Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Gjoni, 7

Kapitulli ka 53 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Gjoni 7:1
Pas këtyre gjërave, Jezusi përshkoi Galilenë, sepse nuk donte të endej nëpër Jude, nga që Judenjtë kërkonin ta vrisnin.
Gjoni 7:2
Por festa e Judenjve, ajo e Tabernakujve ishte afër.
Gjoni 7:3
Prandaj vëllezërit e tij i thanë: "Nisu prej këndej dhe shko në Jude, që edhe dishepujt e tu t`i shohin veprat që ti bën.
Gjoni 7:4
Askush në fakt nuk bën asgjë në fshehtësi kur kërkon të nijhet botërisht; kur ti do të bësh gjëra të tilla, tregohu botës!".
Gjoni 7:5
Në fakt as vëllezërit e tij nuk besonin në të.
Gjoni 7:6
Atëherë Jezusi u tha aytre: "Koha ime nuk ka ardhur ende; por koha juaj është gjithmonë gati.
Gjoni 7:7
Bota nuk mund t`ju urrejë juve, por më urren mua sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të mbrapshta.
Gjoni 7:8
Ngjituni ju në këtë festë; unë nuk po ngjitem ende në këtë festë, sepse koha ime ende nuk është plotësuar".
Gjoni 7:9
Dhe si u tha atyre këto gjëra, mbeti në Galile.
Gjoni 7:10
Mbasi vëllezërit e tij u ngjitën në festë, atëherë edhe ai u ngjit atje, jo haptas, por si fshehurazi.
Gjoni 7:11
Judenjtë, pra, e kërkonin gjatë festës dhe thoshnin: "Ku është ai?".
Gjoni 7:12
Në turmë pëshpëritej shumë për të; disa thoshnin: "Ai është i mirë!". Të tjerë thoshnin: "Jo, madje ai e mashtron popullin".
Gjoni 7:13
Por askush nuk fliste haptas për të, nga druajtja e Judenjve.
Gjoni 7:14
Por, aty nga mesi i festës, Jezusi u ngjit në tempull dhe mësonte.
Gjoni 7:15
Dhe Judenjtë mrrekulloheshin duke thënë: "Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?".
Gjoni 7:16
Jezusi atëherë iu përgjigj atyre dhe tha: "Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar.
Gjoni 7:17
Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime.
Gjoni 7:18
Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë, dhe në të nuk ka padrejtësi.
Gjoni 7:19
A nuk jua ka dhënë Moisiu ligjin? E pra, asnjë nga ju nuk e vë në praktikë ligjin. Pse kërkoni të më vritni?".
Gjoni 7:20
Turma u përgjigj dhe tha: "Ti ke një demon; kush kërkon të të vrasë?".
Gjoni 7:21
Jezusi u përgjigj dhe u tha: "Unë bëra një vepër dhe ju të gjithë jeni të mreku-lluar.
Gjoni 7:22
Prandaj Moisiu iu dha rrethprerjen (ajo nuk është prej Moisiut, por prej etërve); dhe ju e rrethpritni një njeri të shtunën.
Gjoni 7:23
Në qoftë se një njeri merr rrethprerjen të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, ju zemëroheni kundër meje sepse shërova tërësishtë një njeri të shtunën?
Gjoni 7:24
Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë!"
Gjoni 7:25
Atëherë disa nga Jeruzalemi thanë: "A nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin?
Gjoni 7:26
E megjithatë ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë asgjë; mos kanë njohur krerët me të vërtetë se ai është Krishti?
Gjoni 7:27
Por ne e dimë se nga është ai; ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë se nga është".
Gjoni 7:28
Atëherë Jezusi, duke mësuar në tempull, thirri dhe tha: "Ju më njihni dhe e dini se nga jam, megjithatë unë s`kam ardhur nga vetja, por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe ju nuk e njihni.
Gjoni 7:29
Por unë atë e njoh, sepse jam nga ai dhe ai më dërgoi".
Gjoni 7:30
Prandaj ata kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij s`kishte ardhur akoma.
Gjoni 7:31
Por shumë veta nga turma besuan në të dhe thoshnin: "Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?".
Gjoni 7:32
Farisenjtë dëgjuan turmën duke pëshpëritur këto gjëra për të; prandaj farisenjtë dhe krerët e priftërinjve dërguan roje për ta kapur.
Gjoni 7:33
Atëherë Jezusi u tha atyre: "Unë jam edhe për pak kohë me ju, pastaj do të shkoj tek ai që më ka dërguar.
Gjoni 7:34
Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni; dhe atje ku do të jem unë, ju nuk do të mund të vini".
Gjoni 7:35
Prandaj Judenjtë thonin në mes tyre: "Ku do të shkojë ky që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë midis Grekëve, dhe të mësojë Grekët?
Gjoni 7:36
Çfarë deshi të thoshte kur tha: "Ju do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni"; dhe: "Atje ku do të jem unë, ju nuk mund të vini"?".
Gjoni 7:37
Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: "Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.
Gjoni 7:38
Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë".
Gjoni 7:39
Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.
Gjoni 7:40
Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshnin: "Ky është me të vërtetë Profeti!".
Gjoni 7:41
Të tjerë thoshnin: "Ky është Krishti". Kurse të tjerë thoshnin: "Vallë nga Galilea vjen Krishti?
Gjoni 7:42
A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?".
Gjoni 7:43
Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.
Gjoni 7:44
Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.
Gjoni 7:45
Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: "Pse nuk e sollët?".
Gjoni 7:46
Rojet u përgjigjen: "Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri".
Gjoni 7:47
Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: "Mos u gënjyet edhe ju?
Gjoni 7:48
Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të?
Gjoni 7:49
Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar".
Gjoni 7:50
Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre:
Gjoni 7:51
"Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç`ka bërë ai?".
Gjoni 7:52
Ata u përgjigjën dhe i thanë: "Mos je edhe ti nga Galilea? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galilea s`ka dalë kurrë profet".
Gjoni 7:53
Dhe secili u kthye në shtëpinë e vet.