Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Mateu, 24

Kapitulli ka 51 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Mateu 24:1
Tani kur Jezusi doli nga tempulli dhe po largohej, dishepujt e tij iu afruan për t`i treguar ndërtesat e tempullit.
Mateu 24:2
Por Jezusi u tha atyre: "A nuk i shikoni ju të gjitha këto? Në të vërtetë po ju them se këtu nuk do të mbetet asnjë gur mbi gur që nuk do të rrënohet".
Mateu 24:3
Pastaj, kur ai u ul të rrinte në malin e Ullinjve, dishepujt e vet iu afruan mënjanë dhe i thanë: "Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?".
Mateu 24:4
Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: "Ruhuni se mos ju mashtron ndokush!
Mateu 24:5
Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: "Unë jam Krishti" dhe do të mashtrojnë shumë njërëz.
Mateu 24:6
Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash; ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur.
Mateu 24:7
Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme.
Mateu 24:8
Por të gjitha këto gjëra do të jenë vetëm fillimi i dhembjeve të lindjes.
Mateu 24:9
Atëherë do t`ju dorëzojnë në mundime dhe do t`ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t`ju urrejnë për shkak të emrit tim.
Mateu 24:10
Atëherë shumë do të skandalizohen, do ta tradhëtojnë njeri tjetrin dhe do të urrejnë njeri tjetrin.
Mateu 24:11
Dhe do të dalin shumë profetë të rremë, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.
Mateu 24:12
Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t`i ftohet dashuria;
Mateu 24:13
por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.
Mateu 24:14
Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi".
Mateu 24:15
"Kur të shihni, pra, neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë (kush lexon le ta kuptojë),
Mateu 24:16
atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male.
Mateu 24:17
Kush ndodhet mbi taracën e shtëpisë, të mos zbresë për të marrë diçka në shtëpinë e vet;
Mateu 24:18
dhe kush është ndër ara, të mos kthehet për të marrë mantelin e tij.
Mateu 24:19
Por mjerë gratë shtatzëna dhe ato që do t`u japin gji fëmijëve në ato ditë!
Mateu 24:20
Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër, as të shtunën,
Mateu 24:21
sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë!
Mateu 24:22
Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.
Mateu 24:23
Atëherë, në qoftë se dikush do t`ju thotë: "Ja, Krishti është këtu", ose "Është atje", mos i besoni.
Mateu 24:24
Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrrekulli të tilla aq sa t`i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit.
Mateu 24:25
Ja, unë ju paralajmërova.
Mateu 24:26
Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë", mos shkoni atje: "Ja, është në dhomat e fshehta", mos u besoni.
Mateu 24:27
Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut.
Mateu 24:28
Sepse ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat".
Mateu 24:29
"Tani, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen.
Mateu 24:30
Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.
Mateu 24:31
Ai do t`i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t`i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri.
Mateu 24:32
Tani mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur tashmë degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethet, ta dini se vera është afër.
Mateu 24:33
Kështu edhe ju, kur t`i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.
Mateu 24:34
Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto.
Mateu 24:35
Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.
Mateu 24:36
Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s`e di, as engjëjt e qieive, por vetëm Ati im.
Mateu 24:37
Por, ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut.
Mateu 24:38
Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë;
Mateu 24:39
dhe nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut.
Mateu 24:40
Atëherë dy do të jenë në arë, një do të merret dhe tjetri do të lihet.
Mateu 24:41
dy gra do të bluajnë në mulli, një do të merret dhe tjetra do të lihet.
Mateu 24:42
Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj.
Mateu 24:43
Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t`i shpërthehej shtëpia.
Mateu 24:44
Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni".
Mateu 24:45
"Cili është, pra, ai shërbëtor besnik dhe i mençur, që zotëria e tij e caktoi përmbi shtëpiarët e vet, për t`u dhënë atyre ushqimin në kohën e duhur?
Mateu 24:46
Lum ai shërbëtor që, kur të kthehet zotëria e tij, e gjen duke bërë kështu.
Mateu 24:47
Në të vërtetë po ju them se ai do t`ia besojë administrimin e gjithë pasurisë së vet.
Mateu 24:48
Por, në qoftë se ky shërbëtor i mbrapshtë, thotë në zemër të vet: "Zotëria ime vonon të vijë",
Mateu 24:49
dhe fillon t`i rrahë shokët e vet dhe të hajë e të pijë me pijanecët;
Mateu 24:50
zotëria e këtij shërbëtori do të vijë në atë ditë kur ai nuk e pret dhe në atë orë kur ai nuk e di;
Mateu 24:51
do ta ndëshkojë rëndë dhe do t`i rezervojë fatin e hipokritëve. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh".