Kapitulli ka 25 vargje, lexim të këndshëm.
Kapitulli Paraprak Kapitulli i ArdhshëmGjoni 21:1
Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë:
Gjoni 21:2
Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë.
Gjoni 21:3
Simon Pjetri u tha atyre: "Po shkoj të peshkoj". Ata i thanë: "Po vijmë edhe ne me ty". Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë.
Gjoni 21:4
Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi.
Gjoni 21:5
Dhe Jezusi u tha atyre: "O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?". Ata iu përgjigjën: "Jo!".
Gjoni 21:6
Dhe ai u tha atyre: "Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni". E hodhën, pra, dhe s`mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve.
Gjoni 21:7
Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: "Është Zoti". Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det.
Gjoni 21:8
Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq.
Gjoni 21:9
Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë.
Gjoni 21:10
Jezusi u tha atyre: "Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!".
Gjoni 21:11
Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.
Gjoni 21:12
Jezusi u tha atyre: "Ejani të hani mëngjes". Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: "Kush je?", duke ditur se ishte Zoti.
Gjoni 21:13
Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun.
Gjoni 21:14
Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri.
Gjoni 21:15
Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: "Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?". Iu përgjigj: "Po, Zot, ti e di se unë të dua". Jezusi i tha: "Kulloti qengjat e mi!".
Gjoni 21:16
Përsëri e pyeti për të dytën herë: "Simon nga Jona, a më do ti mua?". Iu përgjigj: "Po, Zot, ti e di se unë të dua". Jezusi i tha: "Ki kujdes për delet e mia".
Gjoni 21:17
E pyeti për të tretën herë: "Simon nga Jona, a më do ti mua?". Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: "A më do ti mua?", dhe iu përgjigj: "Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua". Jezusi i tha: "Kulloti delet e mia.
Gjoni 21:18
Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t`i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje".
Gjoni 21:19
I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç`vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: "Ndiqmë".
Gjoni 21:20
Dhe Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte dishepulli, të cilin Jezusi e donte, ai që gjatë darkës ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezusit dhe kishte pyetur: "Zot, kush është ai që po të tradhton?".
Gjoni 21:21
Kur Pjetri e pa, i tha Jezusit: "Zot, dhe me të ç`do të bëhet?".
Gjoni 21:22
Jezusi iu përgjigj: "Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ç`të duhet? Ti ndiqmë!".
Gjoni 21:23
Atëherë u hap zëri midis vëllezërve se ai dishepull nuk do të vdiste; por Jezusi nuk i kishte thënë Pjetrit se ai nuk do të vdiste, por: "Nëse unë dua që ky të mbetet derisa të vij unë, ç`të duhet?".
Gjoni 21:24
Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që ka shkruar këto gjëra; dhe ne dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.
Gjoni 21:25
Janë edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat, po të shkruheshin një nga një, unë mendoj se nuk do të mjaftonte mbarë bota që t`i nxinte librat që do të mund të shkruheshin. Amen.