Kapitulli ka 38 vargje, lexim të këndshëm.
Kapitulli Paraprak Kapitulli i ArdhshëmGjoni 13:1
Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.
Gjoni 13:2
Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte,
Gjoni 13:3
Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej,
Gjoni 13:4
u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh.
Gjoni 13:5
Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t`ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.
Gjoni 13:6
Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: "Zot, ti të m`i lash këmbët mua?".
Gjoni 13:7
Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj".
Gjoni 13:8
Pjetri i tha: "Ti kurrë nuk do të m`i lash këmbët". Jezusi iu përgjigi: "Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua".
Gjoni 13:9
Simon Pjetri i tha: "Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën".
Gjoni 13:10
Jezusi i tha: "Ai që është i larë, s`ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë".
Gjoni 13:11
Sepse ai e dinte se kush do ta tradhtonte, prandaj tha: "Nuk jeni të gjithë të pastër".
Gjoni 13:12
Kështu, mbasi ua lau këmbët, mori përsëri rrobat e tij, zuri vend rishtas në tryezë dhe u tha atyre: "A e kuptoni këtë që ju kam bërë?
Gjoni 13:13
Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam.
Gjoni 13:14
Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t`i lani këmbët njëri-tjetrit.
Gjoni 13:15
Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju.
Gjoni 13:16
Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar.
Gjoni 13:17
Po t`i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t`i bëni.
Gjoni 13:18
Nuk po flas për ju të gjithë; unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet ky Shkrim: "Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje".
Gjoni 13:19
Po ju them që tani, para se të ndodhë, që, kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam Krishti.
Gjoni 13:20
Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua; dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar".
Gjoni 13:21
Mbasi i tha këto fjalë, Jezusi, u trondit në frymë, dhe dëshmoi e tha: "Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë".
Gjoni 13:22
Atëherë dishepujt u panë njëri me tjetrin, por nuk arrinin të kuptonin për kë po fliste.
Gjoni 13:23
Por një nga dishepujt e tij, të cilin Jezusi e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezusit.
Gjoni 13:24
Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë të pyeste kush ishte ai për të cilin foli.
Gjoni 13:25
Dhe ai dishepull, duke u përkulur mbi kraharorin e Jezusit, e pyeti: "Zot, kush është?".
Gjoni 13:26
Jezusi u përgjigj: "Është ai të cilit do t`i jap kafshatën, pasi ta kem ngjyer". Dhe e ngjeu kafshatën e ia dha Judë Iskariotit, birit të Simonit.
Gjoni 13:27
Dhe pas kafshatës, Satani hyri në të. Atëherë Jezusi i tha: "Ç`ke për të bërë, bëje shpejt!".
Gjoni 13:28
Por asnjë nga ata që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse ai e tha këtë.
Gjoni 13:29
Disa në fakt mendonin se, duke qenë se Juda e mbante qesen, Jezusi i kishte thënë: "Bli gjërat që na duhen për festën"; ose që t`u jepte diçka të varfërve.
Gjoni 13:30
Ai, pra, mori kafshatën dhe doli menjëherë. Ishte natë.
Gjoni 13:31
Kur doli ai, Jezusi tha: "Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të.
Gjoni 13:32
Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë.
Gjoni 13:33
Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve.
Gjoni 13:34
Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.
Gjoni 13:35
Prej kësaj do t`ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin".
Gjoni 13:36
Simon Pjetri i tha: "Zot, ku po shkon?". Jezusi iu përgjigj: "Atje ku po shkoj unë, ti nuk mund të më ndjekësh tani; por më vonë do të më ndjekësh".
Gjoni 13:37
Pjetri i tha: "Zot, pse nuk të ndiqkam dot tani? Unë do të jap jetën time për ty!".
Gjoni 13:38
Jezusi iu përgjigj: "Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them: gjeli nuk do të këndojë, para se ti të më kesh mohuar tri herë!".