Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Fjalët e Urta, 6

Kapitulli ka 35 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Fjalët e Urta 6:1
Biri im, në qoftë se je bërë garant për të afërmin tënd, në rast se ke dhënë dorën si garanci për një të huaj,
Fjalët e Urta 6:2
je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je zënë nga fjalët e gojës sate.
Fjalët e Urta 6:3
Bëj këtë, pra, biri im, dhe shpengohu, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd. Shko, hidhu në këmbët e tij dhe ngul këmbë me të madhe te i afërmi yt.
Fjalët e Urta 6:4
Mos u jep gjumë syve të tu as çlodhje qepallave të tua;
Fjalët e Urta 6:5
çlirohu si gazela nga dora e gjahtarit, si zogu nga dora e atij që kap zogjtë.
Fjalët e Urta 6:6
Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë.
Fjalët e Urta 6:7
Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot;
Fjalët e Urta 6:8
e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes.
Fjalët e Urta 6:9
Deri kur, o përtac, do të rrish duke fjetur? Kur do të shkundesh nga gjumi yt?
Fjalët e Urta 6:10
Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t`u çlodhur,
Fjalët e Urta 6:11
kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur.
Fjalët e Urta 6:12
Njeriu pa vlerë, njeriu i keq, ecën me një gojë të çoroditur;
Fjalët e Urta 6:13
luan syrin, flet me këmbët, bën shenja me gishta;
Fjalët e Urta 6:14
ka ligësi në zemër, kurdis vazhdimisht të keqen dhe mbjell grindje.
Fjalët e Urta 6:15
Prandaj shkatërrimi i tij do të vijë papritur, në një çast do të shkatërrohet pa rrugëdalje tjetër.
Fjalët e Urta 6:16
Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të:
Fjalët e Urta 6:17
sytë krenare, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm,
Fjalët e Urta 6:18
zemra që kurdis plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes,
Fjalët e Urta 6:19
dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra dhe ai që shtie grindje midis vëllezërve.
Fjalët e Urta 6:20
Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate.
Fjalët e Urta 6:21
Mbaji vazhdimisht të lidhura në zemrën tënde dhe fiksoji rreth qafës sate.
Fjalët e Urta 6:22
Kur do të ecësh, do të të udhëheqin; kur të pushosh, do të të ruajnë; kur të zgjohesh, do të flasin me ty.
Fjalët e Urta 6:23
Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës,
Fjalët e Urta 6:24
për të të mbrojtur nga gruaja e keqe, nga lajkat e gjuhës të gruas së huaj.
Fjalët e Urta 6:25
Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj.
Fjalët e Urta 6:26
Sepse për një prostitutë burri katandiset për një copë bukë, dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri.
Fjalët e Urta 6:27
A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit?
Fjalët e Urta 6:28
A mund të ecë burri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij?
Fjalët e Urta 6:29
Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri; kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
Fjalët e Urta 6:30
Nuk përçmohet hajduti që vjedh për të shuar urinë kur është i uritur;
Fjalët e Urta 6:31
por në rast se kapet në faj, duhet të kthejë shtatëfishin, dhe të japë tërë pasurinë e shtëpisë së tij.
Fjalët e Urta 6:32
Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij.
Fjalët e Urta 6:33
Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t`i hiqet kurrë.
Fjalët e Urta 6:34
sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes.
Fjalët e Urta 6:35
Ai nuk do të pranojë asnjë shpërblim dhe nuk do të kënaqet, edhe sikur t`i bëjnë shumë dhurata.