Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Ezekieli, 39

Kapitulli ka 29 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Ezekieli 39:1
"Ti, bir njeriu, profetizo kundër Gogut dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit.
Ezekieli 39:2
Unë do të të bëj të kthehesh prapa, do të të josh, do të të bëj të ngjitesh në pjesët e skajshme të veriut dhe do të të çoj në malet e Izraelit.
Ezekieli 39:3
Do ta shkund harkun nga dora jote e majtë dhe do të bëj që të të bien shigjetat nga dora e djathtë.
Ezekieli 39:4
Do të rrëzohesh mbi malet e Izraelit, ti me gjithë ushtrinë tënde dhe me popujt që janë me ty; do të bëj që të të hanë shpendët grabitqarë, shpendët e çfardo lloji dhe kafshët e fushës.
Ezekieli 39:5
Do të rrëzohesh në fushë të hapur, sepse unë fola", thotë Zoti, Zoti.
Ezekieli 39:6
"Dhe do të dërgoj zjarr mbi Magogun dhe mbi ata që jetojnë të sigurt në ishuj, dhe do të pranojnë që unë jam Zoti.
Ezekieli 39:7
Kështu do ta bëj të njohur emrin tim të shenjtë në mes të popullit tim të Izraelit dhe nuk do të lejoj më të përdhoset emri im i shenjtë, dhe kombet do të pranojnë që unë jam Zoti, i Shenjti në Izrael.
Ezekieli 39:8
Ja, kjo do të ndodhë dhe do të kryhet", thotë Zoti, Zoti; "kjo është dita për të cilën kam folur.
Ezekieli 39:9
Atëherë banorët e qyteteve të Izraelit do të dalin, do t`i vënë zjarrin dhe do të djegin armët, mburojat e mëdha dhe të vogla, topuzet dhe ushtat dhe me to do të bëjnë zjarr shtatë vjet.
Ezekieli 39:10
Nuk do t`u duhet të marrin dru në fushë dhe as të presin në pyll, sepse do të bëjnë zjarr me ato armë; kështu do të zhveshin ata që i zhvishnin dhe do të plaçkitin ata që i plaçkitnin", thotë Zoti, Zoti.
Ezekieli 39:11
"Atë ditë do të ndodhë që do ti jap Gogut, atje në Izrael një vend për varrim, luginën e Abarimit, në lindje të detit; ai do t`u zërë kalimin shtegtarëve, sepse aty do të varroset Gogu me gjithë turmën e tij; dhe ai vend do të quhet Lugina e Hamon-Gogut.
Ezekieli 39:12
Shtëpia e Izraelit, për të pastruar vendin, do të përdorë shtatë muaj të plota për t`i varrosur.
Ezekieli 39:13
Do t`i varrosë gjithë populli i vendit, dhe ata do të fitojnë nam ditën në të cilën unë do të përlëvdohem", thotë Zoti, Zoti.
Ezekieli 39:14
"Do të zgjedhin disa burra që do të përshkojnë pa pushim vendin për të varrosur, me ndihmën e shtegtarëve, trupat e atyre që kanë mbetur mbi faqen e dheut, për ta pastruar; kur të kalojnë shtatë muajt do të bëjnë këtë kërkim.
Ezekieli 39:15
Kushdo që do të përshkojë vendin, kur të shohë një kockë njeriu, do t`i vërë afër një shenjë treguese deri sa varrmihësit nuk do ta varrosin në Luginën e Hamon-Gogut.
Ezekieli 39:16
Hamonahu do të jetë gjithashtu emri i një qyteti. Kështu do ta pastrojnë vendin.
Ezekieli 39:17
Sa për ty, bir njeriu", kështu thotë Zoti, Zoti: "U thuaj zogjve të çdo lloji dhe të gjitha kafshëve të fushave: Mblidhuni dhe ejani. Grumbullohuni nga çdo anë në vendin e masakrës që unë do të kryej për ju, një masakër të madhe në malet e Izraelit, që të hani mish dhe të pini gjak.
Ezekieli 39:18
Do të hani mish njerëzish të fuqishëm dhe do të pini gjak princash të dheut: sikur të ishin të gjithë desh, qengja, cjep dhe dema të majmur në Bashan.
Ezekieli 39:19
Do të hani dhjamë sa të ngopeni dhe do të pini gjak sa të deheni, nga flijimi që kam flijuar për ju.
Ezekieli 39:20
Në tryezën time ju do të ngopeni me kuaj dhe kalorës, me njerëz të fuqishëm dhe me luftëtarë të çdo lloji", thotë Zoti, Zoti.
Ezekieli 39:21
"Do të shfaq lavdinë time midis kombeve dhe tërë kombet do të shohin gjykimin tim që kam zbatuar dhe dorën time që kam vënë mbi ta.
Ezekieli 39:22
Kështu që nga ajo ditë e tutje shtëpia e Izraelit do të pranojë që unë jam Zoti, Perëndia i tij;
Ezekieli 39:23
dhe kombet do të pranojnë që për shkak të paudhësisë së tij shtëpia e Izraelit shkon në robëri, sepse ishte treguar e pabesë me mua; prandaj u`a fsheha atyre fytyrën time, i dhashë në dorë të armiqve të tyre dhe ata ranë të gjithë nga shpata.
Ezekieli 39:24
I trajtova sipas papastërtisë së tyre dhe sipas shkeljeve të tyre dhe ua fsheha atyre fytyrën time".
Ezekieli 39:25
Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Tani do ta kthej Jakobin nga robëria, do të më vijë keq për tërë shtëpinë e Izraelit dhe do të jem xheloz për emrin tim të shenjtë,
Ezekieli 39:26
mbasi ata kanë bartur turpin e tyre dhe ndëshkimi për të gjitha pabesitë që kanë kryer kundër meje, ndërsa banonin të sigurtë në vendin e tyre dhe askush nuk i trembte.
Ezekieli 39:27
Kur t`i çoj përsëri nga popujt dhe kur t`i mbledh nga vendet e armiqve të tyre dhe të shenjtërohem te ata në sytë e shumë kombeve,
Ezekieli 39:28
ata do të pranojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i çoi në robëri midis kombeve, por që i ka mbledhur gjithashtu në vendin e tyre, duke mos lënë jashtë asnjë prej tyre.
Ezekieli 39:29
Nuk do t`ua fsheh më fytyrën time, sepse do ta përhap Frymën time mbi shtëpinë e Izraelit", thotë Zoti, Zoti.