Kapitulli ka 33 vargje, lexim të këndshëm.
Kapitulli Paraprak Kapitulli i ArdhshëmFjalët e Urta 15:1
Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin.
Fjalët e Urta 15:2
Gjuha e të urtëve përdor dijen ndershmërisht, por goja e budallenjve nxjerr marrëzira.
Fjalët e Urta 15:3
Sytë e Zotit janë kudo për të shikuar të këqijtë dhe të mirët.
Fjalët e Urta 15:4
Një gjuhë e shëndoshë është një dru i jetës, por gjuha e çoroditur e sfilit shpirtin.
Fjalët e Urta 15:5
Budallai e përçmon korrigjimin e atit të tij, por ai që e çmon kritikën vepron me zgjuarsi.
Fjalët e Urta 15:6
Në shtëpinë e të drejtit ka bollëk të madh, por në të ardhurat e të pabesit ka telashe.
Fjalët e Urta 15:7
Buzët e të urtëve përhapin dijen, por nuk vepron kështu zemra e budallenjve.
Fjalët e Urta 15:8
Sakrifica e të pabesëve është një neveri për Zotin, por lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij.
Fjalët e Urta 15:9
Rruga e të pabesit është një neveri për Zotin, por ai do atë që ndjek drejtësinë.
Fjalët e Urta 15:10
Një qortim i rëndë pret atë që braktis rrugën e drejtë, ai që urren kritikën ka për të vdekur.
Fjalët e Urta 15:11
Sheoli dhe Abadoni janë para Zotit; ca më tepër janë zemrat e bijve të njerëzve!
Fjalët e Urta 15:12
Tallësi nuk e do atë që e kritikon; ai nuk shkon tek të urtët.
Fjalët e Urta 15:13
Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën, por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet.
Fjalët e Urta 15:14
Zemra e njeriut me mend kërkon dijen, por goja e budallenjve ushqehet me marrëzi.
Fjalët e Urta 15:15
Të gjitha ditët e të varfërit janë të këqija, por për një zemër të kënaqur ka festë përherë.
Fjalët e Urta 15:16
Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime.
Fjalët e Urta 15:17
Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje.
Fjalët e Urta 15:18
Njeriu gjaknxehtë nxit grindje, por ai që nuk zemërohet shpejt i qetëson grindjet.
Fjalët e Urta 15:19
Rruga e përtacit është si një gardh ferrash, por shtegu i njerëzve të drejtë është i sheshtë.
Fjalët e Urta 15:20
Biri i urtë gëzon të atin, por njeriu budalla përçmon të ëmën.
Fjalët e Urta 15:21
Marrëzia është gëzim për atë që nuk ka mend, por njeriu që ka mend ecën drejt.
Fjalët e Urta 15:22
Planet dështojnë ku nuk ka arsye, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.
Fjalët e Urta 15:23
Një njeri ndjen gëzim kur mund të jap një përgjigje dhe sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur!
Fjalët e Urta 15:24
Njeriun e matur rruga e jetës e çon lart në mënyrë që të evitojë Sheolin poshtë.
Fjalët e Urta 15:25
Zoti do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve, por do t`i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e gruas së ve.
Fjalët e Urta 15:26
Mendimet e këqija janë të neveritshme për Zotin, por fjalët e ëmbla janë të pastra.
Fjalët e Urta 15:27
Kush lakmon fitime vë në rrezik shtëpinë e vet, por ai që i urren dhuratat ka për të jetuar.
Fjalët e Urta 15:28
Zemra e të drejtit mendon thellë se si duhet të përgjigjet, por goja e të pabesit vjell gjëra të këqija.
Fjalët e Urta 15:29
Zoti u rri larg të pabesëve, por dëgjon lutjet e të drejtëve.
Fjalët e Urta 15:30
Drita e syve gëzon zemrën, një lajm i mirë i fortëson kockat.
Fjalët e Urta 15:31
Veshi që e dëgjon kritikën e jetës ka për të qëndruar bashkë me të urtët.
Fjalët e Urta 15:32
Kush nuk pranon qortimin e përçmon vetë shpirtin e tij, por ai që dëgjon qortimin bëhet më i urtë.
Fjalët e Urta 15:33
Frika e Zotit është një mësim diturie, dhe përpara lavdisë vjen përulësia.