Referenca Biblike

Lexo Kapitullin

Abdia, 1

Kapitulli ka 21 vargje, lexim të këndshëm.

Kapitulli Paraprak Kapitulli i Ardhshëm
Abdia 1:1
Vegimi i Abdias. Kështu thotë Zoti, Zoti, për Edomin: "Ne kemi dëgjuar një mesazh nga Zoti dhe një ambasador është dërguar midis kombeve për të thënë: "Lëvizni dhe të ngrihemi kundër tij për të luftuar".
Abdia 1:2
Ja, unë do të të bëj të vogël midis kombeve; ti do të jesh shumë i përbuzur.
Abdia 1:3
Krenaria e zemrës sate të ka mashtruar, o ti që banon në të çarat e shkëmbinjve, ku ke bërë banesën tënde të lartë, që thua në zemrën tënde: "Kush do të më zbresë për tokë?"
Abdia 1:4
Edhe sikur ti të ngrihesh lart si një shqiponjë dhe ta vije folenë tënde midis yjeve, unë do të të zbres nga atje lart", thotë Zoti.
Abdia 1:5
"Po të të vinin natën cuba ose kusarë, si do të shkatërroheshe! A nuk do të vidhnin aq sa u mjafton? Po të të vinin vjelësit e rrushit, a nuk do të linin disa vile për të mbledhur?
Abdia 1:6
Oh, sa do ta zhbirojnë Esaun, si do t`i rrëmojnë skutat e tij!
Abdia 1:7
Tërë aleatët e tu do të të shtrëngojnë në kufi, ata që ishin në paqe me ty do të të mashtrojnë dhe do të kenë epërsi mbi ty; ata që hanë bukën tënde do të kurdisin gracka; por ai nuk e kupton këtë.
Abdia 1:8
Atë ditë", thotë Zoti, "unë do të zhduk nga Edomi njerëzit e ditur dhe nga mali i Esaut mënçurinë.
Abdia 1:9
Atëherë trimat e tu do t`i zërë tmerri, o Teman, derisa çdo njeri të shfaroset nga mali i Esaut në masakër.
Abdia 1:10
Për shkak të dhunës kundër vëllait tënd Jakob, turpi do të të mbulojë dhe do të shfarosesh përjetë.
Abdia 1:11
Sepse ti ishe i pranishëm ditën që ti rrije mënjanë, ditën që të huajt e çonin në robëri ushtrinë e tij dhe të huajt hynin nga portat e tij dhe hidhnin në short fatet e Jeruzalemit, edhe ti ishe si një prej tyre.
Abdia 1:12
Por ti nuk duhet të shikoje me gëzim ditën e vëllait tënd, ditën e fatkeqësisë së tij, as duhet të gëzoheshe për bijtë e Judës ditën e shkatërrimit të tyre dhe as të flisje me arrogancë ditën e fatkeqësisë së tyre.
Abdia 1:13
Nuk duhet të hyje nga porta e popullit tim, ditën e fatkeqësisë së tij, as të sodisje edhe ti me kënaqësi mjerimin e tij, ditën e fatkeqësisë së tij dhe as të shtrije duart mbi pasuritë e tij ditën e fatkeqësisë së tij.
Abdia 1:14
Nuk duhet të viheshe në udhëkryqet për të masakruar ikanakët e tij dhe as t`i jepje në dorë të armikut ata që kishin mbijetuar ditën e fatkeqësisë.
Abdia 1:15
Sepse dita e Zotit është e afërt për tërë kombet; atë që u bëre të tjerëve do të ta bëjnë ty, shpërblimi i veprimeve të tua do të bjerë mbi kokën tënde.
Abdia 1:16
Sepse ashtu si keni pirë mbi malin tim të shenjtë, kështu do të pinë tërë kombet vazhdimisht; po, do të pinë, do të rrëkëllejnë dhe do të jenë si të mos kenë qenë kurrë".
Abdia 1:17
"Por mbi malin e Sionit do të jenë ata që mbijetuan dhe do të jetë një vend i shenjtë; dhe shtëpia e Jakobit do të shtjerë në dorë pronat e veta.
Abdia 1:18
Shtëpia e Jakobit do të jetë një zjarr, shtëpia e Jozefit një flakë, por shtëpia e Esaut do të jetë si kallamishte: ata do ta djegin dhe do ta gllabërojnë, dhe shtëpisë së Esaut nuk do t`i mbetet asnjë trashëgimtar", sepse ka folur Zoti.
Abdia 1:19
Ata të Negevit do të zotërojnë malin e Esaut dhe fushën e vendit të Filistejve; do të zotërojnë edhe fushat e Efraimit dhe fushat e Samarisë dhe Beniamini do të zotërojë Galaadin.
Abdia 1:20
Mërgimtarët e kësaj ushtrie të bijve të Izraelit që ndodhen midis Kananeasve, do të zotërojnë vendin deri në Sarepta, mërgimtarët e Jeruzalemit që ndodhen në Sefarad do të zotërojnë qytetet e Negevit.
Abdia 1:21
Atëherë disa çlirimtarë do të ngjiten në malin e Sionit për të gjykuar malin e Esaut, dhe mbretëria do të jetë e Zotit.