Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Isaia, 41

Kapitulli ka 29 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Isaia 41:1
Ishuj, mbani heshtje! Le të marrin forca të reja popujt; le të afrohen dhe pastaj të flasin. Të mblidhemi bashkë për të gjykuar!
Isaia 41:2
"Kush e ka nxitur një nga lindja, duke e thirrur në këmbët e tij në drejtësi? Kush i dorëzoi kombet dhe i nënshtroi mbretërit? Ai ia jep si pluhur shpatës së tij dhe si kashtë e shpërndarë harkut të tij.
Isaia 41:3
Ai i përndjek dhe ecën i sigurtë nëpër një rrugë mbi të cilën këmbët e tij nuk kanë shkelur kurrë.
Isaia 41:4
Kush ka vepruar dhe ka kryer këtë, duke thirrur brezat që nga fillimi? Unë Zoti, jam i pari dhe, me ata të fundit, do të jem po ai".
Isaia 41:5
Ishujt e shohin dhe i ka zënë frika, skajet e tokës dridhen; po afrohen, po arrijnë.
Isaia 41:6
Secili ndihmon shokun e tij dhe i thotë vëllait të tij: "Kurajo".
Isaia 41:7
Farkëtari i jep zemër argjendarit dhe ai që i jep dorën e fundit punës me çekiç i jep zemër atij që i bie kudhrës dhe thotë për saldaturën: "Mirë është" dhe e përforcon me gozhda që të mos lëvizë.
Isaia 41:8
"Por ti, Izrael, shërbëtori im, Jakob që kam zgjedhur, pasardhës i Abrahamit, mikut tim,
Isaia 41:9
ty që të mora nga skajet e tokës, që kam thirrur nga cepat më të largëta të saj dhe të kam thënë: "Ti je shërbëtori im, të kam zgjedhur dhe nuk të kam hedhur poshtë".
Isaia 41:10
Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.
Isaia 41:11
Ja, tërë ata që janë zemëruar kundër teje do të turpërohen dhe do të shushaten; ata që luftojnë kundër teje do të katandisen në hiç dhe do të zhduken.
Isaia 41:12
Ti do t`i kërkosh, por nuk do t`i gjesh më ata që të kundërshtonin; ata që të bënin luftë do të jenë asgjë, si një gjë që nuk ekziston më.
Isaia 41:13
Sepse unë, Zoti, Perëndia yt, të zë nga dora e djathtë dhe të them: "Mos u frikëso, unë të ndihmoj".
Isaia 41:14
"Mos u frikëso, o krimb i Jakobit, o njerëz të Izraelit! Unë të ndihmoj", thotë Zoti; "Shpëtimtari yt është i Shenjti i Izraelit.
Isaia 41:15
Ja, unë të bëj një shirëse të re me dhëmbë të mprehura; ti do të shish malet dhe do t`i katandisësh në pluhur, dhe do t`i bësh kodrat si byk.
Isaia 41:16
Ti do t`i frysh, era do t`i çojë larg dhe shakullima do t`i shpërndajë; por ti do të gëzohesh te Zoti dhe do të përlëvdohesh tek i Shenjti i Izraelit.
Isaia 41:17
Të mjerët dhe të varfërit kërkojnë ujë, por mungon; gjuha e tyre u është tharë nga etja; unë, Zoti do t`ua plotësoj dëshirën; unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t`i braktis.
Isaia 41:18
Do të bëj që të dalin lumenj mbi kodrat e zhveshura dhe burime në mes të luginave; do ta bëjë shkretëtirën një liqen uji dhe tokën e thatë burim ujërash.
Isaia 41:19
Do të mbjell në shkretëtirë kedrin, akacien, mërsinën dhe ullirin, do të mbjellë në Arabah qiparisin, vidhin dhe bredhin,
Isaia 41:20
me qëllim që ta shohin, ta dinë, ta konsiderojnë dhe ta kuptojnë të gjithë tok se dora e Zotit e ka bërë këtë gjë dhe i Shenjti i Izraelit e ka krijuar.
Isaia 41:21
Paraqitni çështjen tuaj, thotë Zoti, parashtroni arsyetimet tuaja, thotë Mbreti i Jakobit.
Isaia 41:22
Le t`i parashtrojnë dhe të na njoftojnë ç`ka për të ndodhur. Le të deklarojnë cilat ishin gjërat e kaluara, në mënyrë që të mund t`i shqyrtojmë dhe të njohim kryerjen e tyre; ose na njoftoni ç`ka për të ndodhur.
Isaia 41:23
Na njoftoni ç`ka për të ndodhur në të ardhmen, dhe kështu do të mësojmë se jeni perëndi; po, na bëni të mirë apo të keqe në mënyrë që të mbetemi të habitur duke i parë bashkë.
Isaia 41:24
Ja, ju jeni një hiç dhe vepra juaj nuk vlen asgjë; ai që ju zgjedh kryen një gjë të neveritshme.
Isaia 41:25
Unë thirra dikë nga veriu, dhe ai ka për të ardhur, nga lindja ai do të përmëndë emrin tim; do t`i shkelë princat sikur të ishin prej argjile, ashtu siç vepron poçari që e ngjesh baltën.
Isaia 41:26
Kush e shpalli këtë që në krye me qëllim që ta dinim, shumë më parë që të mund të thonim: "A është e drejtë"? Por nuk ka njeri që ta ketë njoftuar këtë gjë, njeri që ta ketë shpallur, njeri që të ketë dëgjuar fjalët tuaja.
Isaia 41:27
E shpalla i pari në Sion: "Shikoni, ja ku janë!", dhe në Jeruzalem dërgova një lajmëtar me lajme të mira.
Isaia 41:28
Shikova, por nuk kishte asnjë, vërtetë asnjë midis tyre që të dinte të jepte një këshillë, apo, i pyetur, mund të më jepte një përgjigje.
Isaia 41:29
Ja, të gjithë këta janë kot; veprat e tyre janë një hiç dhe shtatoret e tyre janë erë dhe gjëra pa kurrfarë vlere".