Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Mateu, 12

Kapitulli ka 50 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Mateu 12:1
Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t`i hanë.
Mateu 12:2
Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: "Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën".
Mateu 12:3
Dhe ai u tha atyre: "A nuk keni lexuar vallë se ç`bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të?
Mateu 12:4
Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t`i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?
Mateu 12:5
Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë?
Mateu 12:6
Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli.
Mateu 12:7
Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime", nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.
Mateu 12:8
Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës".
Mateu 12:9
Pastaj, mbasi u largua që andej, hyri në sinagogën e tyre;
Mateu 12:10
dhe ja, aty ishte një burrë të cilit i qe tharë dora. Ata e pyetën Jezusin, me qëllim që ta padisin më pas: "A është e lejueshme që dikush të shërojë ditën e shtunë?".
Mateu 12:11
Dhe ai u tha atyre: "A ka ndonjë prej jush që ka një dele, dhe ajo bie në një gropë ditën e shtunë, dhe e ai nuk shkon ta nxjerrë jashtë?
Mateu 12:12
E, pra, sa më i vlefshëm është njeriu se delja! A është, pra, e lejueshme të bësh të mirën të shtunën?".
Mateu 12:13
Atëherë ai i tha atij burri: "Shtrije dorën tënde!". Dhe ai e shtriu dhe ajo iu shëndosh si tjetra.
Mateu 12:14
Por farisenjtë, mbasi dolën jashtë, bënin këshill kundër tij si ta vrasin.
Mateu 12:15
Por kur Jezusi e mori vesh u largua prej andej dhe turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi të gjithë,
Mateu 12:16
dhe i urdhëroi ata rreptësisht të mos thonin kush ishte ai,
Mateu 12:17
me qëllim që të përmbushej ç`ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia që thotë:
Mateu 12:18
"Ja shërbëtori im, që unë e zgjodha; i dashuri im, në të cilin shpirti im është i kënaqur. Unë do ta vë Frymën tim mbi të dhe ai do t`u shpall drejtësinë popujve.
Mateu 12:19
Ai nuk do të zihet dhe as nuk do të bërtasë dhe askush nuk do t`ia dëgjojë zërin e tij nëpër sheshe.
Mateu 12:20
Ai nuk do ta thërmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym, deri sa të mos e ketë bërë të triumfojë drejtësinë.
Mateu 12:21
Dhe njerëzit do të shpresojnë në emrin e tij".
Mateu 12:22
Atëherë i paraqitën një të idemonizuar, që ishte i verbër dhe memec; dhe ai e shëroi, kështu që i verbëri e memeci fliste dhe shikonte.
Mateu 12:23
Dhe mbarë turmat çuditeshin dhe thonin: "A mos është ky i Biri i Davidit?".
Mateu 12:24
Por farisenjtë, kur e dëgjuan këtë, thanë: "Ky i dëbon demonët vetëm me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve".
Mateu 12:25
Dhe Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, u tha: "Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë.
Mateu 12:26
Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanë, ai është përçarë në vetvete, dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij?
Mateu 12:27
Dhe në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebubit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
Mateu 12:28
Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.
Mateu 12:29
Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fuqishmit dhe t`i grabisë pasurinë, po të mos e ketë lidhur më parë të fuqishmin? Vetëm atëherë ai do të mund t`ia plaçkisë shtëpinë.
Mateu 12:30
Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.
Mateu 12:31
Prandaj unë po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t`u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t`u falet atyre.
Mateu 12:32
Dhe kushdo që flet kundër Birit të njeriut do të falet; por ai që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do të falet as në këtë botë as në atë të ardhme".
Mateu 12:33
"Ose bëjeni të mirë pemën dhe fryti i saj do të jetë i mirë, ose bëjeni të keqe pemën dhe fryti i saj do të jetë i keq; sepse pema njihet nga fryti.
Mateu 12:34
O pjellë nepërkash! Si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç`ka zemra qet goja.
Mateu 12:35
Njeriu i mirë nga thesari i mirë i zemrës nxjerr gjëra të mira; por njeriu i keq nxjerr gjëra të këqija nga thesari i tij i keq.
Mateu 12:36
Por unë po ju them se ditën e gjyqit njërëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë.
Mateu 12:37
Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh, dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh".
Mateu 12:38
Atëherë disa skribë dhe farisenj e pyetën duke thënë: "Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje".
Mateu 12:39
Por ai duke iu përgjigjur u tha atyre: "Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t`i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.
Mateu 12:40
Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës.
Mateu 12:41
Banorët e Ninivit do të ringjallen në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan me predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është një më i madh se Jona.
Mateu 12:42
Mbretëresha e jugut do të ringjallet në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji më i largët i tokës për të dëgjuar diturinë e Salomonit; dhe ja, këtu është një më i madh se Salomoni.
Mateu 12:43
Tani kur fryma e ndyrë ka dalë nga një njeri, endet nëpër vende të thata, duke kërkuar qetësi, por nuk e gjen.
Mateu 12:44
Atëherë thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time, nga kam dalë"; po kur arrin e gjen të zbrazët, të pastruar dhe të zbukuruar;
Mateu 12:45
atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjera më të liga se ai, të cilët hyjnë dhe banojnë aty; kështu gjendja e fundit e këtij njeriut bëhet më e keqe nga e mëparshmja. Kështu do t`i ndodhë edhe këtij brezi të mbrapshtë".
Mateu 12:46
Ndërsa ai vazhdonte t`u fliste turmave, ja nëna e tij dhe vëllezërit e tij po rrinin jashtë dhe kërkonin të flisnin me të.
Mateu 12:47
Dhe dikush i tha: "Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të flasin me ty".
Mateu 12:48
Por ai duke iu përgjigjur, i tha atij që e kishte lajmëruar: "Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?".
Mateu 12:49
E shtriu dorën e vet drejt dishepujve të vet dhe tha: "Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
Mateu 12:50
Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë".