Lluka 10:21
Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frym dhe tha: "Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu ty të pëlqeu.
Lluka 10:22
Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t`ia zbulojë".
Lluka 10:23
Pastaj, si u kthye nga dishepujt, u tha atyre veçmas: "Lum sytë që shohin ato që shihni ju,
Lluka 10:24
sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan".
Lluka 10:25
Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: "Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?".
Lluka 10:26
Dhe ai tha: "Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?".
Lluka 10:27
Ai duke u përgjigjur tha: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten".
Lluka 10:28
Jezusi i tha: "U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh".
Lluka 10:29
Por ai, duke dashur të justifikonte veten, i tha Jezusit: "Po kush është i afërmi im?".
Lluka 10:30
Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: "Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.
Lluka 10:31
Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër.
Lluka 10:32
Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër.
Lluka 10:33
Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.
Lluka 10:34
Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.
Lluka 10:35
Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç`të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem".
Lluka 10:36
Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?".
Lluka 10:37
Dhe ai tha: "Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij". Atëherë Jezusi i tha: "Shko dhe bëj kështu edhe ti".
Lluka 10:38
Ndodhi që, ndërsa ata po udhëtonin, Jezusi hyri në një fshat; dhe një grua, që e kishte emrin Marta, e priti në shtëpinë e vet.
Lluka 10:39
Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij.
Lluka 10:40
Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: "Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë".
Lluka 10:41
Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: "Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra;
Lluka 10:42
por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t`i hiqet".