Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Zakaria, 10

Kapitulli ka 12 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Zakaria 10:1
I kërkoni Zotit shiun në kohën e shiut të fundit! Zoti do të lëshojë rrufe që do të pasohen nga bubullima dhe shi, do t`u japë atyre shira të bollshme, dhe secilit bar në arën e vet.
Zakaria 10:2
Sepse idhujt familjarë rrëfejnë gjëra të kota, shortarët ndjekin veprime të rreme dhe tregojnë ëndrra të rreme, japin ngushëllime të kota; për këtë arsye ata po enden si dhentë, janë të pikëlluar, sepse janë pa bari.
Zakaria 10:3
"Zemërimi im merr zjarr kundër barinjve dhe unë do të ndëshkoj cjeptë, sepse Zoti i ushtrive do të vizitojë kopenë e tij, shtëpinë e Judës dhe do ta bëjë atë si kalin e tij madhështor në luftë.
Zakaria 10:4
Prej tij do të dalë guri i qoshes, prej tij do të dalë kunji, prej tij harku i betejës, prej tij do të dalë çdo sundues, të gjithë së bashku.
Zakaria 10:5
Dhe do të jenë si trimat që do të shkelin armiqtë e tyre në baltën e rrugëve në betejë. Do të luftojnë, sepse Zoti është me ta, ata që u hipin kuajve do të mbeten të shushatur.
Zakaria 10:6
Unë do ta fortifikoj shtëpinë e Judës dhe do ta shpëtoj shtëpinë e Jozefit dhe do t`i sjell përsëri sepse më vjen keq për ta; do të jenë si të mos i kem dëbuar kurrë, sepse unë jam Zoti, Perëndia i tyre, dhe do t`i kënaq.
Zakaria 10:7
Ata të Efraimit do të jenë si një trim dhe zemra e tyre do të ngazëllojë si e dehur nga vera. Po, bijtë e tyre do ta shohin dhe do të gëzohen, zemra e tyre do të ngazëllojë në Zotin.
Zakaria 10:8
Do t`u fishkëlloj për t`i mbledhur, sepse unë do t`i shpengoj; dhe ata do të shumohen siç janë shumuar më parë.
Zakaria 10:9
Do t`i shpërndaj midis popujve dhe në vende të largëta do të më kujtojnë; do të jetojnë bashkë me bijtë e tyre dhe do të kthehen.
Zakaria 10:10
Do t`i bëj të kthehen nga vendi i Egjiptit dhe do t`i mbledh nga Asiria, për t`i kthyer në vendin e Galaadit dhe në Liban, por nuk do të ketë vend të mjaftueshëm për ta.
Zakaria 10:11
Ai do të kalojë nëpër detin e vështirësisë, por do t`i godasë valët e detit dhe të gjitha thellësitë e lumenjve do të thahen. Krenaria e Asirisë do të shembet dhe skeptri i Egjiptit do të hiqet.
Zakaria 10:12
Do t`i bëj të fuqishëm në Zotin dhe ata do të ecin në emrin e tij", thotë Zoti.