Kapitulli ka 37 vargje, lexim të këndshëm.
Kapitulli Paraprak Kapitulli i ArdhshëmMarku 13:1
Ndërsa ai po dilte nga tempulli, një nga dishepujt e vet i tha: "Mësues, shih ç`gurë e ç`ndërtesa!".
Marku 13:2
Dhe Jezusi duke iu përgjigjur i tha: "A po i shikon këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar".
Marku 13:3
Dhe pasi ai ishte ulur mbi malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe Andrea e pyetën veçmas:
Marku 13:4
"Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e kohës në të cilën të gjitha këto gjëra do të duhet të mbarohen?".
Marku 13:5
Dhe Jezusi duke u përgjigjur atyre nisi të flasë: "Kini kujdes që të mos ju mashtrojë njeri.
Marku 13:6
Sepse do të vijnë shumë në emrin tim duke thënë: "Unë jam!"; dhe do të mashtrohen shumë veta.
Marku 13:7
Por, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe për ushtime luftërash, mos u shqetësoni; sepse këto gjëra duhet të ndodhin; por nuk do të jetë ende mbarimi.
Marku 13:8
Në fakt do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ndodhin tërmete në vende të ndryshme, zi buke dhe turbullira. Këto gjëra nuk do të jenë tjetër veçse fillimi i dhembjeve të lindjes.
Marku 13:9
Kujdesuni për veten! Sepse do t`ju dorëzojnë gjyqeve dhe do t`ju rrahin ndër sinagoga; do t`ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për shkakun tim, që të dëshmoni përpara tyre.
Marku 13:10
Por më parë duhet që t`u përhapet ungjilli gjithë popujve.
Marku 13:11
Tani, kur t`ju çojnë për t`ju dorëzuar në duart e tyre, mos u shqetësoni që më parë për atë që do të duhet të thoni dhe mos e paramendoni; por thoni çfarë t`ju jepet në atë çast, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë.
Marku 13:12
Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t`i bëjnë të vdesin.
Marku 13:13
Dhe ju do të jeni të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim; por ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet".
Marku 13:14
Dhe kur të shihni neverinë e shkatërrimit, të parathënë nga profeti Daniel, e cila qëndron atje ku nuk duhej të ishte (ai që lexon le ta kuptojë), atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin maleve.
Marku 13:15
Dhe ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë, të mos zbresë, dhe as të hyjë në shtëpi për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia e vet.
Marku 13:16
Dhe ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë rrobën e vet.
Marku 13:17
Tani mjerë gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji në ato ditë!
Marku 13:18
Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër.
Marku 13:19
Sepse në atë ditë do të jetë një mundim i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot, dhe të tillë nuk do të ketë më kurrë.
Marku 13:20
Dhe, nëse Zoti nuk do t`i kishte shkurtuar ato ditë, asnjë i gjallë nuk do të shpëtonte; por Zoti i shkurtoi ato ditë për shkak të të zgjedhurve, që ai i zgjodhi.
Marku 13:21
Atëherë, nëse dikush do t`ju thotë: "Ja, Krishti është këtu!"; ose "Është atje", mos e besoni.
Marku 13:22
Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja e çudi për të gënjyer, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit.
Marku 13:23
Por ju kini kujdes; ja, unë ju paralajmërova çdo gjë".
Marku 13:24
"Por në ato ditë, pas atij mundimi, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë shkëlqimin e vet;
Marku 13:25
yjet e qiellit do të bien dhe fuqitë që janë në qiej do të lëkunden.
Marku 13:26
Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me pushtet të madh e me lavdi.
Marku 13:27
Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e vet dhe do t`i mbledhë të zgjedhurit e vet nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skaj të qiellit.
Marku 13:28
Tani mësoni nga shëmbëlltyra e fikut: kur degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethe, ju e dini se vera është afër.
Marku 13:29
Kështu edhe ju, kur do të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.
Marku 13:30
Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, derisa e gjithë kjo të ketë ndodhur.
Marku 13:31
Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë".
Marku 13:32
"Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.
Marku 13:33
Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment.
Marku 13:34
Është sikurse një njeriu i cili, duke u nisur për rrugë, lë shtëpinë e vet duke u dhënë autoritet shërbëtorëve të tij, secilit në detyrën e tij, dhe portjerin e urdhëron të rrije zgjuar.
Marku 13:35
Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes;
Marku 13:36
që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë.
Marku 13:37
Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!".