Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Isaia, 47

Kapitulli ka 15 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Isaia 47:1
"Zbrit dhe ulu në pluhur, o e virgjër bijë e Babilonisë. Ulu në tokë, pa fron, o bijë e Kaldeasve, sepse nuk do të quajnë më të brishtë dhe të njomë.
Isaia 47:2
Vër dorën mbi mokrën dhe bluaj miellin; lëvize velin tënd, ngrije bishtin e fustanit, zbulo këmbën dhe kalo lumenjtë.
Isaia 47:3
Lakuriqësia jote do të zbulohet dhe do të shihet gjithashtu turpi yt; do të hakmerrem dhe asnjeri nuk do të ndërhyjë".
Isaia 47:4
Shpëtimtari ynë, emri i të cilit është Zoti i ushtrive, është i Shenjti i Izraelit.
Isaia 47:5
"Ulu në heshtje dhe shko në terr, o bijë e Kaldeasve, sepse nuk do të të quajnë më zonjë të mbretërive.
Isaia 47:6
Jam zemëruar me popullin tim, kam përdhosur trashëgiminë time dhe i kam dhënë në pushtetin tënd, por ti nuk ke perdorur për ta kurrfarë mëshire; zgjedhën tënde e ushtrove sidomos mbi të moshuarit,
Isaia 47:7
dhe the: "Unë do të jem zonjë përjetë", dhe kështu nuk i vure këto gjëra në zemër dhe nuk more parasysh fundin e gjithë kësaj ngjarjeje.
Isaia 47:8
Por tani dëgjo, o epshndjellëse, që banon në një vend të sigurt dhe thua në zemrën tënde: "Unë, dhe asnjë tjetër! Nuk do të mbetem kurrë e ve dhe s`kam për të njohur humbjen e fëmijëve".
Isaia 47:9
Por këto dy gjëra do të të ndodhin në një çast, në po atë ditë: humbja e fëmijëve dhe vejëria; do të të bien plotësisht mbi kurriz, për shkak të numrit të madh të magjive të tua dhe për morinë e yshtjeve të tua.
Isaia 47:10
Ti kishe besim në djallëzinë tënde dhe thoje: "Askush nuk më sheh". Dituria jote dhe njohuritë e tua të kanë mashtruar, dhe ti thoje në zemrën tënde:
Isaia 47:11
"Unë dhe askush tjetër". Prandaj do të të vijë një fatkeqësi dhe nuk do të dish se nga të vjen; do të bjerë një fatkeqësi, që nuk do të jesh në gjendje ta shmangësh me asnjë lloj shlyerje; do të bjerë papritmas në trup një shkatërrim, që nuk e ke parashikuar.
Isaia 47:12
Rri tani me yshtjet e tua dhe me morinë e magjive të tua me të cilat je lodhur që në rininë tënde. Ndofta do të nxjerrësh prej tyre ndonjë përfitim, ndofta do të arrish të ndjellësh frikë.
Isaia 47:13
Je lodhur me turmën e këshilltarëve të tu; le të ngrihen, pra, astrologët, ata që studiojnë yjet dhe bëjnë parashikime çdo muaj dhe le të të shpëtojnë nga gjërat që do të bien në kurriz.
Isaia 47:14
Ja, ato do të jenë si kashta; zjarri do t`i harrxhojë. Nuk do të shpëtojnë veten e tyre nga fuqia e flakës; nuk do të ketë prush për t`u ngrohur, as zjarr para të cilit të ulesh.
Isaia 47:15
Kështu do të jenë ata me të cilët je munduar dhe ke dhënë e ke marrë që në rininë tënde. Secili do të rravgojë për llogari të vet, dhe askush nuk do të të shpëtojë".