Kapitulli ka 57 vargje, lexim të këndshëm.
Kapitulli Paraprak Kapitulli i ArdhshëmGjoni 11:1
Ishte atëherë i sëmurë një farë Llazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj.
Gjoni 11:2
Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndëshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët me flokët e saj; dhe vëllai i saj, Llazari, ishte i sëmurë.
Gjoni 11:3
Prandaj motrat i dërguan fjalë Jezusit: "Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë".
Gjoni 11:4
Dhe Jezusi si dëgjoi këto tha: "Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë".
Gjoni 11:5
Por Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin.
Gjoni 11:6
Kur dëgjoi se Llazari ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte.
Gjoni 11:7
Pastaj u tha dishepujve: "Të kthehemi përsëri në Jude".
Gjoni 11:8
Dishepujt i thanë: "Mësues, pak më parë Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?".
Gjoni 11:9
Jezusi u përgjigj: "Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote,
Gjoni 11:10
por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të".
Gjoni 11:11
Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: "Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj".
Gjoni 11:12
Atëherë dishepujt e tij thanë: "Zot, po të flejë, do të shpëtojë".
Gjoni 11:13
Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit.
Gjoni 11:14
Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: "Llazari ka vdekur.
Gjoni 11:15
Edhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai".
Gjoni 11:16
Atëherë Thomai, i quajtur Binjaku, u tha bashkëdishepujve: "Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të".
Gjoni 11:17
Kur arriti Jezusi, pra, gjeti që Llazari ishte që prej katër ditësh në varr.
Gjoni 11:18
Por Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade larg Jeruzalemit.
Gjoni 11:19
Dhe shumë Judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t`i ngushëlluar për vëllanë e tyre.
Gjoni 11:20
Marta, pra, si e mori vesh se po vinte Jezusi, i doli përpara; kurse Maria ishte ulur në shtëpi.
Gjoni 11:21
Marta i tha Jezusit: "Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur,
Gjoni 11:22
por edhe tani e di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t`i japë".
Gjoni 11:23
Jezusi i tha: "Yt vëlla do të ringjallet".
Gjoni 11:24
Marta i tha: "E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit".
Gjoni 11:25
Jezusi i tha: "Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.
Gjoni 11:26
Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?".
Gjoni 11:27
Ajo i tha: "Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë"
Gjoni 11:28
Dhe, si tha kështu, shkoi të thërrasë fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: "Mësuesi është këtu dhe po të thërret".
Gjoni 11:29
Posa e dëgjoi, ajo u çua me nxitim dhe erdhi tek ai.
Gjoni 11:30
Por Jezusi ende nuk kishte arritur në fshat, por ndodhej në vendin ku Marta e kishte takuar.
Gjoni 11:31
Prandaj Judenjtë që ishin me të në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se Maria u çua me nxitim dhe doli, e ndoqën, duke thënë: "Ajo po shkon te varri për të qarë aty".
Gjoni 11:32
Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: "Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur".
Gjoni 11:33
Atëherë Jezusi, kur pa se ajo dhe Judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u psherëtiu në frymë dhe u trondit,
Gjoni 11:34
dhe tha: "Ku e keni vënë?". Ata i thanë: "Zot, eja e shih!".
Gjoni 11:35
Jezusi qau.
Gjoni 11:36
Atëherë Judenjtë thanë: "Shih, sa e donte!".
Gjoni 11:37
Por disa nga ata thanë: "Ky, që i hapi sytë të verbërit, s`mund të bënte që ky të mos vdiste?".
Gjoni 11:38
Prandaj Jezusi, përsëri i tronditur përbrenda, erdhi te varri; por ky ishte një guvë dhe kishte përpara një gur.
Gjoni 11:39
Jezusi tha: "Hiqni gurin!". Marta, motra e të vdekurit, i tha: "Zot, ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh".
Gjoni 11:40
Jezusi i tha: "A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?".
Gjoni 11:41
Atëherë ata e hoqën gurin prej vendit ku ishte shtrirë i vdekuri. Dhe Jezusi i ngriti sytë lart dhe tha: "O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar.
Gjoni 11:42
Unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se ti më ke dërguar".
Gjoni 11:43
Dhe, mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: "Llazar, eja jashtë!".
Gjoni 11:44
Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: "Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!".
Gjoni 11:45
Atëherë shumë nga Judenjtë, që kishin ardhur te Maria dhe kishin parë gjithçka kishte bërë Jezusi, besuan në të.
Gjoni 11:46
Por disa nga ata shkuan te farisenjtë dhe u treguan atyre ç`kishte bërë Jezusi.
Gjoni 11:47
Atëherë krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën sinedrin dhe thanë: "Ç`të bëjmë? Ky njeri po bën shumë shenja.
Gjoni 11:48
Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të, do të vijnë Romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë".
Gjoni 11:49
Por një nga ata, Kajafa, që ishte kryeprifti i atij viti, u tha atyre: "Ju nuk kuptoni asgjë;
Gjoni 11:50
dhe as nuk e konceptoni se është e leverdishme për ne që të vdesë vetëm një njeri për popullin, dhe të mos humbasë gjithë kombi".
Gjoni 11:51
Por këtë ai nuk e tha nga vetja; por, duke qenë kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezusi duhej të vdiste për kombin,
Gjoni 11:52
dhe jo vetëm për kombin, por edhe për t`i mbledhur në një, bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë.
Gjoni 11:53
Që nga ajo ditë, pra, ata vendosën ta vrasin.
Gjoni 11:54
Për këtë arsye Jezusi nuk ecte më haptasi midis Judenjve, por u tërhoq në një krahinë afër shkretëtirës, në një qytet që quhej Efraim dhe aty rrinte me dishepujt e tij.
Gjoni 11:55
Dhe Pashka e Judenjve ishte afër dhe shumë veta nga ajo krahinë u ngjitën në Jeruzalem përpara Pashkës për t`u pastruar.
Gjoni 11:56
E kërkonin, pra, Jezusin dhe, duke qëndruar në tempull, thoshnin në mes tyre: "Si ju duket juve? A do të vijë ai për festë?".
Gjoni 11:57
Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë kishin dhënë urdhër që, po ta dinte ndokush se ku ishte ai, të sinjalizonte që ta kapnin.