Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Gjoni, 9

Kapitulli ka 41 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Gjoni 9:1
Kur po kalonte, pa një njeri që ishte i verbër që nga lindja.
Gjoni 9:2
Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: "Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?".
Gjoni 9:3
Jezusi u përgjigj: "As ai, as prindërit e tij s`kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë.
Gjoni 9:4
Unë duhet t`i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë.
Gjoni 9:5
Derisa jam në botë, unë jam drita e botës".
Gjoni 9:6
Pasi kishte thënë këto gjëra, pështyu përdhe, bëri baltë me pështymë dhe leu sytë e të verbrit me të.
Gjoni 9:7
Pastaj i tha: "Shko, lahu në pellgun e Siloamit" (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë.
Gjoni 9:8
Atëherë fqinjtë dhe ata që më parë e kishin parë të verbër, thanë: "A s`është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?".
Gjoni 9:9
Disa thoshnin: "Ai është". Të tjerë: "I përngjan atij". Dhe ai thoshte: "Unë jam".
Gjoni 9:10
I thanë pra: "Si të janë hapur sytë?".
Gjoni 9:11
Ai u përgjigj dhe tha: "Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m`i leu sytë dhe më tha: "Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu". Dhe unë shkova atje, u lava dhe m`u kthye drita e syve".
Gjoni 9:12
Dhe ata i thanë: "Ku është ai?". Ai u përgjigj: "Nuk e di".
Gjoni 9:13
Atëherë ata e çuan te farisenjtë atë që më parë kishte qenë i verbër.
Gjoni 9:14
Dhe ishte e shtunë kur Jezusi bëri baltën dhe ia hapi sytë.
Gjoni 9:15
Edhe farisenjtë, pra, e pyesnin përsëri si e fitoi dritën e syve. Dhe ai u tha atyre: "Më vuri baltë mbi sy, u lava dhe shoh".
Gjoni 9:16
Atëherë disa farisenj thanë: "Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën!". Të tjerë thoshnin: "Si mund të kryejë shenja të tilla një njeri mëkatar?". Dhe kishte përçarje midis tyre.
Gjoni 9:17
E pyetën, pra, përsëri të verbrin: "Po ti, ç`thua për atë për faktin që t`i ka hapur sytë?". Ai tha: "Është një profet".
Gjoni 9:18
Por Judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se kishte fituar dritën e syve, derisa thirrën prindërit e atij që kishte fituar dritën e syve.
Gjoni 9:19
Dhe i pyetën ata: "A është ky djali juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Vallë si sheh tani?".
Gjoni 9:20
Prindërit e tij, duke u përgjigjur atyre, thanë: "E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër,
Gjoni 9:21
por ne nuk dimë se si sheh tani ose se kush ia ka hapur sytë; pyeteni atë; ai moshë ka, do t`ju flasë për veten e vet".
Gjoni 9:22
Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga Judenjtë; sepse Judenjtë kishin vendosur që, nëse dikush do ta rrëfente Jezusin si Krishti, do të përjashtohej nga sinagoga.
Gjoni 9:23
Prandaj prindërit e tij thanë: "Moshë ka, pyeteni atë".
Gjoni 9:24
Atëherë ata e thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: "Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ai njeri është mëkatar".
Gjoni 9:25
Ai atëherë u përgjigj dhe tha: "Në është mëkatar, nuk e di, por di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh".
Gjoni 9:26
E pyetën përsëri: "Ç`të bëri? Si t`i ka hapur sytë?".
Gjoni 9:27
Ai u përgjigj atyre: "Unë tashmë ua kam thënë dhe ju nuk keni dëgjuar; pse doni ta dëgjoni përsëri? Doni ndoshta të bëheni edhe ju dishepuj të tij?".
Gjoni 9:28
Por ata e fyen dhe thanë: "Ti je dishepull i tij, por ne jemi dishepuj të Moisiut!
Gjoni 9:29
Ne e dimë se Perëndia i foli Moisiut; sa për atë, nuk e dimë se nga është".
Gjoni 9:30
Ai njeri u përgjigj dhe u tha atyre: "E pra, është e çuditshme që ju të mos dini nga është ai; megjithatë ai m`i hapi sytë!
Gjoni 9:31
Dhe ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por nëse dikush është i druajtshëm ndaj Perëndisë dhe bën vullnetin e tij, ai atë e dëgjon!
Gjoni 9:32
Që prej fillimit të botës nuk është dëgjuar që dikush t`ia ketë hapur sytë një të linduri të verbër.
Gjoni 9:33
Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë".
Gjoni 9:34
Ata u përgjigjën dhe i thanë: "Ti ke lindur i tëri në mëkate e don të na mësosh?". Dhe e nxorën jashtë.
Gjoni 9:35
Jezusi e mori vesh se e nxorën jashtë dhe, kur e gjeti, i tha: "A beson ti në Birin e Perëndisë?".
Gjoni 9:36
Ai u përgjigj dhe tha: "Kush është, Zot, që unë të besoj në të?".
Gjoni 9:37
Dhe Jezusi i tha: "Ti e ke parë; është pikërisht ai që po të flet".
Gjoni 9:38
Atëherë ai tha: "Unë besoj, o Zot"; dhe e adhuroi.
Gjoni 9:39
Pastaj Jezusi tha: "Unë kam ardhur në këtë botë për të bërë një gjyq, që ata që nuk shohin të shohin dhe ata që shohin të verbohen".
Gjoni 9:40
Disa nga farisenjtë që ishin me të i dëgjuan këto gjëra dhe i thanë: "Jemi të verbër edhe ne?".
Gjoni 9:41
Jezusi u përgjigj atyre: "Po të ishit të verbër, nuk do të kishit asnjë mëkat; por tani thoni: "Ne shohim", prandaj mëkati juaj mbetet".