Kapitulli ka 27 vargje, lexim të këndshëm.
Kapitulli Paraprak Kapitulli i ArdhshëmFjalët e Urta 27:1
Mos u mburr me ditën e nesërme, sepse nuk di atë që mund të sjellë një ditë.
Fjalët e Urta 27:2
Le të të lëvdoj një tjetër dhe jo goja jote, një i huaj dhe jo buzët e tua.
Fjalët e Urta 27:3
Guri peshon dhe rëra është e rëndë, por zemërimi i budallait peshon më tepër se të dyja bashkë.
Fjalët e Urta 27:4
Tërbimi është mizor dhe zemërimi është i furishëm, por kush mund t`i bëjë ballë xhelozisë?
Fjalët e Urta 27:5
Më mirë një qortim i hapur se një dashuri e fshehur.
Fjalët e Urta 27:6
Besnike janë plagët e një shoku, dhe të rreme të puthurat e një armiku.
Fjalët e Urta 27:7
Kush është i ngopur përçmon huallin e mjaltit; por për atë që ka uri çdo gjë e hidhur është e ëmbël.
Fjalët e Urta 27:8
Si zogu që endet larg folesë së tij, kështu është njeriu që endet larg shtëpisë së tij.
Fjalët e Urta 27:9
Vaji dhe parfumi gëzojnë zemrën, kështu bën ëmbëlsia e një shoku me këshillat e tij të përzërmërta.
Fjalët e Urta 27:10
Mos e braktis mikun tënd as mikun e atit tënd dhe mos shko në shtëpinë e vëllait tënd ditën e fatkeqësisë sate; është më mirë një që banon afër se sa një vëlla larg.
Fjalët e Urta 27:11
Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t`i përgjigjem atij që përflet kundër meje.
Fjalët e Urta 27:12
Njeriu mendjemprehtë e shikon të keqen dhe fshihet, por naivët shkojnë tutje dhe ndëshkohen.
Fjalët e Urta 27:13
Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj dhe mbaje si peng për gruan e huaj.
Fjalët e Urta 27:14
Ai që bekon të afërmin e tij me zë të lartë në mëngjes herët, do t`ia zënë si mallkim.
Fjalët e Urta 27:15
Pikëllimi i vazhdueshëm në një ditë shiu të madh dhe një grua grindavece i ngjasin njera tjetrës.
Fjalët e Urta 27:16
Kush arrin ta përmbajë, mban erën dhe zë vajin me dorën e tij të djathtë.
Fjalët e Urta 27:17
Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.
Fjalët e Urta 27:18
Kush kujdeset për fikun do të hajë frytin e tij, dhe ai që i shërben zotit të tij do të nderohet.
Fjalët e Urta 27:19
Ashtu si në ujë fytyra pasqyron fytyrën, kështu zemra e njeriut e tregon njeriun.
Fjalët e Urta 27:20
Sheoli dhe Abadoni janë të pangopur, dhe të pangopur janë gjithashtu sytë e njerëzve.
Fjalët e Urta 27:21
Poçja është për argjendin dhe furra për arin, kështu njeriu provohet nga lëvdata që merr.
Fjalët e Urta 27:22
Edhe sikur ta shtypje budallanë në një havan bashkë me grurë me dygeçin e tij, budallallëku nuk do të largohej prej tij.
Fjalët e Urta 27:23
Përpiqu të njohësh mirë gjendjen e deleve të tua dhe ki kujdes për kopetë e tua,
Fjalët e Urta 27:24
sepse pasuritë nuk zgjatin përherë, dhe as një kurorë nuk vazhdon brez pas brezi.
Fjalët e Urta 27:25
Kur merret bari i thatë dhe del bari i njomë dhe mblidhet forazhi i maleve,
Fjalët e Urta 27:26
qengjat do të furnizojnë rrobat e tua, cjeptë çmimin e një are
Fjalët e Urta 27:27
dhe dhitë mjaft qumësht për ushqimin tënd, për ushqimin e shtëpisë sate dhe për të mbajtur shërbëtoret e tua.