Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Kantiku i Kantikëve, 7

Kapitulli ka 13 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Kantiku i Kantikëve 7:1
Sa të bukura janë këmbët e tua në këpucë, o bija e princit! Pjesët e rrumbullakta të ijëve të tua janë si stolira, vepër e dorës së një artisti.
Kantiku i Kantikëve 7:2
Kërthiza jote është një kupë e rrumbullakët, ku nuk mungon kurrë vera aromatike. Barku yt është një tog gruri, i rrethuar nga zambakë.
Kantiku i Kantikëve 7:3
Dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjel, binjake të gazelave.
Kantiku i Kantikëve 7:4
Qafa jote është si një kullë fildishi, sytë e tu janë si ato të pellgjeve të Heshbonit pranë portës së Bath-Rabimit. Hunda jote është si kulla e Libanit, që shikon në drejtim të Damaskut.
Kantiku i Kantikëve 7:5
Koka jote lartohet mbi ty si Karmeli dhe flokët e kokës sate janë purpur; një mbret u zu rob i gërshetave të tua.
Kantiku i Kantikëve 7:6
Sa e bukur je dhe sa e hijshme je, o e dashura ime, me të gjitha ëndjet që siguron!
Kantiku i Kantikëve 7:7
Shtati yt është i njëllojtë me atë të palmës dhe sisët e tua janë si vile.
Kantiku i Kantikëve 7:8
Kam thënë: "Do të ngjitem mbi palmë dhe do të kap degët e saj". Qofshin sisët e tua si vilet e rrushit, aroma e frymës sate si ajo e mollëve,
Kantiku i Kantikëve 7:9
dhe të puthurat e gojës sate si një verë e zgjedhur, që zbret ëmbël për të kënaqur dëshirën time, duke çikur shumë lehtë buzët e atij që fle.
Kantiku i Kantikëve 7:10
Unë jam e të dashurit tim dhe ai më dëshiron.
Kantiku i Kantikëve 7:11
Eja, i dashuri im, le të dalim nëpër fusha, ta kalojmë natën nëpër fshatra!
Kantiku i Kantikëve 7:12
Të çohemi shpejt në mëngjes për të shkuar në vreshtat dhe për të parë në qoftë se vreshti ka lëshuar llastarë, në se kanë çelur lulet e tij dhe në se shegët kanë lulëzuar. Aty do të jap dashurinë time.
Kantiku i Kantikëve 7:13
Madërgonat përhapin aromën e tyre dhe mbi portat tona ka fryte të zgjedhura të çdo lloji, të freskëta dhe të thata, që i kam ruajtur për ty, i dashuri im.