Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Gjoni, 15

Kapitulli ka 27 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Gjoni 15:1
"Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari.
Gjoni 15:2
Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.
Gjoni 15:3
Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova.
Gjoni 15:4
Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua.
Gjoni 15:5
Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.
Gjoni 15:6
Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen.
Gjoni 15:7
Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t`ju bëhet.
Gjoni 15:8
Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi.
Gjoni 15:9
Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time.
Gjoni 15:10
Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.
Gjoni 15:11
Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.
Gjoni 15:12
Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.
Gjoni 15:13
Askush s`ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.
Gjoni 15:14
Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj.
Gjoni 15:15
Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç`bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im.
Gjoni 15:16
Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm, që, çfarëdo gjë që t`i kërkoni Atit në emrin tim, ai t`jua japë.
Gjoni 15:17
Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin.
Gjoni 15:18
Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush.
Gjoni 15:19
Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren.
Gjoni 15:20
Kujtoni fjalën që ju thashë: "Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti". Nëse më kanë përndjekur mua, do t`ju përndjekin edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.
Gjoni 15:21
Të gjitha këto gjëra do t`jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më ka dërguar.
Gjoni 15:22
Po të mos kisha ardhur dhe të mos u kisha folur atyre, nuk do të kishin faj; por tani ata nuk kanë asnjë shfajësim për mëkatin e tyre.
Gjoni 15:23
Kush më urren mua, urren edhe Atin tim.
Gjoni 15:24
Po të mos kisha bërë në mes tyre vepra që askush tjetër nuk ka bërë, nuk do të kishin faj; por tani, përkundrazi, e kanë parë, dhe më kanë urryer mua dhe Atin tim.
Gjoni 15:25
Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: "Më kanë urryer pa shkak".
Gjoni 15:26
Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t`ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua.
Gjoni 15:27
Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi".