Kapitulli ka 38 vargje, lexim të këndshëm.
Kapitulli Paraprak Kapitulli i ArdhshëmMateu 9:1
Dhe ai, pasi hipi në barkë, kaloi në bregun tjetër dhe erdhi në qytetin e vet.
Mateu 9:2
Dhe ja, iu paraqit një paralitik i shtrirë në vig; dhe Jezusi, kur pa besimin që kishin ata, i tha paralitikut: "Merr zemër, o bir, mëkatet e tua të janë falur!"
Mateu 9:3
Atëherë disa skribë thanë me vete: "Ky po blasfemon!".
Mateu 9:4
Por Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, tha: "Pse mendoni gjëra të mbrapështa në zemrat tuaja?
Mateu 9:5
Në fakt, ç`është më e lehtë, të thuash: "Mëkatet e tua të janë falur", apo: "Çohu dhe ec"?
Mateu 9:6
Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet: Çohu (i tha paralitikut), merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde".
Mateu 9:7
Dhe ai u çua dhe shkoi në shtëpinë e vet.
Mateu 9:8
Turmat, kur e panë këtë, u çuditën dhe lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve.
Mateu 9:9
Pastaj Jezusi, duke shkuar tutje, pa një burrë që rrinte në doganë, i quajtur Mate, dhe i tha: "Ndiqmë!". Dhe ai u çua dhe e ndoqi.
Mateu 9:10
Dhe ndodhi që, kur Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, erdhën shumë tagrambledhës dhe mëkatarë dhe u ulën në tryezë bashkë me të dhe me dishepujt e tij.
Mateu 9:11
Farisenjtë, kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: "Pse Mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?".
Mateu 9:12
Jezusi, mbasi i dëgjoi, u tha atyre: "Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.
Mateu 9:13
Tani shkoni dhe mësoni ç`do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime". Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët".
Mateu 9:14
Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit dhe i thanë: "Pse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?".
Mateu 9:15
Dhe Jezusi u tha atyre: "A mund të mbajnë zi dasmorët, ndërsa dhëndërri është midis tyre? Por do të vijë koha kur do t`ua marrin dhëndërrin dhe atëherë ata do të agjërojnë.
Mateu 9:16
Askush nuk vë një copë prej stofi të ri mbi një petk të vjetër, sepse kështu arna bie dhe grisja bëhet më e madhe.
Mateu 9:17
Dhe as nuk shtihet vera e re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët shpohen, vera derdhet dhe kacekët humbin; por shtihet vera e re në kacekë të rinj, kështu që ruhen të dy".
Mateu 9:18
Ndërsa Jezusi u thoshte këto, iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe i tha: "Sapo më vdiq vajza, por eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë".
Mateu 9:19
Dhe Jezusi u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij.
Mateu 9:20
Dhe ja një grua, e cila vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga një fluks gjaku, iu afrua nga mbrapa dhe i preku cepin e rrobes së tij.
Mateu 9:21
Sepse thoshte me vete: "Po të prek vetëm rroben e tij, do të shërohem".
Mateu 9:22
Jezusi u kthye, e pa dhe tha: "Merr zemër, o bijë; besimi yt të ka shëruar". Dhe që në atë çast gruaja u shërua.
Mateu 9:23
Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën që zhurmonte,
Mateu 9:24
u tha atyre: "Largohuni, sepse vajza nuk ka vdekur, por fle". Dhe ata e përqeshnin.
Mateu 9:25
Pastaj, kur turmën e nxorën jashtë, ai hyri, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit.
Mateu 9:26
Fama e kësaj u përhap në mbarë atë vend.
Mateu 9:27
Dhe ndërsa Jezusi po largohej prej andej, dy të verbër e ndiqnin duke bërtitur dhe duke thënë: "Ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!".
Mateu 9:28
Kur arriti në shtëpi, të verbërit iu afruan dhe Jezusi u tha atyre: "A besoni ju se unë mund ta bëj këtë gjë?". Ata iu përgjigjën: "Po, o Zot".
Mateu 9:29
Atëherë ai ua preku sytë, duke thënë: "U bëftë sipas besimit tuaj".
Mateu 9:30
Dhe atyre iu hapën sytë. Pastaj Jezusi i urdhëroi rreptësisht duke thënë: "Ruhuni se mos e merr vesh njeri".
Mateu 9:31
Por ata, sapo dolën, e përhapën famën e tij në mbarë atë vend.
Mateu 9:32
Dhe, kur ata po dilnin, i paraqitën një burrë memec dhe të demonizuar.
Mateu 9:33
Dhe, mbasi e dëboi demonin, memeci foli dhe turmat u çuditën dhe thanë: "Nuk është parë kurrë një gjë e tillë në Izrael".
Mateu 9:34
Por farisenjtë thonin: "Ai i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve!".
Mateu 9:35
Dhe Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.
Mateu 9:36
Duke parë turmat, kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari.
Mateu 9:37
Atëherë ai u tha dishepujve të vet: "E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak.
Mateu 9:38
Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij".