Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Gjoni, 18

Kapitulli ka 40 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Gjoni 18:1
Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij.
Gjoni 18:2
Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij.
Gjoni 18:3
Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë.
Gjoni 18:4
Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t`i ndodhte, doli dhe i pyeti: "Kë kërkoni?".
Gjoni 18:5
Ata iu përgjigjën: "Jezusin Nazareas". Jezusi u tha atyre: "Unë jam!". Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta.
Gjoni 18:6
Sapo ai u tha atyre: "Unë jam", ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe.
Gjoni 18:7
Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: "Kë kërkoni?". Ata thanë: "Jezusin Nazareas".
Gjoni 18:8
Jezusi u përgjigj: "Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë";
Gjoni 18:9
që të përmbushej fjala që kishte thënë: "Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë".
Gjoni 18:10
Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk.
Gjoni 18:11
Por Jezusi i tha Pjetrit: "Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?".
Gjoni 18:12
Atëherë grupi i ushtarëve, kapiteni dhe rojet e Judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.
Gjoni 18:13
E çuan më parë te Ana, sepse ishte vjehrri i Kajafës, që ishte kryeprifti i atij viti.
Gjoni 18:14
Kajafa ishte ai që i kishte këshilluar Judenjtë se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin.
Gjoni 18:15
Por Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër ndiqnin Jezusit. Dhe ky dishepull ishte i njohur i kryepriftit; dhe hyri me Jezusin në oborrin e kryepriftit.
Gjoni 18:16
Por Pjetri mbeti përjashta te dera. Atëherë dishepulli tjetër, që ishte i njohur i kryepriftit, doli dhe i foli portieres dhe bëri të hyjë Pjetri.
Gjoni 18:17
Dhe shërbëtorja portiere i tha Pjetrit: "Mos je edhe ti nga dishepujt e atij njeriu?". Ai u përgjigj: "Nuk jam".
Gjoni 18:18
Ndërkaq shërbëtorët dhe rojat ndezën një zjarr me qymyr dhe qëndronin në këmbë e ngroheshin, sepse bënte ftohtë; edhe Pjetri qëndronte në këmbë me ta dhe ngrohej.
Gjoni 18:19
Por kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij.
Gjoni 18:20
Jezusi iu përgjigj: "Unë i kam folur haptas botës; gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë Judenjtë, dhe s`kam thënë asgjë në fshehtësi.
Gjoni 18:21
Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar ç`u kam thënë atyre; ja, ata i dinë gjërat që kam thënë".
Gjoni 18:22
Posa i tha këto fjalë, një nga rojat që i rrinin afër, i ra Jezusit me shuplakë, duke thënë: "Kështu i përgjigjesh kryepriftit?".
Gjoni 18:23
Jezusi i tha: "Po të kem folur keq, trego ku është e keqja; por, po të kem folur mirë, përse po më bie?".
Gjoni 18:24
Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te Kajafa, kryeprifti.
Gjoni 18:25
Ndërkaq Simon Pjetri qëndronte aty e ngrohej. I thanë, pra: "Mos je dhe ti nga dishepujt e tij?". Ai e mohoi dhe tha: "Nuk jam".
Gjoni 18:26
Por një nga shërbëtorët e kryepriftit, farefisi i atij, të cilit Pjetri ia kishte prerë veshin, tha: "A s`të pashë në kopsht me të?".
Gjoni 18:27
Dhe Pjetri e mohoi sërish, dhe menjëherë këndoi gjeli.
Gjoni 18:28
Pastaj nga Kajafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën.
Gjoni 18:29
Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: "Ç`padi sillni kundër këtij njeriu?".
Gjoni 18:30
Ata u përgjigjën dhe i thanë: "Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar".
Gjoni 18:31
Atëherë Pilati u tha atyre: "Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj" Por Judenjtë i thanë: "Neve nuk na lejohet të vrasim njeri".
Gjoni 18:32
Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç`vdekje duhej të vdiste.
Gjoni 18:33
Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: "A je ti mbreti i Judenjve?".
Gjoni 18:34
Jezusi iu përgjigj: "E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?".
Gjoni 18:35
Pilati iu përgjigj: "Jam unë vallë Jude? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?".
Gjoni 18:36
Jezusi u përgjigj: "Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej".
Gjoni 18:37
Atëherë Pilati i tha: "Ti, pra, qenke mbret?". Jezusi u përgjigj: "Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim".
Gjoni 18:38
Pilati e pyeti: "Ç`është e vërteta?". Dhe, si foli këtë, doli përsëri para Judenjve dhe u tha atyre: "Unë nuk po gjej në të asnjë faj!
Gjoni 18:39
Por ndër ju është zakon që unë t`ju liroj dikë për Pashkë; a doni, pra, që t`ju liroj mbretin e Judenjve?".
Gjoni 18:40
Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: "Jo këtë, por Barabanë!". Por Baraba ishte një kusar.