Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Ezekieli, 45

Kapitulli ka 25 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Ezekieli 45:1
"Kur ta ndani me short vendin në trashëgimi, ju do të vini mënjanë, si ofertë për Zotin, një pjesë të shenjtë të vendit, të gjatë njëzet e pesëmijë kubitë dhe të gjërë dhjetëmijë; do të jetë e shenjtë në të gjithë shtrirjen e saj.
Ezekieli 45:2
Nga ajo do të merrni për shenjtëroren një katror me përmasa pesëqind herë pesëqind kubitë, me një hapësirë të lirë rreth e qark prej pesëdhjetë kubitësh.
Ezekieli 45:3
Në këtë shtrirje do të matësh një siperfaqe me një gjatësi prej njëzet e pesëmijë kubitë dhe një gjerësi prej dhjetëmijë kubitë; brenda asaj do të jetë shenjtërorja, vendi shumë i shenjtë.
Ezekieli 45:4
Do të jetë pjesa e shenjtë e vendit e caktuar për priftërinjtë, ministrat e shenjtërores, që i afrohen Zotit për t`i shërbyer; do të jetë një vend për shtëpitë e tyre dhe një vend i shenjtë për shenjtëroren.
Ezekieli 45:5
Një sipërfaqe e gjatë njëzet e pesëmijë kubitë dhe e gjerë dhjetëmijë kubitë do t`u përkasë Levitëve që kryejnë shërbime në tempull; ata do të kenë pronësinë e njëzet dhomave.
Ezekieli 45:6
Si pronë të qytetit do të caktoni një sipërfaqe prej pesëmijë kubitësh të gjerë dhe njëzet e pesëmijë kubitësh të gjatë përbri pjesës së caktuar për shenjtërore; ajo do t`i përkasë tërë shtëpisë së Izraelit".
Ezekieli 45:7
Princit përkundrazi do t`i jepet një sipërfaqe këtej dhe matanë pjesës së shenjtë dhe pronës së qytetit, përballë pjesës së shenjtë të ofruar dhe përballë pronës së qytetit, që shtrihet nga ana e perëndimit drejt perëndimit dhe nga ana lindore drejt lindjes, me një gjatësi të barabartë me njerën pjesë që u është dhënë fiseve, nga kufiri perëndimor në kufirin lindor.
Ezekieli 45:8
Kjo pjesë e vendit do të jetë pronë e tij në Izrael; princat e mi nuk do ta shtypin më popullin tim, por do t`i japin kusurin e vendit shtëpisë së Izraelit sipas fiseve të tij".
Ezekieli 45:9
Kështu thotë Zoti, Zoti: "Mjaft më, o princa të Izraelit! Lini mënjanë dhunën dhe grabitjet, zbatoni ndershmërinë dhe drejtësinë, hiqni dorë nga të zhveshurit e popullit tim", thotë Zoti, Zoti.
Ezekieli 45:10
"Kini kandare të sakta, efa të saktë dhe bato të saktë.
Ezekieli 45:11
Efa dhe batoja do të kenë po atë kapacitet, dhe kështu batoja do të ketë të dhjetën pjesë të një homeri dhe efa të dhjetën pjesë të një homeri; kapaciteti i tyre do të rregullohet nga homeri.
Ezekieli 45:12
Sikli do të jetë njëzet geresh; njëzet sikle, njëzetepesë sikle dhe pesëmbëdhjetë sikle do të jetë mina juaj.
Ezekieli 45:13
Kjo është oferta që do të merrni: një të gjashtën e një efe nga një homer gruri, dhe një të gjashtën e një efe nga një homer elbi.
Ezekieli 45:14
Kjo është norma e vajit (domethënë bato e vajit), dhe një e dhjeta e batos nga çdo kor; një kor është një homer ose dhjetë bate, sepse dhjetë bate bëjnë një homer.
Ezekieli 45:15
Nga kopeja do të merret një dele për çdo dyqind krerë nga kullotat e të pasura të Izraelit, dhe kjo do të shërbejë për blatime të ushqimit, për olokaustet dhe për flijimet e falenderimit për të bërë shlyerjen për ato", thotë Zoti, Zoti.
Ezekieli 45:16
"Tërë populli i vendit do të jetë i detyruar ta bëjë këtë ofertë për princin e Izraelit.
Ezekieli 45:17
Përkundrazi do të jetë detyrë e princit të sigurojë olokaustet, blatimet e ushqimit dhe libacionet për festat, për hënat e reja, për të shtunat dhe për të gjitha solemnitetet e shtëpisë së Izraelit; ai do të sigurojë flijimin për mëkatin, blatimin e ushqimit, olokaustin dhe flijimet e falenderimit për të bërë shlyerjen për shtëpinë e Izraelit".
Ezekieli 45:18
Kështu thotë Zoti, Zoti: "Muajin e parë, ditën e parë të muajit, do të marrësh një dem të ri pa të meta dhe do të pastrosh shenjtëroren.
Ezekieli 45:19
Prifti do të marrë pak gjak nga flijimi për mëkatin dhe do ta vërë mbi shtalkat e portës së shtëpisë, mbi katër qoshet e platformave të altarit dhe mbi shtalkat e portës së oborrit të brendshëm.
Ezekieli 45:20
Do të veprosh në të njëjtën mënyrë ditën e shtatë të muajit për atë që ka mëkatuar për nga mosdija dhe për naivin; kështu do të kryeni shlyerjen për tempullin.
Ezekieli 45:21
Muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit për ju do të jetë Pashkë, një festë shtatë ditëshe; do të hahet bukë pa maja.
Ezekieli 45:22
Atë ditë princi do të ofrojë, për vete dhe për tërë popullin e vendit, një dem si flijim për mëkatin.
Ezekieli 45:23
Në shtatë ditët e festës do t`i ofrojë si olokaust Zotit shtatë dema dhe shtatë deshë pa të meta, çdo ditë për shtatë ditë me radhë, dhe një kec në ditë si flijim për mëkatin.
Ezekieli 45:24
Do të ofrojë gjithashtu një efa blatim ushqimor për çdo dem dhe një efa çdo dash, bashkë me një hin vaji për çdo efa.
Ezekieli 45:25
Në muajin e shtatë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, në festë, ai do të ofrojë po ato gjëra për flijimin për mëkatin, për olokaustin për blatimin e ushqimit dhe për vajin".