Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Isaia, 32

Kapitulli ka 20 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Isaia 32:1
Ja, një mbret do të mbretërojë me drejtësi dhe princat do të qeverisin me paanësi.
Isaia 32:2
Secili prej tyre do të jetë si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur.
Isaia 32:3
Sytë e atyre që shohin nuk do t`u erren më dhe veshët e atyre që dëgjojnë do të jenë të vëmendshëm.
Isaia 32:4
Zemra e njerëzve të pamend do të fitojë njohuri dhe gjuha e atyre që belbëzojnë do të flasë shpejt dhe qartë.
Isaia 32:5
Njeriu i përçmuar nuk do të thirret më fisnik, as i pandershmi nuk do të thirret i pavlerë.
Isaia 32:6
Sepse njeriu i përçmuar thotë gjëra të neveritshme dhe zemra e tij jepet pas paudhësisë, për të kryer pabesi dhe për të thënë gjëra pa respekt kundër Zotit, për ta lënë bosh stomakun e të uriturit dhe për ta lënë thatë atë që vuan nga etja.
Isaia 32:7
Armët e të pandershmit janë të poshtra; ai kurdis plane të këqija për të shkatërruar të mjerin me fjalë gënjeshtare, edhe kuri mjeri pohon të drejtën.
Isaia 32:8
Por njeriu fisnik mendon plane fisnike dhe i vë vetes qëllime fisnike.
Isaia 32:9
Çohuni, o gra që jetoni në bollëk, dhe dëgjoni zërin tim; o bija pa mend, ia vini veshin fjalës sime!
Isaia 32:10
Brenda një viti dhe disa ditëve ju do të dridheni, o gra pa mend, sepse vjelja e rrushit do të shkojë keq dhe korrje nuk do të ketë.
Isaia 32:11
Fërgëlloni, o gra që jetoni në bollëk, dridhuni o ju gra pa mend. Hiqni veshjet tuaja, zhvishuni dhe vini një grethore në ijët,
Isaia 32:12
duke i rënë gjoksit nëpër arat e mira dhe nëpër vreshtat prodhimtare.
Isaia 32:13
Mbi tokën e popullit tim do të rriten gjemba dhe ferra; po, mbi të gjitha shtëpitë e gëzimit të qytetit të qejfeve.
Isaia 32:14
Sepse pallati do të braktiset, qyteti i zhurmshëm do të shkretohet, Ofeli dhe kulla do të bëhen për gjithnjë shpella gëzimi për gomarët e egër dhe kullotë për kopetë.
Isaia 32:15
deri sa mbi ne të përhapet Fryma nga lart, shkretëtira të bëhet pemishte dhe pemishtja të konsiderohet si një pyll.
Isaia 32:16
Atëherë i drejti do të banojë në shkretëtirë dhe drejtësia do të banojë në pemishte.
Isaia 32:17
Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë qetësia dhe siguria përjetë.
Isaia 32:18
Populli im do të banojë në një vend paqeje, në banesa të sigurta dhe në vende të qeta pushimi,
Isaia 32:19
edhe sikur të binte breshër mbi pyllin dhe qyteti të ulej shumë.
Isaia 32:20
Lum ju që mbillni në breg të të gjithë ujërave dhe që lini të shkojë e lirë këmba e kaut dhe e gomarit.