Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Gjoni, 10

Kapitulli ka 42 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Gjoni 10:1
"Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar;
Gjoni 10:2
kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve.
Gjoni 10:3
Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë.
Gjoni 10:4
Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij.
Gjoni 10:5
Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve".
Gjoni 10:6
Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste.
Gjoni 10:7
Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: "Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve.
Gjoni 10:8
Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar.
Gjoni 10:9
Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.
Gjoni 10:10
Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.
Gjoni 10:11
Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.
Gjoni 10:12
Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.
Gjoni 10:13
Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t`ia dijë për delet.
Gjoni 10:14
Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,
Gjoni 10:15
ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.
Gjoni 10:16
Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t`i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.
Gjoni 10:17
Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.
Gjoni 10:18
Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im".
Gjoni 10:19
Atëherë lindi përsëri një përçarje midis Judenjve për shkak të këtyre fjalëve.
Gjoni 10:20
Dhe shumë nga ata thoshnin: "Ai ka një demon dhe nuk është në vete; përse e dëgjoni?".
Gjoni 10:21
Të tjerë thoshnin: "Këto nuk janë fjalë të një të demonizuari; a mundet një demon t`ua hap sytë të verbërve?".
Gjoni 10:22
U kremtua festa e Kushtimit në Jeruzalem, dhe ishte dimër.
Gjoni 10:23
Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Salomonit.
Gjoni 10:24
E rrethuan, pra, Judenjtë dhe i thanë: "Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas".
Gjoni 10:25
Jezusi u përgjigj atyre: "Unë jua kam thënë, por ju nuk besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua.
Gjoni 10:26
Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë.
Gjoni 10:27
Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin;
Gjoni 10:28
dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t`i rrëmbejë nga dora ime.
Gjoni 10:29
Ati im, që m`i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t`i rrëmbejë nga dora e Atit tim.
Gjoni 10:30
Unë dhe Ati jemi një".
Gjoni 10:31
Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë.
Gjoni 10:32
Jezusi u përgjigj atyre: "Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?".
Gjoni 10:33
Judenjtë u përgjigjën duke thënë: "Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi".
Gjoni 10:34
Jezusi u përgjigj atyre: "A nuk është shkruar në ligjin tuaj: "Unë thashë: Ju jeni perëndi"?
Gjoni 10:35
Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë),
Gjoni 10:36
ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"?
Gjoni 10:37
Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni,
Gjoni 10:38
por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë".
Gjoni 10:39
Për këtë arsye ata kërkonin përsëri ta kapnin, por ai ikte nga duart e tyre.
Gjoni 10:40
Dhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku më parë Gjoni pagëzonte; dhe ndaloi aty.
Gjoni 10:41
Dhe shumë veta erdhën tek ai dhe thoshnin: "Gjoni vërtet nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka që Gjoni tha për këtë ishte e vërtetë".
Gjoni 10:42
Dhe atje shumë veta besuan në të.