Kapitulli ka 66 vargje, lexim të këndshëm.
Kapitulli Paraprak Kapitulli i ArdhshëmVajtimet 3:1
Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij.
Vajtimet 3:2
Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë.
Vajtimet 3:3
Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën.
Vajtimet 3:4
Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia.
Vajtimet 3:5
Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth.
Vajtimet 3:6
Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe.
Vajtimet 3:7
Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim.
Vajtimet 3:8
Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time.
Vajtimet 3:9
Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita.
Vajtimet 3:10
Ai ka qenë për mua si një ari në pritë, si një luan në vende të fshehta.
Vajtimet 3:11
Ka devijuar rrugët e mia, më ka coptuar dhe më ka dëshpëruar.
Vajtimet 3:12
Ka nderur harkun e tij dhe më ka bërë objekt të shigjetave të tij.
Vajtimet 3:13
Ka bërë të depërtojnë në zemrën time shigjetat e kukurës së tij.
Vajtimet 3:14
Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës.
Vajtimet 3:15
Më ka ngopur me hidhërim, më ka bërë të pij pelin.
Vajtimet 3:16
Më ka coptuar dhëmbët me zall, më ka mbuluar me hi.
Vajtimet 3:17
Ke larguar shpirtin tim nga paqja, kam harruar mirëqënien.
Vajtimet 3:18
Kam thënë: "Është zhdukur besimi im dhe shpresa ime tek Zoti".
Vajtimet 3:19
Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.
Vajtimet 3:20
Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.
Vajtimet 3:21
Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.
Vajtimet 3:22
Është një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.
Vajtimet 3:23
Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.
Vajtimet 3:24
"Zoti është pjesa ime", thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai.
Vajtimet 3:25
Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon.
Vajtimet 3:26
Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.
Vajtimet 3:27
Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.
Vajtimet 3:28
Le të ulet i vetmuar dhe të qëndrojë në heshtje kur Perëndia ia imponon.
Vajtimet 3:29
Le ta vërë gojën e tij në pluhur, ndofta ka ende shpresë.
Vajtimet 3:30
Le ti japë faqen atij që e godet, të ngopet me fyerje.
Vajtimet 3:31
Sepse Zoti nuk hedh poshtë për gjithnjë;
Vajtimet 3:32
por, në rast se të hidhëron, do ti vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij,
Vajtimet 3:33
sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.
Vajtimet 3:34
Kur dikush shtyp nën këmbët e tij tërë robërit e dheut,
Vajtimet 3:35
kur dikush shtrëmbëron të drejtën e një njeriu në prani të Më të Lartit,
Vajtimet 3:36
kur dikujt i bëhet një padrejtësi në çështjen e tij, a nuk e shikon Zoti?
Vajtimet 3:37
Vallë kush thotë diçka që më pas realizohet, në rast se Zoti nuk e ka urdhëruar?
Vajtimet 3:38
E keqja dhe e mira a nuk vijnë vallë nga goja e Më të Lartit?
Vajtimet 3:39
Pse vallë ankohet një njeri i gjallë, një njeri për ndëshkimin e mëkateve të tij?
Vajtimet 3:40
Le të shqyrtojmë rrugët tona, t`i hetojmë dhe të kthehemi tek Zoti.
Vajtimet 3:41
Le të ngremë lart zemrat tona dhe duart tona në drejtim të Perëndisë të qiejve.
Vajtimet 3:42
Ne kemi kryer mëkate, kemi qënë rebelë dhe ti nuk na ke falur.
Vajtimet 3:43
Je mbështjellë në zëmërimin tënd dhe na ke ndjekur, na ke vrarë pa mëshirë.
Vajtimet 3:44
Ti je mbështjellë në një re, në mënyrë që asnjë lutje të mos kalonte dot.
Vajtimet 3:45
Na ke bërë plehra dhe mbeturina në mes të popujve.
Vajtimet 3:46
Tërë armiqtë tanë kanë hapur gojën kundër nesh.
Vajtimet 3:47
Na ka rënë mbi trup tmerri, laku, dëshpërimi i thellë dhe shkatërrimi.
Vajtimet 3:48
Rrëke uji rrjedhin nga sytë e mi për shkatërrimin e bijës së popullit tim.
Vajtimet 3:49
Syri im derdh lot pa pushim, pa ndërprerje,
Vajtimet 3:50
deri sa Zoti të mos vështrojë nga qielli dhe të mos shikojë.
Vajtimet 3:51
Syri im i sjell dhembje shpirtit tim për të gjitha bijat e qytetit tim.
Vajtimet 3:52
Ata që më urrejnë pa shkak më kanë gjuajtur si të isha zog.
Vajtimet 3:53
Kanë shkatërruar jetën time në gropë, më kanë hedhur gurë.
Vajtimet 3:54
Ujrat rrjedhin mbi kokën time, unë thoja: "Ka marrë fund për mua".
Vajtimet 3:55
Përmenda emrin tënd, o Zot, nga thellësia e gropës.
Vajtimet 3:56
Ti e dëgjove zërin tim; mos ia fshih veshin tënd psherëtimës sime, thirrjes time për ndihmë.
Vajtimet 3:57
Kur të kam thirrur ti je afruar; ke thënë: "Mos ki frikë!"
Vajtimet 3:58
O Zot ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time.
Vajtimet 3:59
O Zot, ti ke parë dëmin që kam pësuar, prandaj mbro çështjen time!
Vajtimet 3:60
Ti ke parë tërë frymën e tyre të hakmarrjes, intrigat e tyre kundër meje.
Vajtimet 3:61
Ti ke dëgjuar fyerjet e tyre, o Zot, tërë intrigat e tyre kundër meje,
Vajtimet 3:62
fjalimet e tyre që ngrihen kundër meje, atë që mendojnë kundër meje tërë ditën.
Vajtimet 3:63
Vër re kur ulen dhe kur ngrihen, unë jam kënga e tyre.
Vajtimet 3:64
Shpërbleji, o Zot, sipas veprës së duarve të tyre.
Vajtimet 3:65
Bëji zemërgur, mallkimi yt qoftë mbi ta.
Vajtimet 3:66
Ndiqi në zemërimin tënd dhe shkatërroi poshtë qiejve të Zotit.